E Diel, 1 Nëntor 2026

Kiço Londo: “Metropoli, 60 vjet pa institucionet e tij kulturore”

Flet drejtori i Teatrit të Metropolit, regjisori Kiço Londo

Petrika GROSI
Është paradoksale që për mëse 6 dekada Tirana mbetet kryeqytet pa teatrot e saj profesioniste, siç mund të ndeshen të tilla në Korçë, Vlorë, Shkodër, Durrës etj. Në fakt, institucionet kulturore që janë në metropol kanë status kombëtar dhe jo atë të një qyteti ku çdo bashki ngre dhe financon institucionet e veta artistike e kulturore. Në këtë drejtim është e pafalshme që metropolit në ditët e sotme t’i mungojë më gjatë një domosdoshmëri e tillë. Të paktën kështu shprehet drejtori i Teatrit Metropolitan, Kiço Londo, në intervistën e dhënë dje për gazetën “Albania”. Ai tregon se për këtë vakuum e ka zgjidhjen gati, në bashkëpunim me kryebashkiakun Edi Rama.

Me çfarë jeni duke u marrë aktualisht në Teatrin e Metropolit?
Matanë fasadës ka diçka të gjallë edhe pse fasadat jo gjithmonë flasin mbi gjëra të gjalla. Për më pak se dy javë do të jetë në funksionin e saj të plotë salla e Teatrit të Metropolit. Një vit më parë, ne kemi çelur këtë teatër me shfaqjen “Harvej”, me regji të Hervin Çulit dhe interpretim të Bujar Lakos e Robert Ndrenikës. Tashmë kemi një sallë tonën me 120-150 vende. Salla është ndërtuar brenda skenës së vjetër të varietesë së Tiranës. Përveçse anës multifunksionale të sallës, kemi ambiente të shumta që kanë të bëjnë me dhomat e aktorëve, sallën e garderobës, sallën e provave në tavolinë, sallën e provave në mizanskenë... Sa për financimet, pjesa e luanit i takon Bashkisë së Tiranës, gjithashtu nuk mund të anashkalohet kontributi që kanë dhënë biznese të ndryshme dhe donatorë privatë.

Në këtë kontekst më vjen t’ju quaj “drejtori i sallave”... Jam kurioz të di më tepër për konceptin tuaj mbi raportin “sallë-publik-aktor-teatër”.
(Qesh) Në pamje të parë duket sikur unë merrem vetëm me sallat. Natyrisht që jam marrë me to dhe do të vazhdoj të merrem me këtë gjë, sepse e shikoj si krijim hapësirash. Kjo përkthehet në zhvillim, mundësi për të gjithë artistët dhe publikun. Në punën time bashkë me z. Rama, me të cilin kam kontratë, kam pasur parasysh dy gjëra. Së pari, të krijohet hapësirë për artistët e rinj të artit skenik. Kryesisht ambjentet e Qendrës Kulturore Tirana do të jenë kryesisht për artistët që kanë mbaruar dhe mbarojnë shkollën vitet e fundit. Natyrisht që mosha nuk është vlerë dhe do të ketë përzgjedhje. Veç kësaj, kam parasysh një fakt paradoksal që në më shumë se 60 vjet Tirana nuk ka pasur institucionet e saj kulturore. Nëse Bashkia e Durrësit, Korçës, Vlorës etj. kanë teatrot e tyre, bibliotekat, teatrot e kukullave, galeritë e artit, këto kryeqytetit i mungojnë. Ne kemi në plan që duke u hapur në të gjithë shtrirjen e Tiranës, t’i ndërtojmë këto institucione dhe të plotësojmë boshllëqet duke krijuar hapësira të reja për artistët dhe publikun. Ne do të kërkojmë nga këshilli bashkiak hapësira pune permanente në bazë kontratash me artistët dhe kompanitë e ndryshme. Këtë synojmë të arrijmë. Ia mbërritëm me teatrin dhe do t’ia dalim mbanë edhe me të tjerat. Ne nuk kemi ndërmend që të konkurrojmë Teatrin Kombëtar dhe as t’i bëjmë karshillëk ndonjë institucioni tjetër. Në këtë kontekst them se Teatri Kombëtar duhet t’i jetë mirënjohës Teatrit të Metropolit, i cili do t’i krijojë mundësinë që të jetë më elitar duke mos qenë i detyruar të realizojë çdo pjesë në skenën e tij.

