Kili tronditet nga tërmeti, Paqësori në alarm nga cunami
Blerina Olldashi
Një tërmet i fuqishëm prej 8.8 ballësh tronditi ditën e djeshme Kilin, duke lënë të vdekur rreth 82 persona dhe duke vënë alarmin për një cunami në gjithë pellgun e Pacifikut. Presidentja e Kilit, Mishel Bakelet u shpreh se pritej që numri i viktimave të rritej nga momenti në moment. “Po marrim masat e domosdoshme në koordinim me kohën”, tha ajo për reporterët. Zyrtarët nuk dhanë asnjë informacion mbi numrin e të plagosurve. As një informacion i saktë për dëmtimet nuk është bërë i mundur edhe pse ka pasur informacione se shumë ndëërtesa janë rrëzuar dhe qindra njerëz kanë dalë në rrugë. Në kryeqytetin Santiago është ndërprerë energjia elektrike duke përfshirë këtu edhe shërbimet bazë: ujë dhe linja telefonike. Banorë të kryeqytetit, Santiago, mbi 300 km larg nga epiqendra thanë se ishin tronditjet i kishin zgjuar nga gjumi. Bakelet tha spitalet rajonale kishin pësuar dëmtime, një pjesë e personelit të tyre për pasojë ishte evakuuar. Ura më e madhe që lidh veriun me jugun e Kilit është bërë e pakalueshme dhe aeroporti Santiago u mbyll për të paktën 24 orët e ardhshme.
Rreziku
Shërbimi gjeologjik amerikan tha se epiqendra e tërmetit ishte në thellësi rreth 35 kilometra nën sipërfaqen e tokës. Tronditjet e tërmetit në det shkaktuan një cunami me dallgë deri në 1,30 metra të larta. Paralajmërimet për cunami janë dhënë në gjithë zonën. Presidentja e Kilit, Mishel Bakelet, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Tërmeti, që ra në orën 6:30 sipas kohës euopiano-qëndrore u ndje edhe në Peru dhe Argjentinë. Për Kilin, Perunë, Australinë dhe Havain u lëshuan paralajmërime për cunami. Në ishujt që i përkasin Kilit, 660 kilometra larg kontinentit, një dallgë shumë e madhe mori me vete pjesë toke. Epiqendra e tërmetit të shkallës 8.8 ballë dhe gati një minutë të gjatë ndodhej 90 km në juglindje të qytetit të dytë për nga madhësia të Kilit, qytetit Koncepsion. Si këtu, ashtu edhe në kryeqytetin e vendit Santiago njerëzit dolën të frikësuar nëpër rrugë dhe për orë të tëra nuk guxonin të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre. Qendra e Paralajmërimit të Cunamit në Paqësor ka parashikuar kohën e arritjes së cunamit që parashikohet të përfshijë zonën nga Havai deri në Rusi.
Dëmet
Pas tërmetit kryesor u regjistruan edhe tërmete të tjera pasuese, që ishin më të vogla me deri në 6,2 ballë. Dëmtuar janë kryesisht ndërtesat e vjetra, rrugët dhe urat. Në shumë qytete ndërtesa të tëra u rrëzuan krejtësisht. Në gjithë vendin janë ndërprerë rryma elektrike dhe lidhjet telefonike. Marina filloi me evakuimin e pjesën lindore të ishullit, që ndodhet 300 km larg kontinentit. Në vitin 1960 një tërmet i rëndë shkatërroi qytetin Valdivia, në jug të vendit. 1655 vetë humbën jetën dhe dy milionë mbetën pa strehë. Në Koncepsion, qyteti i dytë më i madh në Kili, janë shkatërruar një numër ndërtesash. Aktualisht lidhjet telefonike nuk funksionojnë, çfarë e bën të vështirë llogaritjen e dëmeve.
Ndihma
Bashkimi Europian ka deklaruar se është i gatshëm të ofrojë ndihmë të menjëhershme për viktimat e tërmetit në Kili. “Bashkimi Europian është gati të ofrojë ndihmë për popullin e Kilit”, tha shefja e diplomacisë europiane Kethrin Eshton. Eurokomisionerja për çështjet humanitare, Kristalina Geogorieva, tha se njësia e mbikëqyrjes së krizës po funksionon, derisa në gjendje gatishmërie janë dhe ekspertët e ndihmave humanitare.
1 Mars 2010