E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zannier: UNMIK-u me rol më politik

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, i tha BBC-së se raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, me të gjitha elementët e tij, po ecën drejt zbatimit dhe sipas tij, EULEX-i, pas shtrirjes në të gjithë Kosovën duhet të marrë përgjegjësitë në fushën e policisë, në bashkëpunim me policinë e Kosovës, por edhe në fusha të tjera.

Ai tha se në mungesë të një dialogu të drejtpërdrejtë mes palëve rreth zbatimit të raportit, do të ketë sërish një proces lehtësues ndërmjetësimi në nivel teknik. Shefi i UNMIK-ut tha se diskutimet për specifikat e fushave të ndryshme, duhet të zhvillohen në nivel të ekspertëve të të dyja palëve, duke marrë parasysh edhe mendimet e të gjithëve.

Zannier, i cili mori mandatin në qershor të këtij viti, ka ndërmjetësuar një marrëveshje të OKB-së me Beogradin zyrtar, e cila u përfshi në raportin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon, por që u kundërshtua nga autoritetet në Prishtinë. Këto të fundit kanë kërkuar që pas shtrirjes së misionit të EULEX-it, mandati i UNMIK-ut të pushojë. Por Lamberto Zannier thotë se për aq kohë sa të ekzistojë Rezoluta 1244 dhe për aq kohë sa Këshilli i Sigurimit të besojë se duhet të ketë prani, UNMIK-u do të vazhdojë të mbetet në Kosovë. Sipas tij, misioni i OKB-së do të vazhdojë procesin e rikonfigurimit, ndërkohë që roli i tij do të shndërrohet në një rol më tepër politik.

Ju keni thënë ditë më parë se në vitin 2008, Evropa ishte më afër Kosovës dhe Kosova më afër Evropës. Ju jeni njeri i OKB-së dhe po supozojmë se keni ende fuqi në duart tuaja. Sa e besoni se Kosova është në këtë rrugë evropiane?

Personalisht, jam i bindur, se në një afat të gjatë, në fakt ajo që do të sjellë një stabilitet në një mënyrë vendimtare në rajon, do të jetë një perspektivë e fuqishme evropiane dhe gjithashtu edhe në terren një rol dhe prani e dukshme e evropianëve. Në këtë kuptim, i referohem këtij deklarimi se Evropa duhet të afrohet këtu dhe Kosova të jetë më afër Evropës. Mendoj se kjo është rruga më e mirë për të parë në një mënyrë konstruktive dhe pozitive vizionin për zgjidhjen e disa problemeve që ende ekzistojnë në terren.

Por sa e ka ndihmuar OKB-ja, misioni i saj, Kosovën në këto nëntë vite të kaluara në rrugën drejt Evropës?

Mendoj se ajo që është bërë deri tash ka ndihmuar në krijimin e kushteve themelore për këtë ndryshim të klimës dhe të shpejtësisë. OKB-ja ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe kur shikoni përreth mund të shihni funksionimin e institucioneve, mund të shihni policinë që ka pranueshmërinë më të madhe nga popullata në rajonin e Ballkanit. Kjo është një pjesë e trashëgimisë që UNMIK-u po lë pas. Por duhet të ketë një pikë në proceset ku ka një hapësirë për aktorët e tjerë që të hyjnë dhe të lëvizin këto procese në një nivel tjetër dhe të përshpejtojnë gjërat. Kjo është ajo që po shohim sot. Po shohim aktorë të rinj në terren, po shohim një rol më të fuqishëm të BE-së, dhe unë nuk e shoh këtë si një problem për OKB-së. Në fakt, unë e shoh këtë si një sukses të OKB-së. Ne kemi bërë një numër gjërash dhe ka ardhur koha që të tjerët t‘i marrin ato dhe t‘i lëvizin tutje.

Por ka kritika se nuk keni bërë shumë gjëra të tjera?

Natyrisht. Gama e problemeve dhe e çështjeve është shumë e gjerë. Mendoj se unë dhe paraardhësit e mi me besim kemi provuar të punojmë në mënyrë konstruktive rreth këtyre gjërave dhe të ndihmojmë njerëzit në radhë të parë për t‘u përballur me çështjet. Disa nga këto çështje do të mbeten ende për një kohë dhe do të duhen kohë e përpjekje. Ajo që më duket inkurajuese është qëndrimi i qytetarëve deri tani dhe gjithashtu edhe në këtë periudhë delikate të tranzicionit. Gjatë këtij viti kemi parë shpalljen e pavarësisë, pastaj hyrjen në fuqi të Kushtetutës, debatet rreth statusit, përçarjen e Këshillit të Sigurimit dhe fatmirësisht nga fundi i vitit gjetëm mënyrën që të përmirësojmë gjendjen dhe të kemi një pikëpamje të përbashkët në nivel të KS për rrugën përpara. Më duket se të gjitha këto duhen parë në mënyrë pozitive, por kjo nuk do të thotë se të gjitha problemet janë zgjidhur.

