Lorik Cana: “Ja pse firmosa për Sanderlendin”
Lorik Cana u prezantua dje zyrtarisht si lojtari i ri Sandërlendit, klubit anglez të Premier Ligës, gjatë një ceremonie madhështore. Blerjes më të shtrenjtë në historinë e “Maceve të zeza”, tifozët i rezervuan një pritje të ngrohtë, duke i krijuar shumë emocione kapitenit të ri të tyre. Lorik Cana pohoi për faqen zyrtare të klubit si ai ishte “shumë i entuziazmuar” për të luajtur më fanellën e Sandërlendit në Premier Ligë. Cana e përshkroi veten si një lider natyral dhe tha se ai synon të sjellë eksperiencën e tij të nivelit të lartë të “macet e zeza”. “Ndihem shumë mirë, - tha Cana për televizionin e klubit, SAFC TV, - është dita ime e parë në stërvitje, në një klub të ri, është një aventurë e re për mua. Jam shumë i entuziazmuar t’i bashkohem Premier Ligës. Kam luajtur në dy prej klubeve më të mëdhaja në Francë, në Paris dhe Marsejë. Sandërlendi është një vend fantastik. Detyra ime është të jap 300 për qind, të jem i fuqishëm dhe të jem një lider. Mendoj se loja ime është tipike britanike”.
ARSYET E LARGIMIT
Lorik Cana ishte lojtari shqiptar i merkatos së kësaj vere. Shumë nga klubet më të njohura në Europë, përfshirë Arsenalin, Liverpulin, Evertonin, Totenehemin, Hamburgun, Volfsburgun, shfaqën interesim të dukshëm për të, por mesfushori shqiptar vendosi të firmosë për një ekip të vendeve të fundit në kampionatin anglez, për të tepër jo të kualifikuar në ndonjë kompeticion evropian. “Prej kohësh kisha thënë që do të largohesha, më kishte mbetur vetëm të zgjidhja destinacionin më të mirë të mundshëm. Sandërlendi nuk bën pjesë në katër ekipet më të mira anglez, por është një klub me histori të gjatë, me ambicie dhe një pronar të pasur”, - deklaroi Cana për mediat franceze.
SHTËPIA E DYTË
Lorik Cana zbuloi për mediat dhe arsyet e vërteta të largimit nga Marseja, skuadër për të cilën shpenzoi katër vite të karrierës së tij dhe motivet që e shtynë ish-kapitenin e skuadrës më të dashur transalpine t’i bashkohej Sandërlendit modest dhe jo gjigantëve të tjerë europianë. “Kisha thjesht dëshirë të zbuloja një botë tjetër jashtë (Francës)- tha 26-vjeçari i pyetur nga gazeta franceze “La Provance”, e afërt me klubin e Marsejës. – Gjithsesi, kjo nuk më pengon ta konsideroj Marsejën si shtëpinë time të dytë, kuptohet pas vendit tim (Shqipërisë). Familja ime do të vendoset pranë meje, në Provense, kështu do të kem mundësi të vij kohë pas kohe për të parë ndeshjet (e Marsejës).
KEQARDHJA E LORIKUT
Mesfushori shqiptar, lojtari më i shtrenjtë kuqezi i të gjitha kohërave, nuk e fshehu keqardhjen e mosarritjes së një objektivi të madh të tij: “Unë largohem me ndjenjën se i kam plotësuar detyrat. Sigurisht, kam një keqardhje të madhe që nuk ka arritur të shpallem kampion, por e ndjenj se kam kontribuar për të rivendosur Olimpikun e Marsejës në shina, në rikthimin e tij në majë. Dhe mesa e kam ndjekur, tani ka bërë rekrutime të mira lojtarësh. Olimpiku i Marsejës do të qëndrojë në krye”.
