E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lubonja: Prapaskenat e takimit të 6 marsit 1997

Kjo është pjesa e Apokalipsit. Atëherë kur dhuna i flet dhunës, kur njerëzit nuk kanë më besim në shtetin e tyre dhe gjuha e dialogut është ajo e armëve. Kur shqiptari vret shqiptarin, kur djeg, shkatërron. Është fund shkurti i vitit 1997, që shkrimtari Fatos Lubonja përshkruan në librin e tij të sapo hedhur në qarkullim: Nëntëdhjeteshtata Apokalipsi i rremë, botim i shtëpisë botuese Marin Barleti. Lubonja, si një nga njerëzit më aktivë të kohës, drejtues i Forumit për Demokraci, rrëfen ngjarjen nga pozitat e një dëshmitari. Shkrimtari na rikthen 14 vite pas, në Vlorë, atje ku nisi vala e zemërimit, për të vijuar si rrathë bashkëkoncentrikë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Rrënqethëse na kthehet ngjarja e 28 shkurtit, nata kur u dogj ndërtesa e SHIK-ut në Vlorë, ku mbetën të vrarë nga të dyja palët, shikas, protestues e dhjetëra të tjerë u plagosën. Kësaj gjendjeje i duhej gjetur patjetër një zgjidhje. Ditët e para të marsit vijuan me tentativa për takime e takime të dështuara mes opozitarëve dhe pushtetarëve. Lubonja na tregon prapaskenat e takimit të 6 marsit; si u përgatit ai, cilët ishin ndërmjetësit mes ish-Presidentit të asaj kohe, Sali Berisha, dhe përfaqësuesve të partive opozitare, kush shkoi në takim dhe si dolën prej andej.                                                  a.m

