E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria nuk zbaton këshillat e Autoritetit të Konkurrencës



Nertila Maho

Entet rregullatorë dhe institucionet publike “akuzohen” se nuk kanë marrë në konsideratë rekomandimet e drejtpërdrejta të bëra nga Autoriteti i Konkurrencës, të cilat kanë pasur si synim mirëfunksionimin e tregjeve. Ky shihet si zbatim jo i plotë i kuadrit ligjor, pasi ndikimi që kanë pasur këto rekomandime nuk ka qenë në masën e duhur. Në raportin vjetor të 2009-ës, Autoriteti i Konkurrencës ka vënë në dukje këtë pikë duke ju referuar faktit që çdo iniciativë për hetim është marrë nga vetë Autoriteti. “Vlerësimet e kuadrit ligjor dhe rregullator si dhe dhënia e rekomandimeve përkatëse në rastet e kufizimit të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, janë ndërmarrë kryesisht me nismën e vetë Autoritetit të Konkurrencës” thuhet në raport. Në një përmbledhje të aktivitetit të vitit të kaluar thuhet se institucioni i konkurrencës ka marrë 36 vendime përmes Komisionit të Konkurrencës. Pjesë e kësaj kanë qenë një sërë monitorimesh e hetimesh të mbartura nga 2008-ta në tregun e tranzitimit dhe interkoneksionit në komunikimet elektronike, tregun e importit dhe shitjes me shumicë të karburanteve, tregun e importit të grurit dhe të prodhimit të miellit për bukë, tregun e sigurimit të detyrueshëm TPL e brendshme. Po kështu, hetimet janë shtrirë edhe në tregun farmaceutik, tregu i profesioneve të lira, tregu i menaxhimit të së drejtës së autorit, tregu i depozitave dhe kredive, tregu i prodhimit në vend të hidrokarbureve apo tregu i prokurimeve të makinave të reja. Si një vit me mjaft zhvillime gjatë 2009-ës, sikurse theksohet në raport, Autoritetit të Konkurrencës i është dashur të autorizojë shtatë transaksione të shitblerjes së aksioneve, të cilat përfshijnë kryesisht sektorin financiar, pra banka dhe shoqëri të sigurimit por dhe në sektorin e energjisë elektrike me kalimin e 76% të aksioneve të OSSH-së kompanisë ceke “CEZ Grup”. Edhe gjatë tryezave publike për rritjen e çmimit të energjisë për KESH, OST dhe OSSH, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka qenë indiferent dhe ka marrë pjesë duke dhënë rekomandimet e tij. Gjatë 2009-ës nga ky institucion janë dhënë dhjetë vendime që përbejnë rekomandime, por në raport vihet në dukje fakti që këto rekomandime nuk janë marrë aq seriozisht sa për të dhënë ndikimin e duhur në rregullimin e funksionimit të tregjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›