Nisma e re, PS forcon rregullat brenda grupit

Gazeta "Shekulli" zbardh disa nga pikat thelbësore të përfshira projekt-rregulloren e re që pritet të diskutohet në mbledhjen më të afërt të grupit
TIRANË - Grupi parlamentar socialist forcon rregullat e funksionimit të tij, me qëllim rritjen e efikasitetit në debatin kuvendor.
Deputetët socialistë kanë marrë në dorë projekt-rregulloren e re të përgatitur nga grupi i punës dhe në mbledhjen e radhës së grupit që pritet të mblidhet sot ose nesër do të vendosin mbi ndryshimet e propozuara në të.
Gazeta "Shekulli" ka mundur të zbardhë disa nga pikat thelbësore të përfshira në këtë projekt-rregullore, për hartimin e së cilës natyrisht janë studiuar dhe janë marrë në konsideratë dhe eksperiencat e grupeve parlamentare të partive të tjera simotra, si PSE, PASOK etj. Kështu grupi parlamentar socialist do të ndryshojë mënyrën e drejtimit të tij, pasi tani propozohet të krijohet një organ i ri më i gjerë drejtues si më parë.
Pra, do të formohet kryesia grupit parlamentar me pjesëmarrjen jo vetëm të kryetarit, nënkryetarëve dhe sekretarit, por edhe me atë të kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare, si dhe të nënkryetarit të kuvendit.
Me këtë mënyrë organizimi i grupit kuvendor socialist synon të rrisë kolegjialitetin e drejtimit dhe vendimmarrjes së tij, para se çështjet të kalojnë për diskutim tek të gjithë deputetët. Ndërkohë, një tjetër ndryshim në rregullore është parashikuar edhe për mënyrën e bërjes së oponencës ndaj projektligjeve apo çështjeve të ndryshme, që paraqiten për miratim në kuvend.
Sipas projekt-rregullores parashikohet që shprehja e qëndrimit të grupit në seancat plenare për çdo projektligj do të bëhet nga kryetari apo nënkryetari i komisionit parlamentar përgjegjës dhe jo më vetëm nga kryetari i grupit parlamentar. Gjithashtu, në këtë draft janë parashikuar një sërë masash për disiplinimin e të sjellurit të deputetëve karshi aktiviteteve parlamentare.
Tani pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve parlamentare, seancat plenare do të bëhet e detyrueshme, veç rasteve kur deputeti për arsye të justifikueshme nuk është i mundur të jetë prezent.
Gjithashtu, deputetët do të duhet të respektojnë vendimet e strukturave edhe në rastet e bojkotit. I njëjti rregull për pjesëmarrjen do të bëhet edhe për mbledhjet e grupit parlamentar. Ndërsa mënyra e votimit për projektligje apo raporte të ndryshme do të orientohet nga kryesia e grupit.
Në rastet e vendimeve politike çdo deputet është i detyruar të zbatojë vendimmarrjen e strukturave. Për të gjitha shkeljet parashikohen masat disiplinore të parashikuara edhe në statut.
Partia Socialiste pritet të krijojë dhe një mënyrë të re për vlerësimin e deputetëve të saj sipas meritokracisë. Kështu të gjithë deputetët socialistë do të vlerësohen sipas rolit që do të luajnë qoftë në jetën parlamentare ashtu edhe në debatet politike. Për këtë qëllim, secilit prej të zgjedhurve do t'i bëhet performanca ku indikatorët matës do të jenë aktivizimet në debatet parlamentare, interpelancat e thirrura prej tyre, konferencat e shtypit, intervistat etj.
Ndryshimet në rregulloren e brendshme të grupit parlamentar të PS-së
Formohet kryesia grupit parlamentar me pjesëmarrjen jo vetëm të kryetarit, nënkryetarëve dhe sekretarit, por edhe me atë të kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare, si dhe të nënkryetarit të kuvendit
Të gjithë deputetët socialistë do të vlerësohen sipas rolit që do të luajnë, qoftë në jetën parlamentare ashtu edhe në debatet politike. Për këtë qëllim secilit prej të zgjedhurve do t'i bëhet performanca ku indikatorët matës do të jenë aktivizimet në debatet parlamentare, interpelancat e thirrura prej tyre, konferencat e shtypit, intervistat etj.
Pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve parlamentare, seancat plenare është e detyrueshme, veç rasteve të justifikueshme. Gjithashtu deputetët do të respektojnë vendimet e strukturave edhe në rastet e bojkotit.
Bëhet e detyrueshme edhe pjesëmarrja në mbledhjet e grupit parlamentar, përveç rasteve të justifikueshme.
Mënyra e votimit për projektligje apo raporte të ndryshme do të orientohet nga kryesia e grupit. Në rastet e vendimeve politike çdo deputetë është i detyruar të zbatojë vendimmarrjen e strukturave. Për të gjitha shkeljet parashikohen masat disiplinore të parashikuara edhe në statut.
Shprehja e qëndrimit të grupit në seancat plenare për çdo projektligj do të bëhet nga kryetari apo nënkryetari i komisionit parlamentar përgjegjës.
Komisioni i Ligjeve do ta shqyrtojë nesër draftin. Ndërsa PS-ja e cilëson joligjore përmbajtjen
Ligji i SHISH, PS kundër, Kuvendi e shqyrton nesër
TIRANË - Partia Socialiste ka kundërshtuar dje amendamentet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, ndërsa Kuvendi ia ka deleguar krejtësisht kompetencën e shqyrtimit të këtij drafti Komisionit të Ligjeve.
Sipas kalendarit të punimeve, Komisioni i Ligjeve pritet që të vijojë shqyrtimin e draftit ditën e nesërme, ndërkohë që PS-ja vazhdon të këmbëngulë në faktin se amendimet e bëra ligjit ekzistues janë antikushtetuese.
Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, deklaroi dje projekt ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror, është një përpjekje e radhës e Kryeministrit Berisha, për të uzurpuar për interesa politike dhe personale këtë shërbim. "Ndryshimet e propozuara bien ndesh me ligje të tjera dhe sidomos me Kushtetutën", - tha dje Gjoni, duke iu referuar edhe neneve konkrete.
Kështu sipas deputetit të PS-së, amendamenti i nenit tre, ku SHISH, ngarkohet me detyrë të mbrojë sigurisë kombëtare, është i gabuar dhe antikushtetues, pasi këtij shërbimi nuk i jepen mjete ligjore, për një funksion të tillë.
Ndryshimi tjetër i këtij neni, ku SHISH mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, është i panevojshëm, sipas deputetit Gjoni, pasi ligji ekzistues, nuk e pengon këtë shërbim të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj të veprimtarisë kriminale.
Një shtesë e tillë, sipas tij, e deformon objektin e punës së SHISH-it, e zgjeron në mënyrë subjektive dhe artificiale, dhe i jep mundësi Kryeministrit që të rekomandojë subjekte të paracaktuara gjurmimi.
Propozimi tjetër, sipas Gjonit, për të shtuar një paragraf ku SHISH ngarkohet me detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda, është edhe më i panevojshëm, formal dhe me pasoja negative.
Po kaq absurde, sipas tij, është edhe një shtesë në një prej pikave të ndryshuara ku SHISH ngarkohet të mbledhë me miratim të Kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera.
"Vendosja e afatit të qëndrimit në detyrë prej pesë vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe një herë, të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH, tregon qëllimin e vetëm dhe të vërtetë të këtij projektligji, në plotësim të dëshirave të Z. Berisha", - vijoi Gjoni.