Tadiç: “UNMIK-u dhe EULEX-i të vendosin ligjin në Kosovë”
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, u ka bërë thirrje UNMIK-ut dhe EULEX-it të vendosin sundimin e ligjit, në mënyrë që të sigurohet jeta e qetë për të gjithë banorët e Kosovës, përfshirë edhe pakicat serbe. Sipas presidentit Tadiç, në Kosovë mungojnë normat themelore të civilizimit, të cilave i bashkëngjitet edhe mungesa e sigurisë. “Prej 17 marsit 2004 në Kosovë ende nuk ka siguri, liri të lëvizjes, drejtësi, energji elektrike, ujë, as respektim të normave themeltare të civilizimit”,- është shprehur presidenti serb për mediat vendase. Ndër të tjera, Tadiçi ka përsëritur qëndrimin e Serbisë për mosnjohjen e Kosovës, duke shtuar se vendi i tij do të mbrojë integritetin me mjete paqësore, diplomatike dhe ligjore përpara institucioneve ndërkombëtare.
Strukturat paralele, “Vetëvendosje” ngre padi ndaj 116 serbëve
Lëvizja “Vetëvendosje” ka ngritur kallëzim penal kundër 116 pjesëtarëve të komunitetit serb në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, mes të cilëve rezulton edhe ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç. Lideri i lëvizjes, Albin Kurti, tha se këta persona që përfaqësojnë strukturat paralele të Serbisë në Kosovës kanë punuar në vazhdimësi në forcimin e shtetit paralel serb, janë marrë vesh për të kryer apo nxitur shumë vepra penale. Sipas propozimit për kallëzim penal, drejtuesit e strukturave paralele tentojnë të ndryshojnë rendin juridik të vendosur në Kosovë me anë të përdorimit të dhunës dhe duke injoruar organet e shtetit të Kosovës, përpiqen që arbitrarisht të ushtrojnë të drejtat e tyre në bazë të ligjeve të shtetit serb. Djegia e pikave doganore më 19 shkurt në kufirin e Kosovës me Serbinë, hyrja në Gjykatën në veri të Mitrovicës më 14 mars, vrasja e policit ukrainas më 17 mars të vitit të kaluar, janë “disa nga krimet e strukturave paralele të Serbisë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”, e që vazhdojnë edhe këtë vit, sipas arsyetimit të kallëzimit penal të hartuar nga lëvizja “Vetëvendosje”.
Maqedoni, qeveria ndan 4 milionë euro për zgjedhjet
Qeveria maqedonase ka planifikuar të shpenzojë për zgjedhjet rreth 4 milionë euro. Kjo shumë do të ndahet nga buxheti për financimin e zgjedhjeve vendore dhe presidenciale. Ministria e Financave bëri të ditur se harxhimet e planifikuara janë të njëjta me ato të vitit të kaluar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga ana tjetër, ekonomistët kanë paralajmëruar një situatë të rëndë në buxhetin shtetëror, për shkak të krizës së rëndë ekonomike që ka goditur vendin. Ekonomistët kanë kërkuar rishikim të buxhetit, ndërsa qeveria ka paralajmëruar ribalancë menjëherë pas zgjedhjeve të 22 marsit, për shkak të vështirësive në grumbullimin e të ardhurave tatimore. Ndërkohë, Raporti i OSBE-ODIHR-it e ka vlerësuar fushatën e deritanishme parazgjedhore në Maqedoni korrekte dhe brenda standardeve. Në raportin e publikuar thuhet se kandidatët presidencialë dhe liderët e partive politike po angazhohen për zgjedhje të lira dhe demokratike.
17 Mars 2009