KiE: Berisha e Rama të nxisin dialogun politik

Sipas Presidentit të KiE-së, dialogu parlamentar është i një rëndësie të veçantë për funksionimin e institucioneve
TIRANË - Presidenti i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Europës, Mevlut Çaushoglu, përshëndeti dje përmes një deklarate zyrtare kthimin e opozitës në Parlament javën e shkuar si një sinjal të rëndësishëm politik.
"Megjithatë, shpresoj me forcë që ky hap pozitiv të mos mbetet në nivelin e një hapi të vetëm, por të shënojë fillimin e një pjesëmarrjeje të vazhdueshme të të gjithë forcave politike në punimet e parlamentit", thuhet në njoftimin për shtyp të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Në letër, Çaushoglu shpreh kënaqësinë që ky hap u ndërmor pas vizitës së delegacionit të KiE-së në Tiranë.
"Për më tepër jam i kënaqur nga ky zhvillim vijon pas vizitës së Komitetit Presidencial të AKPE-së në vend, i cili synonte të mbështeste procesin e zgjidhjes të situatës aktuale politike dhe të asistonte Presidentin Topi në rolin e tij si ndërmjetës dhe në përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik", - tha Presidenti Çaushoglu. Ai inkurajoi liderët, si të Partisë Socialiste edhe asaj Demokratike, që të bëjnë përpjekje të mëtejshme për të nxitur dhe fuqizuar dialogun politik në vend.
"Dialogu parlamentar është i një rëndësie të veçantë për funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore, dhe jetësor për reformat të cilat duhen trajtuar pa vonesë", - tha ai. Presidenti i Asamblesë Parlamentare i KiE-së shprehu besimin se delegacioni shqiptar në AKPE do të plotësohet së shpejti dhe që anëtarët e opozitës do të marrin pjesë aktivisht në punimet e Asamblesë Parlamentare.
Në përfundim të vizitës së tyre në Shqipëri, pak kohë më parë, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), Mevlut Çaushoglu, liderët e pesë grupeve politike dhe bashkëraporterët e monitorimit për Shqipërinë i bënë thirrje partive politike t'i japin fund krizës aktuale politike në vend në mënyrë që të vazhdojnë me reformat jetësore të nevojshme.
Ata arritën në përfundimin se zgjidhja e krizës aktuale politike mund të bazohet në këto parime: 1) krijimi pa vonesa të tjera të një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e Qershorit 2009, i kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita të ketë një shumicë efektive; 2) ky komision hetimor duhet të përgatisë amendamentet për kodin elektoral në përputhje me rekomandimet e misionit ndërkombëtar të vëzhgimit dhe të Rezolutës 1709; 3) opozitës t'i jepet një numër i drejtë i kryesive të komisioneve parlamentare.
Sipas Ambasadës amerikane në Tiranë, futja e opozitës në Kuvend ishte hap pozitiv
SHBA: Të zgjidhet kriza politike
TIRANË - Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin kthimin e Partisë Socialiste në Kuvend, ndërkohë që apelojnë për vijimin e dialogut me qëllim zgjidhjen e ngërçit politik. I pyetur nga gazeta "Shekulli", një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së deklaroi:
"Mirëpresim kthimin e Partisë Socialiste në Kuvend si një hap pozitiv për zgjidhjen e impasit politik në Shqipëri. Shpresojmë së do të shërbejë si një element kyç për të sjellë kthimin e përhershëm të PS-së në Parlament.
Nxisim të gjitha palët të vazhdojnë dialogun, me qëllim zgjidhjen e ngërçit dhe përshëndesim rolin e Presidentit Topi në çuarjen përpara të dialogut.
Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën Euro-Atlantike të Shqipërisë". Qëndrimi i mbajtur nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë tregon qartë impenjimin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve në nxitjen e dialogut politik në vend.
Prej kohësh, Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, ai i Komisionit Europian, por edhe Ambasadori spanjoll kanë zhvilluar një sërë takimesh kryesisht me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, lidhur me situatën politike në vend. Prej kohësh, ata kanë inkurajuar dialogun, duke theksuar se ngërçi politik duhet të zgjidhet nga vetë aktorët politik në Shqipëri.