Mos po kërkoni ndonjë favor nga Teatri Kombëtar?
Nuk bëhet fjalë për favore, dua të them se jemi të gatshëm për bashkëpunim. Nuk ndihemi as inferiorë, as superiorë.

Çfarë fytyre do të ketë Teatri juaj i Metropolit?
Një teatër i vërtetë, me fytyrë moderne, të re. Kjo jo vetëm për shkak të moshës, por edhe të mendësisë. Në radhë të parë vjen teatri dhe pas kësaj fjale vijnë autorë të mëdhenj dhe të fuqishëm. Sezonin e kaluar patëm një shfaqje mbi një vepër me çmim “Pulicer”, të cilën e ndërpremë për shkak se koinçidoi me tragjedinë e Gërdecit, pastaj patëm një autor si Zhan Zheneti, për të vijuar me një autore italiane. Tani kemi sërish një shfaqje bilinguale që është Molier. Do të ketë aktorë francezë dhe shqiptarë. Më pas do të vihet “Kopshti i vishnjave” i Çehovit me aktorë krejt të rinj. Janë autorë që të vënë në provë, sepse veten e tyre e kanë vënë në provë me kohë. Sezonin e ardhshëm kemi në plan autorë të tjerë si Kamy, irlandezin Sink me veprën e tij “Playboy i botës perëndimore”, gjithashtu kemi një vepër të Erik Emanuel Shmidit. Tendencat janë drejt një teatri të fortë, me aktorë të rinj dhe kreativë. Duam të hyjmë në një treg që nuk ka shumë stabilitet, por që ne do të bëhemi shpejt pjesë e këtij stabiliteti.

Le të kthehemi te fytyra, identiteti që i ka munguar Teatrit Kombëtar gjithë këto vite, qoftë edhe gjatë drejtimit tuaj. Si mendoni se duhet të jetë ky teatër?
Nuk ka teatër të Kiço Londos. Teatri Kombëtar është i kombit, i njerëzve. Unë nuk di të uzurpoj simbole, as institucione. Brenda meje kam teatrin tim kombëtar, ashtu siç e mendoj vetë, të cilin e mbaj gjithmonë brenda meje.

Pra, si duhet të ishte sipas jush sot ky teatër?
Një teatër i tentativës që unë bëra, një teatër me Çehov, Molier dhe Tenes Uilliams brenda, me De Filipo... një teatër ku hyn që nga Sulejman Pitarka deri te Valbona Imami. Një teatër ku ishte Violeta Manushi dhe është Drita Pelingu e Margarita Xhepa, një teatër ku është Bujar Lako, ku është Robert Ndrenika, i cili ka tre vjet që nuk duket në teatër. Nuk mund të konceptohet teatri pa të. As pa Ndriçim Xhepën në role madhështore çdo sezon nuk mund të konceptohet ky teatër. Gjithashtu nuk duhet të mungojnë as Luiza Xhuvani dhe Yllka Mujo. Ja pra ky duhej të ishte për mua Teatri Kombëtar.

Në bisedat me njerëz të artit në pozicione të ndryshme pranë Teatrit Kombëtar shpesh dëgjoj shqetësimin se bordi i TK-së u trembet shfaqjeve të teatrit absurd apo eksperimentimeve të tjera duke mos i aprovuar këto shfaqje që mund të jenë risi. Ju çfarë do të thoshit?
Unë për veten time i trembem bordit...

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›