E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e 16-vjeçares në Itali, policia heton në dy pista



Sedana Aruska është identiteti i dhënë nga Policia italiane për një vajzë 16-vjeçare nga Shqipëria, e cila u gjet e vrarë në banesën e saj në Foggia të Italisë. Ngjarja ka ndodhur të premten, kurse dje policia deklaroi se është duke hetuar në dy pista për krimin që shokoi qytetin. Një 26-vjeçar, emigrant rumun, është personi i dyshuar nga policia si autor i mundshëm i vrasjes, nën motive të hakmarrjes për ndarjen e motrës së tij nga Gentian Smakaj. Ai është marrë në pyetje, por zyrtarisht policia tha se nuk ka ngritur një akuzë ndaj tij, ndërsa konfirmohet se po hetohet dyshimi për vrasje për motive të dobëta. Mësohet se emigranti rumun është vëllai i një vajze që para disa kohësh kishte pasur një lidhje me Gentian Smakajn, të fejuarin e së ndjerës. Ndërkohë, gjurmë të gjetura në banesën ku ndodhi ngjarja si dhe në rrobat e trupin e viktimës janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistikës në Romë, për të zbardhur dyshimet e ngritura. Konfirmohet se janë sekuestruar edhe këpucët e 26-vjeçarit rumun, për të bërë krahasim me gjurmët e gjetura në banesë. “Ne kemi gjetur gjurmë gjaku në këpucët që i sekuestruam 26-vjeçarit rumun dhe presim rezultatet e analizave për të provuar nëse ADN-ja korrespondon me atë të viktimës”, - detajoi policia lokale. E ndjera u gjet e vdekur të premten në orët e pasdites, në banesën ku jetonte bashkë me të fejuarin e saj 22-vjeçar, Gentian Smakaj, në lokalitetin Cerignola. Asaj i ishte prerë fyti me thikë duke i shkaktuar vdekje të tmerrshme. Pas ngjarjes policia shoqëroi disa dhjetëra shtetas shqiptarë dhe rumunë, disa prej të cilëve vazhdojnë të jenë në listën e personave të hetuar.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›