Kiço Mustaqi: Si u shmang gjakderdhja në Shkollën e Bashkuar në 91-shin
Më 20 shkurt, ditën që u rrëzua monumenti i Enverit, Ramiz Alia urdhëroi për të qëlluar me armë demonstruesit. Bashkë me këtë dëshmi tronditëse, në numrin e kaluar zbardhëm një pjesë nga rrëfimi i Kiço Mustaqit, ish-ministër i Mbrojtjes në periudhën 1990-1991, dhënë për emisionin Periskop të Ora News. Ish-zyrtari i lartë i regjimit komunist, pohon për herë të parë se operacioni për ruajtjen e statujës së diktatorit drejtohej nga Hekuran Isai, ish-ministër i Brendshëm, i cili atë ditë fluturonte me helikopter mbi sheshin Skënderbej. Më tej, Mustaqi hedh dritë në misteret e ngjarjeve në Shkollën e Bashkuar në shkurt -mars 91 dhe pozicionin e tij në zhvillimin e ngjarjeve të vitit 97, kur ai punonte si emigrant në Greqi.
…vijon nga numri i kaluar
Në atë kohë Televizioni Shtetëror ruhej me policë dhe ushtarë. Ushtarët ishin efektivë të një brigade tankesh. Po të ngacmohej Televizioni, edhe tanket do të vepronin. Ishin këto veprime të parapërgatitura. Në qoftë se ti do të më godasësh, edhe unë do të të godas. Kjo është afërmendsh. Unë, si Kiço Mustaqi, kur filluan ndryshimet, fillova mosmarrëveshjet me komandantin e Përgjithshëm, me Ramiz Alinë…
Çfarë mosmarrëveshjesh?
Unë si ministër i Mbrojtjes kisha një plan për të mbrojtur Shkollën e Bashkuar, të aprovuar nga organet më të larta ushtarake e qeveritare. Atëherë më duhej ta mbroja atë që parakuptonte kufijtë e caktuar, ku bëhej zjarr dhe ku nuk bëhej zjarr. Këtu analogjia duhet bërë, kur unë e kam objektin në ruajtje si ushtri, ti nuk vjen e sulmon ta marrësh atë. Kur e ke ti si polici, vijnë ta marrin objektin. Këtu ishte ndryshimi në atë periudhë midis ushtrisë dhe policisë. Ndodhte kjo kur si ushtria, ashtu dhe policia kishin armë luftarake. Tani varet si i përdor ato…
Zoti Mustaqi, mund të na tregoni ndodhitë në Shkollën e Bashkuar pas rrëzimit të monumentit të Enverit?
E para, ta sqaroj se në këtë reagim nuk ishte vetëm Shkolla e Bashkuar, por edhe Akademia e Shtabit të Përgjithshëm, shkolla Skënderbej. Ndodhi që ato u sulmuan. Në planin luftarak kishim parashikuar të gjitha veprimet për tu ruajtur ato me çdo kusht. Pra, ato nga brenda ruheshin vetë dhe për këtë kishin të gjithë arsenalin e nevojshëm. U goditën nga jashtë, u provokuan. Në atë periudhë ne kishim anuluar të gjitha programet që kishin të bënin me veprimtaritë jashtë shkollës, si përgatitjet për qitje, stërvitja taktike në terren etj. I gjithë programi i atyre ditëve ishte parashikuar për tu zhvilluar brenda në klasë, me qëllim që të shmangnim provokimet e ndryshme, sepse ishte koha kur provokimet ishin të njëpasnjëshme…
Ju thoni se Shkolla e Bashkuar u sulmua nga jashtë…?
Ky ishte realiteti. Unë kam dyshime të tjera. Pse shkoi policia atje, kur ajo nuk mbronte dot veten, nuk mbronte dot objektet e saj? Pse policia e rrethoi Shkollën e Bashkuar? Mua nuk më kërkoi njeri leje për këtë. Unë si ministër i Mbrojtjes nuk e kërkova. As Komanda e Shkollës nuk e kërkoi policinë për të mbrojtur shkollën. Ne si ushtri kishin fuqi dhe rezuse të mbronim atdheun, e jo më të vinte policia e të ruante Shkollën e Bashkuar. Pra ajo erdhi pa e thirrur kush. Këtu, pikërisht këtu unë bëj një lidhje. Policia në atë kohë drejtohej nga Ramiz Alia. Ai ishte Komandant i Përgjithshëm, ai ishte President. Përderisa drejtohej nga Ramiz Alia, duhet ta kenë informuar patjetër autoritetet e Ministrisë së Brendshme se po shkonin për të mbrojtur Shkollën e Bashkuar. Është çmenduri të thuash se do çojmë policinë të ruajë ushtrinë(!)…
Ju nuk ishit fare në dijeni?
