Kievo “përzë” Bogdanin... dhe kërkon FilipinTrajneri i Ravenës, Xhanluka Aztori, duke folur disa ditë më parë për MelitoOnline.it, e përshkruan kështu Filipin. “Është një sulmues i dytë shumë i lëvizshëm, shumë i zoti për moshën që ka. Mund të

Kievo, skuadra veroneze që ia doli të mbijetojë në Serinë A, falë edhe kontributit të sulmuesit Erjon Bogdani, është hedhur në sulm për një tjetër shqiptari, Brian Filipit. Në fakt, “Bogu” është në listën e largimit nga verdhblutë italianë (kërkohet nga Bari i porsangjitur në Serinë A), por Kievo këmbëngul në sigurimin e shërbimeve të fantazistit të Ravenës e të Kombëtares shqiptare U-21, Brian Filipi. Lezhjani ka shumë mundësi që sezonin e ardhshëm të realizoje ëndrrën e tij duke luajtur me ndonjë nga ekipet e Serisë A. Briani është në pronësi të dyfishtë, pasi kartonin e tij e zotëron në kuota të barabarta (50-50) Palermo e Serisë A dhe Ravena e Serisë C1. Filipi luajti si i huazuar te Ravena sezonin e kaluar, dhe tashmë sipas medieve italiane duhet të rikthehet te Palermo. Ravena e Palermo në vitet e fundit kanë ndërtuar një bashkëpunim në merkato, duke huazuar lojtarë njëra-tjetrës. Drejtori sportiv i Ravenës, Xhorxho Bufone e vlerësoi kontributin e Filipit. “Do ta lejojmë të kthehet me synimin që dhe ne të kemi disa alternativa. Do të isha i kënaqur që (Filipi) të shkonte te Palermo, por di që janë edhe disa skuadra të tjera të interesuara për të”. Trajneri i Ravenës, Xhanluka Aztori, duke folur disa ditë më parë për MelitoOnline.it, e përshkruan kështu Filipin. “Është një sulmues i dytë shumë i lëvizshëm, shumë i zoti për moshën që ka. Mund të luajë edhe si sulmues anësor. Është një djalosh që ka shumë për të mësuar dhe që është rritur shumë në këtë periudhë. Ka rënë në sy në të gjitha rastet që i është dhënë mundësia për të luajtur”.
E Merkure, 24 Qershor 2009