FATOS LUBONJA

…Atë natë të 28 shkurtit, në sheshin para Universitetit të Vlorës kishte më shumë qytetarë se kurrë, një pjesë e të cilëve nuk dukeshin nga më paqësorët. Nuk dihet se si midis asaj mase hyri lajmi se disa furgona policie po prisnin diku në terr, të ndërhynin për të nxjerrë studentët me forcë. Turma u mobilizua menjëherë, duke ngritur një mur të dendur njerëzor në anën nga mund të vinin makinat.
A kishte një plan të tillë vërtetë për atë natë, apo ajo që ndodhi ishte rezultat i nevojës së turmës për të shkarkuar më në fund një tension të akumuluar në pritje të ndeshjes përfundimtare? Ata që sulmuan nuk dinin ta ndanin këtë. Shteti e mohonte çdo plan të tillë, por askush nuk i besonte pas intolerancës që kishte treguar. Edhe nëse nuk përgatitej gjë atë natë, të gjitha shenjat ishin se Berisha synonte t’i jepte fund kësaj krize, duke përdorur forcën. Edhe ai e kishte kapërcyer kufirin e shantazhit. Shtypi pro Berishës kishte akuzuar pa reshtur ish-komunistët dhe ish-sigurimsat si organizatorët e revoltës në qytet, por, ndërkaq, në Vlorë dora-dorës që shtohej kërcënimi i ndeshjes së dhunshme, kishte fituar terren një kategori tjetër; ajo e njerëzve me prirje kriminale, që po merrnin autoritet, pikërisht sepse qenë ata më të aftët për t’iu përgjigjur dhunës me dhunë. Ishin ata që ndjeheshin më të fortët në mbretërinë e anarkisë, që kishin shfrytëzuar shtetin e dobët për të krijuar trafikun njerëzor e të drogës dhe që qenë tërbuar sepse paratë e fituara i kishin humbur në piramida.
Kështu, sapo në terrin e njërës nga rrugët që çonte për tek sheshi para Universitetit u panë dritat e një makine të panjohur, u tha se ajo kishte ardhur për të hulumtuar mënyrat e ndërhyrjes; se brenda saj kishte shikas. Njerëzit iu vërsulën. I duhej dhënë fund këtij kërcënimi. Makina nxitoi të ikte, ndoshta edhe pse andej kishte rrugën, por dritat e saj patën efektin e një kapsolle që shpërthen barutin. Në ndjekje të saj, një masë e madhe la sheshin e Universitetit dhe u drejtua për nga ndërtesa e SHIK-ut, ku thuhej se një numër i madh agjentësh të ardhur nga Tirana po punonin ethshëm për planin e nxjerrjes me dhunë të studentëve nga greva. Kur dolën në dritare, ata e panë veten të rrethuar. U pa qartë se masa e egërsuar nuk ishte aty për të protestuar si çdo ditë. Protestat nuk bëheshin natën.
Nuk u mor vesh se nga cila anë dolën të shtënat e para, nga ndërtesa e SHIK-ut apo nga jashtë. Por, sigurisht, ishte më e lehtë që plumbat të kapnin mish njeriu në turmë. Nuk vonoi dhe pas të shtënave të para, doli ulërima e vrasjes. Një plumb i shikasve kishte hedhur përdhe një protestues. Në çast u ngrit britma e sulmit për gjakmarrje. Mbi ndërtesë filluan të hidheshin granata e shishe me benzinë. Nuk vonoi dhe ajo mori flakë. Kur gjuhët e ndezura e pushtuan ndërtesën, të shtënat që vinin prej andej pushuan. Ishte e qartë që brenda saj nuk mund të rrihej më. Dikush nga rrethuesit dha sinjalin se shikasit po tentonin të iknin nga prapa. Bisha e stërmadhe lëshoi tentakulat dhe kapi menjëherë tre prej tyre, ndërkohë që të tjerët ikën nga sytë këmbët. Robërit ngritën duart dhe kërkuan mëshirë. Por, nëse mëshira mund t’i kërkohet një individi, është e pamundur t’i kërkohet një mase të egërsuar që kërkon hakmarrje. I detyruan të gjunjëzohen dhe, në këtë pozicion, i ekzekutuan me plumb pas koke. Dikush ulëriti se kaq nuk mjaftonte, duhet t’u vihej zjarri, si ndërtesës së SHIK-ut. Ishte e pabesueshme se sa shpejt u gjet benzina.
Por nuk kishte kohë për t’iu gëzuar flakëve të asaj fitoreje që po karbonizonte shikasit e vrarë dhe selinë e tyre.
“Armët, rrëmbeni armët!”.
Këto fjalë nuk tingëlluan më si nxitje, por si urdhra të kapove që i kishin marrë komandën. Duhet të përgatiteshin për luftë, pasi kundërveprimi i qeverisë nuk do të vononte. Një pjesë e njerëzve u vërsul mes territ të natës, për në kazermat ushtarake që ndodheshin në rrethinat e Vlorës. Ushtarëve atje as nuk u kaloi nëpër mend të bënin heroin për të mbrojtur depot. Automatikë kallashnikov, armë të rënda, bomba dore, pistoleta, bajoneta, një arsenal i tërë armësh vringëllonte tashmë në duart e masës që vraponte nëpër rrugët e Vlorës, nga porti tek “Sheshi i Flamurit” në pritje të armikut.
Kur panë se nuk kishin me kë të luftonin, disa qindra syresh u vërsulën për nga vila verore presidenciale, ku dikur kishte pushuar Enver Hoxha, kurse tani pushonte Berisha. Ajo ruhej nga një grusht ushtarësh. Edhe ata nuk bënë asnjë rezistencë. Filluan plaçkitjet. U shkul gjithçka mund të shkulej, deri edhe pllakat e banjave dhe dritaret. Ata që e panë se s’kishin ç’merrnin më, u sulën për nga vilat qeveritare përreth. Çdo gjë që i përkiste shtetit, atë natë po digjej, plaçkitej, me një ndjenjë ngazëllimi.
Vetëm të nesërmen, kur dehja kishte dalë, u kujtuan të numëronin të vdekurit. Burimet qeveritare dhanë lajmin se 6 agjentë të SHIK-ut ishin vrarë, katër nga të cilët qenë djegur të gjallë. Drejtori i spitalit të Vlorës tha se në repartin e urgjencës kishin mbërritur vetëm katër të vdekur dhe 20 të plagosur dhe se midis tyre vetëm njëri ishte punonjës i SHIK-ut, kurse të tjerët ishin nga ana e protestuesve.
Askush nuk mund të thoshte me siguri se sa kishin rënë mbi asfaltin e prishur të rrugëve të Vlorës të goditur nga plumbi dhe sa ishin shikasit e vrarë.
* * *
(Si u rregullua takimi me Berishën)
Rreth orës 16.30, drejtori i “Albania”, i kërkoi korrespondentit të parë të VOA-së të shkonte urgjentisht në “Rogner”, ku po e priste me Zogajn. Ky e kuptoi menjëherë se në atë histori ishte futur edhe ai. Zogaj kishte me vete edhe një mikun e tij që s’kishte shumë kohë që ishte kthyer nga jashtë shtetit për të hapur një gazetë. Ishin futur në një qoshe të hollit që nuk binte shumë në sy. Drejtori i tha Zogajt se gjithçka ishte gati, mjafton që ai të siguronte pjesëmarrjen e palës tjetër. Ora nuk ishte caktuar, por, ndërkohë që ata po pinin kafen, do të vinte njoftimi për orën. Në orën gjashtë pasdite ra celulari i drejtorit. Ishte Berisha. “Këtu në “Rogner” jam, me Zogajn”, i tha drejtori.
Nga celulari njihej zëri i Berishës, por nuk kuptohej ç’po thoshte.
“Në orën nëntë të mbrëmjes në Presidencë”, i përsëriti drejtori Zogajt.
Zogaj u kishte thënë se në takim do të shkonte ai, Ceka dhe Mejdani, por tani i kërkoi t’i thoshte, se në një rret

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›