Rrëzimi i pemës në Bruklin i merr jetën emigrantit shqiptar në Amerikë
Nju Jork – Prej 10 vitesh, Elmaz Qyra ndodhej me familjen e tij në Nju Jork, ku kishte thurur shumë ëndrra për të ardhmen. Një emigrant shqiptar, që kishte shkuar në SHBA në kërkim të një jete më të mirë, gjeti vdekjen të enjten si pasojë e rënies së një peme në Parkun Qendror të Bruklinit. Reshjet e shumta të borës bënë që shumë pemë të rrëzoheshin në këtë park dhe njëra prej tyre i mori jetën emigrantit 46-vjeçar shqiptar.
Aksidenti
“Më mungon babai im. Më janë tharë lotët dhe im atë nuk më linte asnjëherë që të qaja”. Këto kanë qenë fjalët e vajzës 18-vjeçare të viktimës, Erisa Qyra. Për mediat amerikanë ajo ka deklaruar se ai ishte personi më i dashur në këtë botë dhe se nuk meritonte një fund të tillë.
Si çdo ditë, Elmaz Qyra përshkoi Parkun Qendror të Bruklinit, pasi aty pranë kishte dhe punën. Ai punonte si ndihmëskamerier në “New York Athletic Club”, që ndodhej në jug të këtij parku dhe e përshkonte këtë rrugë çdo ditë. Të enjten, një degë peme u shkëput dhe i ra mbi kokë 46-vjeçarit duke i marrë atij jetën.
“Ne rrinim gjithmonë pas pune dhe pinim kafe bashkë” – deklaroi një mik i tij, Arjan Kadiu. “Ai e donte Nju Jorkun dhe kishte vendosur të ngrinte të ardhmen e tij në këtë vend. Ai ishte një njeri shumë i mirë dhe shumë punëtor. Ishte tipi i personit që kalonte shumë kohë më familjen e tij”.
Djali i vogël i viktimës, 14-vjeçari Kleo, është shumë i tronditur për atë çfarë ka ndodhur. Ai kujton momentet kur së bashku me familjen kanë qenë për një udhëtimi në liqenin George verën e kaluar. “Unë me babin kaluam shumë kohë bashkë duke peshkuar dhe duke bërë xhiro me varka. Dua të them vetëm që: Babi, të dua shumë”. Këto kanë qenë fjalët e djalit të vogël të Elmaz Qyrës, i cili me lot në sy kujtonte çastet kur kishte qenë bashkë me të atin.
Nga ana tjetër, fqinjët e familjes Qyra ende nuk arrijnë ta besojnë se si Elmazi humbi jetën nga një aksident i tillë. “U ndjeva shumë keq dje kur dëgjova lajmin. Ai ishte një djalë shumë i mirë”, – shprehet Laudrim Qoku, njëri prej fqinjëve të shumtë të viktimës, të cilët ishin mbledhur te shtëpia e tij ditën e djeshme.
Stuhitë e ashpra të së enjtes rrëzuan 26 pemë në këtë park, gjë kjo që i detyroi autoritetet vendore të mbyllnin një pjesë të rrugës së këtij parku për të evituar aksidente si ai që i mori jetën emigrantit shqiptar Elmaz Qyra.
1 Mars 2010