E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv.presidenti i BB takon Berishën: Mbështetje për sigurinë e digave

TIRANE- Banka Botërore do të ndihmojë në një projekt të rëndësishëm për sigurimin e digave të hidrocentraleve. Zv.presidenti i kësaj banke për Europën dhe Azinë Qëndrore , në vizitën e tij të parë në Shqipëri për të parë ecurinë e projekteve që Banka Botërore ka mbështetur, deklaroi se do të ndihmonte në tejkalimin e situatës së përmbytjeve në veri të vendit, që ai vetë e ka quajtur pasojë të ndryshimeve klimaterike. “Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë se sa të brishtë jemi ndaj ndryshimeve klimaterike. Më lejoni tju shpreh solidaritetin familjeve të prekura nga përmbytjet në veri të vendit dhe ti ofrojmë mbështetjen tonë njerëzore të prekurve nga kjo fatkeqësi. Banka po mbështet qeverinë me disa ekspertë që po ndihmojnë KESH-in për të monitoruar funksionimin e digave. Siguroj se Banka Botërore do të asistojë për të Shkodrën dhe zonën përreth nga ngjarjet që e kanë prekur ditët e fundit. Ambicia jonë është që dhe ne të jemi partnerë të vazhdueshëm për Shqipërinë.” theksoi zv.presidenti i BB. Duke folur për një ndër projektet më të debatuara, atë të zhvillimit të zonave bregdetare dhe konkretisht për prishjet në jalë, zv.presidenti i Bankës Botërore përjashtoi ekzistencën e korrupsionit brenda qeverisë dhe pranoi se gabimi ka qenë i Bankës Botërore për rastin konkret. Kryeministri Berisha renditi disa prej projekteve ku Banka Botërore do të asistojë për ti mbështetur dhe ndër më kryesorët mbetet ajo për forcimin e digave të hidrocentraleve. “Banka Botërore angazhohet të na ndihmojë sikundër na ka ndihmuar deri sot në një projekt të rëndësishëm për sigurinë e digave dhe në përpjekjen tonë ëpr të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël të prodhimit të energjisë së pastër në rajon” u shpreh kreu i qeverisë. Berisha analizoi se si Banka Botërore e ka ndihmuar Shqipërinë me mbështetjen që i ka bërë projekteve që nga viti 1991 me vlerë 1 milionë dollarë. Banka Botërore, sipas kryeministrit, do të ndihmojë Shqipërinë në mbështetjen që do ti bëjë projekteve për bujqësinë, shëndetësinë, arsimin dhe energjetikën. Zv.presidenti i BB deklaroi se pas inspektimit të bërë gjatë qëndrimit në vendin tonë , kishte arritur në konkluzionin se Shqipëria ishte një histori suksesi për bankën. Ai garantoi se Banka Botërore do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë në projekte të rëndësishme për ta bërë atë një partner të qëndrueshëm. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›