E Diel, 1 Nëntor 2026

Rapidi: “Vllaznia, aspak e lehtë për tu kaluar”Klubi austriak i vlerëson shkodranët si një klub me tradita në futboll. Ironia e “Die Presse”: “Një vit më parë u eliminua 0-8 nga Napoli”

Rapidi i Vjenës mund të jetë kundërshtari i Vllaznisë, nëse skuadra shkodrane do të eliminojë irlandezët e Sligo Rovers në turin e parë kualifikues të Ligës së Europës. Nënkampionët e Austrisë e kanë pritur jo pa shqetësim këtë fakt. “Parimisht, përballja me të dy kundërshtarët është një detyrë e vështirë”, - citohet drejtori sportiv i Rapidit, Alfred Hërtnagl, nga faqja austriake nachrichten.at. “Të dyja skuadrat kanë lojtarë të mirë, ku te Sligo Rovers ka shumë legjionarë nga Britania e Madhe e ky ekip nuk duhet të nënvlerësohet aspak. Nga ana tjetër, edhe ndaj një klubi me tradita e nëntë herë kampion i Shqipërisë, si Vllaznia, nuk do të jetë për të kaluar më tej”. Gazeta e madhe austriake “Die Presse” i ka shoqëruar deklarimet e Hërtnaglit edhe me një skedë informative të Vllaznisë: “U kualifikua si nënkampione (64 pikë) pas Tiranës (68). Vetëm në javën e fundite humbi titullin me Tiranën (1-2), në titullin e shtatë të kësaj të fundit nga viti 2001”. Gjithsesi, edhe ndonjë pasaktësi e vogël. “Ylli i ekipit të trajnerit Dervish ‘Deda’ Hadziosmanovic ishte Xhevahir Sukaj, i cili u huazua gjatë dimrit dhe deri në përfundim të sezonit shënoi 14 gola (në fakt 10, ishte Sinani ai që realizoi 14 gola)”, - shkruan “Die Presse”. Gazeta bën edhe ironi: “Një vit më parë Vllaznia u eliminua në turin e dytë kualifikues të Kupës UEFA me rezultatin e përgjithshëm 0-8 nga Napoli”. Vllaznia e Dinamo, dy skuadrat shqiptare që marrin pjesë në turin e parë eliminator në Ligën e Europës, do të përballen me dy klube të Europës veriore, përkatësisht Sligo Rovers të Irlandës dhe FC Lahti të Finlandës. Flamurtari, fituesi i Kupës së Shqipërisë, nga ana e tij në turin e dytë kualifikues po të Ligës së Europës, do të përballet me fituesin e çiftit me numër 17 në turin e parë kualifikues Motheruell (Skoci)/Llanelli (Uells). Ku ishte verdikit i shortit inaugurues të kompeticionit më të ri ndërkombëtar të UEFA-s, të zhvilluar në Nion të Zvicrës, e të udhëhequr nga vetë presidenti i qeverisë së futbollit evropian, francezi Mishel Platini. Shorti i turit të tretë kualifikues do të hidhet, më 17 korrik (13:30). Finalja e Ligës së Europës do të luhet në stadiumin “Arena Hamburg” në Hamburg të Gjermanisë, më 12 maj 2010.

SHQIPTARET NË EUROPË

Liga e Kampioneve
Turi i dytë eliminator

Tirana-Stabek

Liga e Europës
Turi i parë eliminator
Sligo Rovers- Vllaznia
Lahti-Dinamo

Turi i dytë eliminator
Flamurtari-Moteruoll/Lanel

NDESHJET E FUNDIT

2008-2009, Kupa UEFA

Turi I:
Koper-Vllaznia    1-2    0-0

Turi II:
Vllaznia-Napoli    0-3    0-5

E Merkure, 24 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›