E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eric Hamp: Ju rrëfej arbërishten e zhdukur

Ishte Lufta e Dytë Botërore. Asokohe, djalosh i ri, pa i mbushur ende të 30-at, indoevropiani Eric Hamp, ra në kontakt fare rastësisht me gjuhën shqipe. Në një librari të Nju Jorkut, i bie në dorë një libër i Gustav Majer. Fliste për Shqipërinë. Për djaloshin Eric, gjithnjë i dhënë pas gjuhëve indoevropiane, shqipja sigurisht që përbënte një interes të veçantë. Më parë ai nuk kishte dëgjuar kurrë për Shqipërinë. Mes studimeve të shumta gjatë viteve të tëra pune, gjuha shqipe ka vendin e saj për profesor Eric Hamp. Erdhi në Shqipëri për të parën herë në vitin 1992, pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Më parë nuk e kishte njohur Shqipërinë. Shqiptarët e Shqipërisë i njohu vërtet vonë, por arbëreshët e Italisë, Greqisë si dhe shqiptarët e Maqedonisë i takoi herë pas here. Sot, në moshën 88-vjeçare, ai kthehet edhe një herë në Shqipëri. Është i ftuar në simpoziumin shkencor ndërkombëtar, i cili organizohet prej Qendrës së Studimeve Albanologjike. Profesori amerikan përfaqësohet me veprën "Studime krahasuese për shqipen", botuar në vitin 2007. Në këtë vepër, Rexhep Ismajli ka përmbledhur artikuj të ndryshëm të Hamp kushtuar shqipes.

Në studimet dialektologjike shqiptare, profesor Erik Hamp vlen si një nga njohësit më të mirë të të folmeve të ashtuquajtura të skajeve të arbëreshëve të Greqisë, të arbëreshëve të Italisë, të zonave skajore gege në Maqedoni e Mal të Zi, në tërë brezin e tij. Ai është një nga albanologët e paktë që ka vizituar për qëllime studimi të gjithë fshatrat ku flitet arbërishtja në Greqi dhe në Itali. Për Greqinë madje ai ka treguar materiale edhe për fshatra ku nuk flitet më arbërisht. Deri sot ai ka botuar disa studime, por ka akoma për të botuar. "Kam vizituar arbëreshët e Italisë, arvanitasit, shqiptarët e Maqedonisë etj. Kam folur për ta, për gjuhën e tyre, por kam ende për të botuar. Kam ende studime të cilat dua t‘i bëj të ditura", thotë me shqipen e tij të ngadaltë, por të qartë dhe të pastër profesor Hamp. Për studimet e tij, të karakterit të fonologjisë historike të shqipes, gjithnjë krahasuar me gjuhë të tjera, ka rëndësi jo vetëm se ai është mbështetur në ligjërime arkaike, siç janë ligjërimet e arbëreshëve dhe arvanitasve, por edhe se e ka kapur gjendjen e shqipfoljes, të folurit shqip në disa zona ku sot nuk flitet më shqip. "Ai është jo vetëm studiuesi i shqipes në këto popullsi që kanë mbijetuar në rajone aloglote, por edhe ka pasuruar bazën e të dhënave të gjuhësisë në përgjithësi. Ai ka arritur të prekë ato probleme të gjuhësisë shqiptare, të cilat edhe vetë gjuhëtarët shqiptarë nuk kanë arritur t‘i prekin. Ai ka shkuar në disa fshatra, duke mbledhur materiale aty", komenton studiuesi Shaban Sinani. Edhe pse në të vërtetë Hamp i ka realizuar këto kërkime për qëllimet e veta studimore, në të njëjtën kohë ka pasuruar edhe arealin dialektologjik të shqipes. Ndërkaq, kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave në Kosovë, Rexhep Ismajli, i cili e ka njohur në tërësi veprën e Eric Hamp, kushtuar gjuhës shqipe por edhe gjuhëve të tjera, thotë se Hamp nuk është studiues me një rreze drejtimi. "Hamp ka studime të jashtëzakonshme për historitë dhe krahasimin mes këtyre gjuhëve indoevropiane dhe të tjera. Është njohës i shumë gjuhëve të botës. Albanologjia ka fatin që një studiues i këtij kalibri të merret edhe me shqipen", thotë Ismajli. Ai thekson se në studimet e Eric Hamp ka mjaft studime të vlefshme për shqipen, qoftë për historinë, për etimologjinë dhe sidomos për dialektet skajore të shqipes. Ashtu si edhe studiuesi Sinani, Rexhep Ismajli vlerëson sidomos studimet e tij për arbëreshët e Greqisë e të Italisë. "Ai ka studiuar të folurën e arbëreshëve të Greqisë, një e folur që tashmë është zhdukur. Për këtë temë, profesor Hamp ka materiale të mbledhura që presin të botohen. Ai ka shënime për të folurën e disa fshatrave që kanë folur arbërisht më herët e që sot nuk flasin më", tregon Ismajli. Sipas tij, këto të dhëna, të cilat presin të botohen, janë një dëshmi e rëndësishme e gjuhës arbëreshe, që po zhduket në Greqi. Të tilla materiale kanë rëndësi të madhe dialektologjike për shtrirjen në hapësira të ndryshme. "Në Prishtinë kemi nxjerrë k vëllimin "Studime krahasuese për shqipen", që mezi arritëm ta mbledhim. Mendoj se do ishte mirë të botohen veprat e tij për shqipen dhe që lidhen me të, sepse ka teza që njihen më pak në albanologjinë shqiptare, tezat për vendin e shqipes në kuadër të gjuhës indoevropiane, në fazat më të hershme të saj, qoftë edhe para 500 vitesh, ajo që quhet parashqipe", shprehet Rexhep Ismajli.