Pajtohem plotësisht se ka një numër fushash ku puna duhet të vazhdojë. Por tani nuk i takon vetëm OKB-së që të punojë rreth këtyre çështjeve. Ka shumë palë të përfshira dhe ajo që unë mendoj se është një pikëvështrim pozitiv në gjithë këtë është se përmes këtyre ndryshimeve situata në terren ka mbetur e qëndrueshme, qytetarët kanë shfaqur një ndjenjë të përgjegjësisë në përballjen me çështjet dhe kjo është shumë pozitive.

Por në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ju thatë se keni parë një ndarje në Kosovë. A mendoni se ka pasur hapësirë që OKB-ja të bëjë më shumë gjatë këtyre nëntë viteve për të afruar shqiptarët dhe serbët ne Kosovë?

Ndoshta! Mendoj se ky ishte roli i UNMIK-ut dhe i gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Unë gjithashtu nënvizova në fjalimin tim se kam parë se edhe institucionet e Kosovës, përfshirë edhe ligjet që po i miratojnë tani, po provojnë të ndërtojnë një shoqëri shumëkombëshe. Prandaj ka vullnet për të ndërtuar ura. Por situata që ishte trashëguar nga konflikti i viteve të rënda ende ekziston. Mbase bashkësia ndërkombëtare do të mund të bënte më shumë, por nuk jemi vonë. Kemi ende shumë mundësi që të vazhdojmë të punojmë rreth kësaj çështjeje dhe të vazhdojmë të rrëzojmë mure dhe të ndërtojmë ura.

Kur thoni se ka ende shumë kohë për të ndërtuar ura. Të themi kur është koha pra për të filluar procesin e pajtimit?

Mendoj se proceset, siç është pajtimi, duhet të piqen brenda shoqërive. Është e vështirë për ta imponuar nga jashtë, por mund të krijohen kushtet për to nga jashtë. Por ka nevojë që njerëzit ta ndjejnë në një pikë se ka ardhur momenti dhe se disa probleme nuk mund të zgjidhen nëse nuk ecet drejt procesit të pajtimit. Natyrisht ne mund të vazhdojmë të punojmë në krijimin e këtyre kushteve dhe na duhet të inkurajojmë njerëzit gjithashtu që të shfrytëzojnë mundësitë që u janë ofruar që të ndërtojnë mbi to dhe të përmirësojnë situatën.

E përmendët shpalljen e pavarësisë, pastaj se viti 2008 ishte shumë i rëndësishëm për Kosovën. Por përkundër kësaj, Kosova vazhdon të jetë nën administrimin ndërkombëtar. Ku është roli juaj në këtë mes?

Roli im po ndryshon së bashku me rolin e OKB-së këtu. Rezoluta 1244 është ende në fuqi. Çështja e njohjes, e ritmit të njohjes së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare është aty. Çështja e njohjes … më duhet të them se nuk duhet të ketë ngutje në këtë proces, sepse gjërat kanë nevojë për kohë për t‘u pjekur. Tani kemi rastin e rezolutës për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ka një numër të elementeve që duhet të përfshihen në këtë pamje. Përderisa Rezoluta 1244 është ende aty duhet të ketë prani të OKB-së me një rol të caktuar të OKB-së. Por mënyra se si ky rol mund të zbatohet në terren duhet të marrë parasysh edhe zhvillimet e reja dhe faktet e reja. Dhe kjo është një gjë që do të raportohet në KS të OKB-së se ka kufizime dhe ato çdo ditë do të bëhen më të qarta. Mendoj se kjo është një pjesë e këtij tranzicioni në kuptimin e pranive dhe të rolit të bashkësisë ndërkombëtare. Kam ndjenjën se kjo është koha kur Evropa mund të çojë këto procese një hap para se sa që ka bërë OKB-ja deri tani.

Pra ju e shihni rolin tuaj më politik. Apo ndoshta parashihni mbylljen e misionit të OKB-së diku vitin e ardhshëm?

