Ruzhdia, e vetmja kuti e hapur nuk gjen dot rrugën për në gjykatë
Ndërsa në Tiranë kriza politike që ka në thelb problemet e zgjedhjeve po arrin kulmin, e vetmja kuti e hapur e 28 qershorit nuk po kapërcen dot ngërçin e procedurave në gjykatë.
Bëhet fjalë për rastin e Ruzhdies, për të cilin prokuroria ka bërë gati një dosje voluminoze dhe ka akuzuar presona konkretë për manipulime. Gjyqi për këtë çështje është shtyrë përsëri dje duke lënë gjithçka pezull. Mungesa e avokatëve mbrojtës sërish është bërë shkak pengese për bllokimin e procesit gjyqësor. Përballë një zvarritjeje të përsëritur të gjyqit, prokurori i çështjes çlirim Sinaj i ka kërkuar gjyqtarit Roland Jaupaj të ndërhyjë dhe t’u vërë “fre” avokatëve.
Kërkesa e prokurorit është mbështetur edhe nga tre avokatët mbrojtës të komisionerëve të majtë, të cilët që në përballjen e parë me togat e zeza prezantuan avokatët mbrojtës dhe shmangën praninë e tyre në sallën e gjyqit. Gjyqi i radhës për zgjedhjet e shumëpërfolura të Komunës Ruzhdie ka nisur në orën 10:30 të paradites së të martës. Të pranishëm në sallën e gjyqit kanë qenë pesë komisionerët e djathtë: Bujar Kararaj, Shezaim Kararaj, Veledin Myftaraj, Robert Myftaraj dhe Pëllumb Myrtaj. Në sallën e gjyqit ka qenë edhe një prej komisionerëve të majtë, Qazim Aliaj, i cili ka prezantuar avokatin mbrojtës Toto Avdia. Po ashtu edhe Elmaz Donaj, banor i Ruzhdies, i cili po gjykohet se ka votuar mbi 15 herë, nuk ka munguar në seancën e radhës.
Por në sallë kanë munguar avokatët Zenun Hajdërmataj dhe Baftjar Shehu, mbrojtës të komisionierëve të djathtë.
Avokati Hajdërmataj, i cili përfaqëson tre të akuzuar në këtë proces, e ka justifikuar mungesën me një gjyq në Apel, ndërsa Baftjar Shehu është tërhequr nga mbrojtja e dy komisionerëve të tjerë të djathtë dhe e banorit të Ruzhdies, Elmaz Donaj.
Menjëherë pas këtij justifikimi, prokurori Sinaj i ka thënë gjyqtarit Roland Jaupaj se “avokati Zenun Hajdërmataj vetëm pesë minuta para nisjes së procesit gjyqësor ka qenë me mua në një tjetër gjyq, ku merrej masa e sigurisë për një të ndaluar. Ndaj duhet që ju si gjyqtar, por edhe gjykata të mos e marrë të mirëqenë justifikimin e mungesës”. Kjo deklaratë e prokurorit ka bërë që të reagojnë edhe tre avokatët e mbrojtës të komisionerëve të majtë. Rozeta Plaku, Vladimir Cjapi dhe Toto Avdia janë ankuar te gjyqtari se gjyqi rrezikon zvarritjen vetëm nga justifikimet e padrejta. Ndërkohë seanca e radhës është lënë në orën 13:30 të datës 31 maj. Kjo është hera e pestë që shtyhet seanca gjyqësore për zgjedhjet e 28 qershorit në zonën e Ruzhdies.
#