E Diel, 1 Nëntor 2026

KiE:Disa burgje në Shqipëri të mbipopulluara dhe pa kushte

Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues apo Ndëshkimit (KPT) ka publikuar sot raport për Shqipërinë ku thekson se burgjet në vendin tonë janë pa kushte ndërsa në disa raste të dënuarit janë keqtrajtuar. Raporti konsiston mbi vizitën e përfaqësuesve të këtij komiteti në Shqipëri në maj të vitit 2010, së bashku me reagimin e autoriteteve shqiptare.
Në raport jepen detaje për disa burgje në Shqipëri në të cilat janë konstatuar kushte jo të mira dhe disa prej tyre kanë qënë edhe të mbipopulluara.
 

“Në burgun e Korçës, burgun nr. 313 i Tiranës dhe në Qendrën e Paraburgimit në Durrës, disa të burgosur pretenduan se ishin keqtrajtuar fizikisht nga anëtarët e grupeve të veçanta të ndërhyrjes në këto objekte.  Në Qendrën e Paraburgimit në Kukës kushtet ishin të tmerrshme (qeli me lagështi dhe të ndyra, me riparime në gjendje të dobët, me dritë natyrore të kufizuar dhe ventilim të papërshtatshëm). Disa njësi në Burgun nr. 313 në Tiranë ishin të mbipopulluara rëndë. Në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare informojnë KPT-në se në të ardhmen e afërt do të fillojë ndërtimi i një qendre të re të paraburgimit në Kukës si edhe e një burgu të ri arresti në Tiranë. Kushtet materiale ishin të varfër edhe në shumë qeli të burgut të Burrelit dhe në Spitalin Psikiatrik Shkodër” vijon më tej raporti i KiE-së.
 

Në raport theksohet se shumica e personave të intervistuar nga delegacioni i KPT-së deklaruan se ishin trajtuar në mënyrë korrekte nga policia por kishte një numër të konsiderueshëm personash (duke përfshirë edhe shumë të mitur) të cilët kanë pohuar se ishin keqtrajtuar fizik në kohën e arrestimit të tyre ose gjatë marrjes në pyetje nga ana e oficerëve të policisë.
 

“Kushtet materiale të paraburgimit ishin shumë të varfër në shumicën e institucioneve policore të vizituara (qeli të shkatërruara, pa dritë natyrore ose shumë të kufizuara, ndriçim artificiale të zbehtë dhe ventilim të varfër). Në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare tregojnë se shumë prej objekteve policore të paraburgimit janë duke u rinovuar apo rindërtuar plotësisht” thuhet më tej në raport.

Gjithashtu në raport theksohet se KPT-ja gjeti kushte të kënaqshme në Qendrën e sapo-ndërtuar të Riintegrimit të të Miturve në Kavajë, por edhe në burgjet e Fushë-Krujës dhe Korçës, në Qendrën e Paraburgimit në Durrës, si dhe në shtëpitë komunitare në Elbasan dhe Shkodër, të gjithë të hapura së fundmi.
 

Gjithashtu KPT-ja ka theksuar se kushtet e jetesës së pacientëve në Spitalin e Burgut në Tiranë janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme por megjithatë ka shprehur shqetësim serioz në lidhje me praktikën e vazhdueshme të përdorimit të zinxhirëve metalike për të kufizuar në shtretërit e tyre pacientët vetëvrasës apo të shqetësuar.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›