Jo, nuk do ta thosha këtë. Do të thosha se rikonfigurimi i UNMIK-ut do të vazhdojë. Misioni do të bëhet më politik, roli im do të bëhet gjithnjë e më shumë politik. Ka ende çështje praktike ku OKB-ja mund dhe duhet të vazhdojë të japë kontributin e saj. Përtej rolit politik ndoshta do të ketë disa fusha ku mund të ketë edhe funksione operacionale dhe do të ketë ende nevojë. P.sh. të ndërlidhë Kosovën me disa vende ose institucione që ende kërkojnë Rezolutën 1244 dhe rolin e UNMIK-ut që të veprojë dhe të ndihmojë bashkëpunimin në çështje shumë konkrete.

Pra, p.sh. do të vazhdoni të keni një rol të ndërmjetësuesit midis Prishtinës dhe Beogradit?

Mendoj se një pjesë e procesit që çoi drejt një roli më të fuqishëm të BE-së, është i lidhur me rolin që unë dhe OKB-ja, kemi luajtur në lehtësimin e procesit të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nuk mendoj se ka nevojë për një rol të tillë që të vazhdojë për një kohë të gjatë. Tani po kërkojmë të punojmë në terren dhe të zgjidhim disa çështje që janë ende të hapura, sigurisht me pluralitetin e aktorëve, sepse tani EULEX-i është vendosur dhe do të jenë evropianët ata që do të kenë një rol më të madh për të shikuar mundësitë e përmirësimit të funksionimit të policisë e doganave etj., por ne nuk do të zhdukemi.

Ne do të jemi këtu dhe do të vazhdojmë që të jemi pjesë dhe të mbështesim këtë proces, por gjithashtu duke marrë parasysh faktin se edhe Këshilli i Sigurimit e ka përshëndetur raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Nuk do të ketë një rol ekskluziv të ndonjë organizate, por OKB-ja do të jetë pjesë e kësaj. Sa i përket pranisë në terren në Kosovë, për aq kohë sa të ekzistojë Rezoluta 1244 dhe për aq kohë sa Këshilli i Sigurimit të besojë se duhet të ketë prani, gjithashtu edhe në aspekt të raportimit të elementit të OKB-së në terren, mendoj se kjo do të vazhdojë të mbetet.

Në fund të fundit, EULEX-i do të zbatojë përgjegjësitë në fushën e policisë dhe do ta bëjë këtë në bashkëpunim me policinë e Kosovës.

Ju përmendet raportin e sekretarit të përgjithshëm. Por ka një plan gjashtëpikësh në raport që është kundërshtuar nga Prishtina. Ka zëra që thonë se ky plan ka ndarë edhe më shumë shqiptarët dhe serbët në Kosovë?

Ky plan merr parasysh çështje që prekin edhe shqiptarët, por edhe serbët. Ai mund të shikohet nga kënde të ndryshme. Por, më lejoni të them se pas diskutimeve në Këshill të Sigurimit, nuk kemi thjeshtë gjashtë pika që ishin në letrën e sekretarit të përgjithshëm dërguar Presidentit Tadiç dhe udhëheqjes në Kosovë në qershor. Ne tani kemi një numër më të madh çështjesh përfshirë edhe katër pikat, që qeveria e Kosovës i paraqiti, përfshirë edhe rregullimet për një rol më të fuqishëm të BE-së, dhe rikonfigurimin e UNMIK-ut. Kjo paketë e çështjeve gjithashtu krijoi kushtet që ne të përshpejtojmë procesin e përshtatjes në situatën e re në terren.

Por thuhet se plani po u ofron serbëve një autonomi më të zgjeruar në fushën e policisë, drejtësisë dhe doganave?

Nuk do ta konsideroja në këtë mënyrë. Sigurisht, nga ana e serbëve të Kosovës, mbase kishte një interpretim në këtë drejtim. Por nëse i shikoni nga afër idetë që përfshihen në raport, në shumë fusha ato paraqesin parimet, p.sh. të marrim doganat, dhe aty thuhet se Kosova mbetet zonë doganore e njehsuar, se doganierët ndërkombëtarë do të vazhdojnë të jenë atje, dhe çdo gjë tjetër është objekt diskutimi. Prandaj, ajo që unë mendoj se duhet të shohim dhe do të shohim është diskutimi që, sa më shumë të jetë e mundur të përfshijë anën e Kosovës, atë të serbëve, komuniteteve, për të ardhur deri te një mendim se si të zgjidhet kjo çështje.

A do të shohim sërish ndonjë vazhdim të bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit për këtë plan gjashtëpikësh? A do t‘ju shohim sërish duke udhëtuar në Beograd për të arritur një lloj, po themi, marrëveshjeje për disa çështje?