Unë e mora vesh kur policia kishte shkuar atje. Kur më raportuan nga Akademia. Shkoi pra policia e rrethoi territorin jashtë mureve të Shkollës. Aty unë nuk mund të ndaloja njeri. As efektivat e Shkollës së Bashkuar nuk kishin punë me njerëzit jashtë mureve. Ata patën durimin e madh, saqë nuk reaguan as kur u prishën muret dhe u thyen xhamat e klasave. Nuk pati asnjë të plagosur atë ditë…
Çfarë ndodhi ditën tjetër?
Me rrëzimin e bustit, çast pas çasti, për mua bëhej e qartë çdo gjë. Tanimë unë kisha parasysh planin. Meqë nuk u mor dot Televizioni dhe Kryeministria, falë reagimit energjik të Gardës të komanduar nga Dane Binaj, u zgjodh Shkolla e Bashkuar. Qëllimi ishte për të bërë gjakderdhje, që tu faturohej ushtarakëve të Enverit. Policia shkoi aty, po nuk merrej vesh çfarë bënte. Ndërkaq, Shkolla ishte rrethuar nga turma me njerëz të shthurur, të nxjerrë nga burgu. Policia rrinte sa rrinte jashtë dhe futej brenda të ngatërronte punë. Veprimi i saj ishte si të thuash një thirrje për turmën: Hajde futuni në shkollë!…
Ky ishte një skenar i parapërgatitur?
Ndoshta mund të ishte skenar i llogaritur për këto veprime të mbrapshta…
I kujt?
I Partisë së Punës. I Ramiz Alisë. Ramizi mund ta thotë më mirë këtë gjë. Ndërkaq, Ministria e Brendshme mund ta zbardhë konkretisht këtë situatë. Ajo ka përgjegjësi të madhe për këto gjëra. Sepse kur u sulmua Shkolla e Bashkuar, aty kishte shkuar zëvendësministri i Brendshëm, Hajredin Shyti, i shoqëruar me kryetarin e Partisë Demokratike të Tiranës. Sa e mora vesh, i thashë të dilte jashtë, ndryshe i komunikova se do ta asgjësoja…
Çdo të thotë do ta asgjësoje?
Që do ta asgjësoja do të thotë. Çpunë kishte ai me kryetarin e PD-së së Tiranës aty brenda?! Shfrytëzoi butësinë e Komandës së Shkollës dhe u fut si në shtëpinë e vet. Dil jashtë, – i thashë, – e komando policët, se je zëvendësministër i Brendshëm! Unë si ministër i Mbrojtjes nuk shkoja në polici për të kërkuar mbrojtje prej saj. Atëherë çfarë donte ai në Shkollë? Shkoi të shikojë çbëhej aty dhe çfarë kishte brenda? Po kryetari i PD-së çfarë kërkonte? Pushtetin e kishte Partia e Punës. Kështu e bëri edhe në Shkodër ky zëvendësministri i Brendshëm ku më parë takoi Pjetër Arbnorin, ndërkohë që nuk e përfilli fare Xhemal Dymylien, që ishte sekretar i parë i partisë së rrethit. Pikërisht kjo, por edhe arsye të tjera, më shtynin të dyshoja në veprimet e policisë.
Në atë periudhë studentët e Shkollës së Bashkuar pretendonin të hiqnin bustin e Enverit nga Akademia dhe ta vendosnin në sheshin Skënderbej…
Situata ishte më komplekse nga kaq. Kur u rrëzua busti i Enverit në sheshin Skënderbej, unë i thashë Ramiz Alisë se po të ishte në plan për tu hequr edhe ai i Shkollës së Bashkuar, të merrja masa për të shmangur vëllavrasjen. Në fakt, në Shkollë, siç kishte përkrahës të Enverit, kishte dhe simpatizantë të PD-së, që e kishin shprehur hapur qëndrimin e tyre. Mjafton një veprim i nxituar dhe plaste konfrontimi. Pastaj hajt ta qetësoje gjendjen. Po Ramiz Alia, me mënyrën se si reagoi, më la të kuptoja se ishte kundër heqjes së bustit të Enverit nga Akademia Ushtarake. Prandaj them që për këto situata Ministria e Brendshme dhe Ramiz Alia mund të kenë të dhëna të plota…
Ideja për të vendosur bustin e Enverit në shesh u bë publike nga një peticion që një grup studentësh e transmetuan nëpërmjet Televizionit Shtetëror…
Në fakt, në Televizion shkuan dy-tre studentë për të lexuar një peticion që kishte autorësinë e një komisioni të ngritur nga një grup pedagogësh e kursantësh të akademive ushtarake. Kryetar i tyre, mesa mbaj mend, ka qenë një tropojan, emri i të cilit nuk më kujtohet. Peticioni i tyre kishte dy pika kryesore. Së pari, kërkohej të organizohej një referendum popullor për tu shprehur për figurën e Enver Hoxhës. Së dyti, komisioni shprehte gatishmërinë për të hequr bustin e Enverit nga Akademia Ushtarake, për ta vendosur në sheshin Skënderbej. Pak a shumë ky ishte mesazhi i tyre në kont