MOMENTE TË BUKURA
Pas katër sezoneve të mrekullueshme me Olimpikun e Marsejës, mesfushori shqiptar i shndërruar në një idhull në radhët e tifozerisë së klubit të vetëm francez që ka mundur të fitojë Ligën e Kampioneve, pohoi se largohet me një “gozhdë të zhytur thellë në zemrën e tij”. I intervistuar nga televizioni tematik i ish-klubit të tij, OM TV, Cana u shpreh me fjalë të forta: “Është një moment i veçantë në jetën time. Gjërat që kam jetuar këtu, do të jetë e vështirë t’i rijetoj diku tjetër. Do të jem gjithmonë i lidhur me rajonin, Olimpiku i Marsejës do të jetë klubi im përgjithmonë”. Cana nuk harroi t’u dërgojë edhe një falënderim të veçantë tifozëve.
Prezantohet edhe Frejzër
Mesfushori shqiptar Lorik Cana dhe sulmuesi Frajzer Kempbëll, dy nga blerjet e reja të trajnerit të Sanderlendit, Stiv Brus, u bashkuan dje për herë të parë me pjesën tjetër të ekipit, ku dhe do të prezantohen zyrtarisht. Lajmi u publikua në faqen zyrtare të klubit anglez. Sulmuesi Frejzër i ardhur nga Mançester Junaitid u ble në shumën e 3.5 milionë sterlinave (4.2 milionë euro), ndërsa Cana i blerë nga Marseja, në shumën 5 milionë sterlinave (6 milionë euro).
NDESHJA E PARË
Ndeshja e parë e Lorik Canës me fanellën e Sandërlendit është miqësorja kundër Sëlltikut, e programuar më 1 gusht.
PESË REKORDET SHQIPTARE TË CANËS
1. Lorik Cana do të jetë i pari lojtar shqiptar (me pasaportë shqiptare) që luan në Premier League. Aktualisht në Angli luan edhe Valon Behrami, por kosovari i Uest Hemit ka pasaportë zvicerane. Në kampionatin anglez kanë luajtur edhe vëllezërit Shefki e Njazi Kuqi (kosovarë me pasaportë finlandeze), Artim Shaqiri (shqiptari me pasaportë maqedonase).
2. Kosovari, një prej futbollistëve më të mediatizuar shqiptarë në Europë, do të jetë lojtari shqiptar për të cilin është paguar më shumë, 6 milionë euro për të kaluar nga Marseja te Sanderland, një shifër kjo dy milionë më e madhe, sesa ajo kur Cana kaloi nga Paris Sën Zhermeni te Marseja (4 milion euro).
3. Është lojtari më i paguar shqiptar i të gjitha kohërave, 2.5 milionë euro në sezon, 75 mijë euro në javë. Kontrata bruto e Lorikut shkon në 3.5 milionë euro. Cana do të përfitojë gjithashtu bonuse të veçanta në varësi të rezultateve të ekipit.
4. Bëhet kapiteni i parë shqiptar i një skuadre angleze, për më tepër që ka qenë edhe kapiten i Marsejës. Cana do të mbajë te Sanderlendi numrin 19, një numër që Loriku e konsideron gati të shenjtë.
5. Është ndër të vetmit futbollistë, dhe jo vetëm shqiptarë, që bëhet kapiten i një skuadre që në firmosjen e kontratës së tij të parë. Kapiten tjetër shqiptar në një skuadër evropiane është dhe Dorian Bylykbashi, por te Krivbasi në Ukrainë. Më parë kapiten ka qenë edhe Altin Lala te Hanover 96 në Gjermani.
Brus: “Cana, kapiteni ideal”
Lorik Cana do të jetë kapiteni i ri i Sanderland, apo “Black Cats” (“maceve te zeza”), siç është edhe nofka e ekipit anglez të Premier League. Lajmin e ka dhënë vetë trajneri i ri skuadrës, Steve Bruce. “Është më të vërtetë një lojtar luftarak, - deklaroi menaxheri i Sanderland. - Ai ishte kapiten te Marsejës dhe është kapiten i ekipit të Shqipërisë. Të jesh kapiten te një ekip si Marseja do të thotë shumë për një lojtar dhe karakterin e tij, ndaj edhe te Sanderlend, ai do të mbajë këtë shirit”. Lorik Cana, që mbushi 26 vjeç të hënën, nënshkroi të shtunën një kontratë në vlerën e 2.5 milionë eurove në sezon (rreth 75 mijë euro në javë) me Sanderland, është duke vendosur disa rekorde të panjohura më parë për një futbollist shqiptar.
31 Korrik 2009