Kiço Londo: “Teatri i Metropolit do të jetë‘agresiv”
Petrika GROSI
Në një intervistë të dhënë dje për gazetën “Albania”, drejtori i Teatrit të Metropolit, Kiço Londo rrëfen për punën që po bën me ndërtimin e dy sallave të reja që i shtohen këtij teatri dhe ambicjet e tij për sezonin e ri artistik. Pas një investimi prej 30 milionë lekësh që Bashkia e Tiranës ka bërë për të ndërtuar një qendër kulturore moderne dhe shumëdimensionale, drejtori Londo shpreh bindjen se Teatri i Metropolit do të jetë mjaft kompetitiv e pse jo, shumë shpejt më i miri në shkallë republike.
Ndërsa shohim se punimet në Teatrin e Metropolit vazhdojnë, ç’mund të na tregojë ndonjë detaj drejtori Kiço Londo?
Para një viti, kur çelëm Teatrin e Metropolit, premtuam se do të kishim sallën tonë. Tashmë e kemi një sallë teatri, në të cilën janë dhënë dy premiera dhe po bëhemi gati të hapim dy salla të tjera, siç janë salla “Glob” me 90 veta dhe salla e bodrumit me 300 veta. Fondet janë dhënë nga Bashkia e Tiranës dhe pas realizimit të këtyre punimeve do të nisë beteja për vendosjen e shfaqjeve cilësore në këtë teatër. Synojmë të kemi një repertor të ngjeshur me autorë të mëdhenj si Bergman, Sing, Shekspir, Erike Manuel Shmit etj. Gjithashtu, mendoj që në fillim të vitit të bëjmë një konkurs të krijuesve të rinj të teatrit. Pesë regjisorë, skenografë e kostumografë me pesë trupa të ndryshme aktorësh do të konkurojnë mes tyre. Minimalisht një shfaqje do të jepet 15 herë në Tiranë dhe në sallat e ndryshme të Shqipërisë. Por, edhe që t’ju them se do të kemi një Hamlet në sezonin e ri, nuk është ndonjë habi dhe as e papritur... Repertori i zgjedhur nga ne do të jetë mjaft “agresiv”, një repertor që do t’ju japë shanse njëherësh, aktorëve me përvojë dhe atyre mq të rinj, të cilët dalin nga akademia dhe qëndrojnë larg skenës.
Sa do të jeni kompetitivë në krahasim me Teatrin Kombëtar?
Pa dyshim që Bashkia e Tiranës është shumë më ambicioze pasi fondi që ajo jep për Teatrin e Metropolit është jo vetëm më i madh se ai i Teatrit Kombëtar, por edhe më i madh se fondi i përgjithshëm që jep Ministria e Kulturës për të gjitha teatrot brenda një viti. Deri tani janë dhënë 30 milionë lekë (të reja) për Teatrin e Metropolit. Nga pikëpamja organizative dhe nga ajo ekonomike do t’i rezistojmë tregut. Besoj se ata që e nisën këtë punë dhe e sollën deri këtu, te një teatër me tri salla, do ta vazhdojnë dhe më tej.
Si do të funksionojnë dy sallat e tjera që janë ende në konstruksion?
Salla “Glob” është universale; aty do të ketë teatër, cirk dhe shfaqje të ndryshme. Ndërkaq, salla e bodrumit do të jetë më interesante dhe do të përdoret kryesisht për shfaqje teatrore. Premiera e parë do të jetë Sing, me veprën “Playboy i botës perëndimore”. Tema kryesore e kësaj vepre është mitbërja. Historia e një djali, i cili për t’u bërë i famshëm vret babanë. Duke menduar për perspektivën e Teatrit të Metropolit, në muajin tetor (kur fillojnë dhe shkollat) do të nisë të funksionojë pranë nesh dhe Teatri për Fëmijë, veç Teatrit të Kukullave. Më bëtë pak më parë një pyetje dhe më thatë nëse do t’i rezistojmë dot tregut dhe Teatrit Kombëtar... Ne e dimë që jemi në hapat e para dhe është e vështirë, ndërkohë që TK ka një përvojë 65 vjeçare. Nuk vijmë në jetën artistike të kryeqytetit e më gjerë, thjesht si njerëz që duam të sfidojmë dikë tjetër. Sfidën e parë e kemi me vetveten.
Sa do të jeni të aftë që të përthithni aktorë e regjisorë të njohur dhe sa ju lejon buxheti juaj që ta realizoni këtë?
Qoftë në përthithjen e të rinjve, ashtu edhe për afrimin me kontrata për artistët me përvojë, aktorë e regjisorë, ne do të jemi shumë “agresivë”.
Thatë se do të kemi një Hamlet në sezonin e ri.
Jemi duke punuar për një Hamlet dhe besoj do të kemi vënien e tij. Regjisor nuk do të jem vetë, por mundet të jetë dikush tjetër me jo më pak përvojë sesa unë. Ambicja ime më e madhe për këtë sezon është të kem një Elektra të Sofokliut, të cilën uroj që mot në pranverë ta realizoj. Në fund të vitit 2010, Teatri i Metropolit do të jetë pa dyshim, teatri më i mirë në Shqipëri dhe këtë do ta tregojmë edhe në javën e frankofonisë me teatrin bilingual.
31 Korrik 2009