E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet programi i bashkëpunimit kulturor midis Kroacisë dhe Shqipërisë



Programi i bashkëpunimit kulturor midis Kroacisë dhe Shqipërisë përmban një sërë evenimentesh që kanë të bëjë me pikturën, muzikën, folklorin dhe gjinitë e tjera të arteve. Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe ajo kroate kanë firmosur dje një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin e ekspertëve në të gjitha fushat e kulturës dhe artit për vitet 2010, 2011 dhe 2012, si dhe për pjesëmarrjen e ndërsjellë në festivalet artistike, takimet ndërkombëtare dhe aktivitetet e tjera. Kjo Marrëveshje ka për qëllim të inkurajojë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë midis galerive, muzeumeve dhe do mbështetjen për organizimin e ekspozitave të artit. Marrëveshja e firmosur mes ministrit Ferdinand Xhaferaj dhe homologut të tij kroat, Bozo Biskupic, parashikon një sërë evenimentesh që kanë të bëjë me pikturën, muzikën, folklorin dhe gjinitë e tjera të arteve. Gjatë marrëveshjes diskutuan për mbështetjen dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë dhe reciprok midis institucioneve dhe shoqatave në fushën e kulturës, artit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, për shkëmbimin e ekspertëve në të gjitha fushat e kulturës dhe artit si dhe inkurajimin për pjesëmarrjen e ndërsjellë në festivalet artistike, takimet ndërkombëtare dhe aktivitetet e tjera etj. Gjatë kohës së vlefshmërisë së këtij programi tre vjeçar, palët do të shkëmbejnë disa ekspozita të ndryshme gjatë këtyre viteve dhe do të inkurajojnë pjesëmarrjen e artistëve të palës tjetër në ekspozitat ndërkombëtare respektove të artit në vendet e tyre. Ekspozita shqiptare në Kroaci; ekspozitë pikture me peizazhe nga Shqipëria nga artistë shqiptarë, ekspozitë fotografike “Shqipëria turistike”. Ndërsa ekspozita kroate në Shqipëri do të jenë; ekspozitë e dizajnit kroat 0708, ekspozitë e artikujve bashkëkohorë të argjendarisë, ekspozitë e një artisti kroat. Gjithashtu përveç ekspozitave pala shqiptare ka propozuar edhe pjesëmarrjen e artistëve kroatë në evenimentet e mëposhtme: Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor”, anëtare e CIOFF, çdo vit në Qershor, Përmet. Festivali Folklorik Ndërkombëtar “ALB- Mediterraneo”, çdo vit në muajin gusht, në Vlorë. Festivali Folklorik “Oda Dibrane” çdo vit në muajin tetor, në Peshkopi. Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “ Albamono 08”. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Mesdhetar “ Butrinti 2000”, në teatrin antik të Butrintit, sit arkeologjik nën mbrojtjen e UNESCO-s, në Sarandë. Festivali i Teatrit Kontemporan “Skampa”, Elbasan. Festivali i baletit “Albania Dance Meeting 2010”. Festivali Evropian i Koreve. Konkurs pikture “Deti dhe Arkeologjia”. Palët do të promovojnë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të institucioneve muzikore, koncertore dhe teatrore, duke përfshirë shkëmbimin performancave të ansambleve dhe artistëve të ftuar. Ndërkohë pala shqiptare i ka propozuar palës kroate evenimentet e mëposhtme për pjesëmarrje të mundshme në Shqipëri: Ditët e Artit muzikor “Shqipëri – Kroaci”, Festivali “Vera e Adriatikut”, Festivali i V-të Ndërkombëtar i të Rinjve “Maratona rinore”, Festivali Ndërkombëtar i Aktrimit ‘Apollon 2010”. Pala kroate do të informojë palën shqiptare mbi mundësitë e pjesëmarrjes së artistëve shqiptarë të ftuar nga organizatorët e evenimenteve kulturore ndërkombëtare në Kroaci: Festivali i Dancit Kontemporan, në Zagreb, Festivali i Dancit dhe Teatrit të Pantomimës Svetvincenat, në Svenvincenat, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, në Zagreb, EUROKAZ, Zagreb, Festivali Teatror i Skenës së Vogël të Rijekës, në Rijekë, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit – PUF, Pulja, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Kukullave – PIF Zagreb, Festivali i Fëmijëve në Sibenik, Sibenik, Qëndra Kulturore Ndërkombëtar e Muzikantëve të Rinj Kroatë në Groznjan, në Zagreb, Bienalja e Muzikës Zagreb, në Zagreb, Festivali Veror i Dubrovnikut, në Dubrovnik.

1 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›