E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kievo e Bogdanit kërkon Elis Bakajn

KIEVO- është edhe Kievo, skuadra e Serisë A italiane, mes atyre që kërkojnë të përfitojnë nga shërbimet e fantazistit të Dinamos Elis Bakaj. Lajmi bëhet i ditur në uebsajtin e specializuar italian “tuttomercatoweb”, ku thuhet se krerët e këtij klubi kanë parë disa DVD të Bakajt. Për momentin mësohet se ai është nën vëzhgim, por në ditët e ardhshme tratativa mund të marrë të tjera ngjyrime. Vetë Bakaj është shprehur i gatshëm për t’u larguar, por skuadra e vetme që është paraqitur me një ofertë serioze deri tani, ka qenë Inter Baku nga Azerbajxhani. Kievo ndërkohë duket shansi më i mirë, por duhet parë nëse ky klub do të kërkojë t’i ofrojë një kontratë apo jo. Aty luan edhe Erjon Bogdani, sulmuesi tjetër i kombëtares, që ndoshta mund të ketë qenë ndërmjetësi për klubin e Serisë A. Elis Bakaj ishte lideri i Dinamos në fazën e parë të kampionatit, duke shënuar 11 gola dhe duke zhvilluar një lojë mbresëlënëse. Ndonëse talenti nuk i ka munguar, ai duket tashmë një futbollist shumë më i kompletuar dhe në fushë ka një sjellje më profesioniste. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›