Jo, aspak. Mendoj se e kemi parë këtë dialog, kemi parë të gjitha këto elemente në raport. Ky raport tani është themel për të ndërtuar rrugën përpara. Ne marrin parasysh të gjitha elementet e tij dhe jo vetëm elementet e përzgjedhura të tij dhe ne po ecim përpara drejt zbatimit. Por, ndërsa ecim drejt zbatimit, gjëja më e mirë do të ishte sikur të kishim një dialog të drejtpërdrejtë ndërmjet palëve, por, nëse nuk ka një të tillë atëherë do të ketë një rol lehtësues. Kjo nuk duhet të jetë në nivelin tim, por duhet të bëhet në nivel teknik. Do të ketë ekspertë të përfshirë që do të diskutojnë specifikat e fushave të ndryshme, duke marrë parasysh mendimet e të gjithëve.

Dhe kush duhet ta zbatojë këtë UNMIK-u apo EULEX-i?

Edhe në fushën e rendit dhe të ligjit, EULEX-i e ka marrë udhëheqjen. Në fund të fundit EULEX-i do të zbatojë përgjegjësitë në fushën e policisë dhe do ta bëjë këtë në bashkëpunim me policinë e Kosovës. E njëjta gjë vlen edhe për sistemin e drejtësisë e për fushat e tjera. Kjo nuk nënkupton se UNMIK-u do të zhduket, por, se ka disa organizata të tjera që në mënyrë të pashmangshme - jo për zgjedhje të qëllimshme politike, por thjesht për shkak se janë në krye të disa fushave, dhe gjithashtu edhe vendet që janë të përfshira, dhe nuk dua të përmend neutralitetin ndaj statusit, meqë jam përfaqësues i OKB-së - kanë rol primar në përcaktimin e procesit të zbatimit.

Ju vazhdimisht thoni se do të keni rol në Kosovë. A mund të ndodhë që t‘i impononi ndonjë vendim, të themi, EULEX-it ose institucioneve të Kosovës?

Nuk e shoh se si dhe pse duhet të imponoj ndonjë gjë. Mendoj se kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Bashkëpunimi ynë me EULEX-in është i shkëlqyer, më duhet të them dhe shtrirja e tij është miratuar nga Këshilli i Sigurimit dhe ka një gjuhë të përbashkët që ne mund ta përdorim kur flasim me EULEX-in. Dhe më duhet të them se përgjatë kësaj faze, e kemi parë këtë bashkëpunim në terren të jetë ngritur, që do ta cilësoja si një mënyrë të shkëlqyer. Unë shpresoj se edhe ata e ndajnë këtë qëndrim. Sa i përket qeverive në rajon, e posaçërisht asaj të Kosovës, por gjithashtu edhe autoritetet në Beograd, mendoj se kishim dialog të mirë dhe marrëdhënie të mira dhe ne mund të vazhdojmë këtë rrugë dhe do të isha shumë i kënaqur me këtë.

Më lejoni t‘ju pyes se cilat i konsideroni si sfidat më të mëdha të Kosovës në vitin 2009?

Nuk mendoj se do të ketë sfida të reja në aspektin cilësor. Por ajo që do të kërkohet, do të jetë një hap para në shumë fusha. Për Kosovën dhe për të mirën e qytetarëve, mendoj se sfida kryesore do të jetë zhvillimi ekonomik. Prandaj krijimi i kushteve që do të mundësojnë këtë, mendoj se do të jetë objektivi kryesor për qeverinë këtu dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndihmojë. Zgjidhja e shumë çështjeve, për të cilat folëm, do të jetë një tjetër sfidë. Qytetarët duhet të vazhdojnë të tregojnë dhe të zbatojnë ndjenjën e përgjegjësisë në bashkëpunim drejt gjetjes së rrugës për zgjidhje, sepse disa nga këto çështje nuk mund të zgjidhen brenda natës.

Pra, ka nevojë për një rrugë të qartë, të ndiqet ajo dhe të shfrytëzohet koha që kërkohet për ta bërë në një mënyrë që siguron të gjithë dhe i mban të gjithë të përfshirë. Mendoj se udhëheqja në këtë çështje është shumë e rëndësishme për të siguruar një qëndrueshmëri afatgjatë. Dhe pastaj është projeksioni ndërkombëtar i Kosovës dhe çështjet që ndërlidhen me statusin dhe unë shpresoj, duke qenë në këtë pozitë të vështirë të paanshmërisë ndaj statusit, se kjo çështje do të qartësohet në një mënyrë që ne të gjithë, në mënyrë më të qartë, të shprehemi rreth kësaj çështjeje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›