"Ai është marrë edhe me toponimet historike të gjithë hapësirës shqiptare, në mënyrë të veçantë të Dardanisë, përfshi këtu burimin e emrit Prizren dhe Prishtinë (qytet i ngritur pranë lumit) dhe krahasimin e rrënjëve kuptimore, semantike të tyre me gjedhe të ngjashme te keltët dhe te sllavët", shton Shaban Sinani. Duke nisur që prej vitit 1950, profesor Eric Hamp vazhdimisht ka vizituar fshatra të ndryshme të Greqisë e Italisë, ku gjenden arbëreshë e arvanitas. Ai është fonetikan i klasit të parë. Hamp ka mbrojtur doktoraturën në Harvard me studimin për sistemin fonetik të arbërishtes së Vakaricës. Doktoratura e tij u botua para dhjetë vitesh në Itali dhe bën përshkrimin e plotë të një të folme për sa i përket fonologjisë. Duke qenë një studiues amerikan, ai e ka pasur të vështirë pjesëmarrjen në veprimtaritë albanologjike në Shqipëri. Më i pranishëm ka qenë në Kosovë. Profesor Eric Hamp është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Promovimi

"Ǒdo të thotë sot të jesh shqiptar"

Disa kohë pas hedhjes në treg, instituti i librit dhe i promocionit, "Toena", organizon sot, ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare, paraqitjen e librit të Piro Mishës, "Arratisja nga burgjet e historisë" (Ǒdo të thotë sot të jesh shqiptar?). Përmbledhja me ese e studiuesit dhe publicistit Piro Misha është edhe një ftesë për debat në lidhje me identitetin e shqiptarit në shekuj dhe gjendjen aktuale të zhvillimeve sociale e në mënyrë të veçantë intelektuale në botën shqiptare. Autori është ndalur gjithashtu dhe në analizimin e problematikave të mprehta të tranzicionit post-komunist në Shqipëri. Qasja historike nga njëra anë dhe ajo problematike nga ana tjetër, i japin mundësi autorit jo vetëm të shtrojë pyetje të vështira, por edhe të japë përgjigje kurajoze. Janë pyetje që shpesh hezitojmë t‘ia bëjmë vetes, por edhe përgjigje që më së shumti preferojmë t‘i shmangim. Ǒdo të thotë sot të jesh shqiptar? Si ka ndryshuar përfytyrimi që kemi për veten? Ǒefekt kanë pasur zhvillimet e ngjarjet traumatike të viteve të fundit në mitet, simbolet, kujtesat apo vlerat që lidhin së bashku një popull, i cili, pas një izolimi aq të gjatë nga bota, e ka të vështirë të krijojë një imazh për veten?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›