Khamnej: Sanksionet nuk do të ndryshojnë kursin bërthamor të Iranit
Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamnej, ka thënë se sanksionet e reja të Perëndimit nuk do ta bëjnë Iranin “të ndryshojë kursin e tij bërthamor”. Këto komente ai i bëri gjatë një fjalimi për televizionin shtetëror të vendit.
Uashingtoni dhe aleatët e tij deklarojnë se Irani përdor programin e tij atomik si mbulesë për zhvillimin e bombave bërthamore, ndaj dhe kanë zgjeruar sanksionet kundër tij.
Teherani e mohon një gjë të tillë, por, megjithatë, nuk ka pranuar të ndalojë pasurimin e uraniumit, kërkesë kjo e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Agjencitë perëndimore të lajmeve sot kanë cituar disa diplomatë anonimë të kenë thënë se Irani ka nisur pasurimin e uraniumit për 20 për qind në objektin bërthamor Fordov, që ndodhet pranë qytetit Kom.