Transferimet e studimeve, UT rihap aplikimet për vendet bosh
Jonida Tashi - Universiteti i Tiranës rihap aplikimet për transferimin e studimeve. Bëhet fjalë për vendet e mbetura bosh nga faza e parë e përzgjedhjes së studentëve që aplikuan për të transferuar studimet në këtë Universitet. Burime zyrtare nga Drejtoria e Kurrikulës dhe Standardeve në Universitetin e Tiranës bëjnë të ditur se aplikimet do të hapen për plotësimin e vendeve të paplotësuar, të vëna në dispozicion për transferimin e studimeve gjatë vitit akademik 2009-2010. Në total, kuotat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit, për transferim studimesh nga universitetet e tjera për në Universitetin e Tiranës, në degë të të njëjtit profil, për këtë vit akademik ishte 300 pranime. Kjo kuotë, nuk u përmbush gjatë përzgjedhjes së parë të kandidatëve aplikues, për rrjedhojë në disa degë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës rezultojnë ende vende të lira për transferim studimesh.
Vendet bosh
Lidhur me vendet bosh, Universiteti i Tiranës i ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Arsimit, për plotësimin e tyre me studentë të tjerë, që kanë dëshirë të vijojnë pjesën e mbetur të studimeve në këtë institucion të arsimit të lartë. Pas shqyrtimit të kërkesës së bërë nga drejtuesit e Universitetit të Tiranës, për rialokimin e vendeve të mbetura bosh për transferim studimesh, Ministria e Arsimit i është përgjigjur pozitivisht, duke dërguar në Universitet shkresën përkatëse, që i hap rrugë nisjes së aplikimeve të reja. Ndonëse nuk është detajuar ende shifra totale se sa kuota kanë rezultuar të paplotësuara për transferimin e studimeve në fakultetet përkatëse të Universitetit të Tiranës, sipas llogaritjeve paraprake, bëhet fjalë për më pak se 100 vende. Pasi nga 300 pranime që ishte në total kuota e pranimit për transferim studimesh, në muajin nëntor të vitit të kaluar, Universiteti i Tiranës publikoi emrat e 187 studentëve, të kishin fituar të drejtën për të transferuar studimet në të gjitha fakultetet e këtij Universiteti, me përjashtim të Mjekësisë. Ndërkaq, varësisht nga kërkesat e studentëve mund të bëhet edhe një rishpërndarje e kuotave për transferim studimesh.
Transferimi
Vendimin për pranimin e studentëve të propozuar për transferim, e merr rektorati i çdo universiteti, pasi ka marrë mendimin e dekanatit përkatës, si dhe duke pasur parasysh mundësitë e kapacitetin e degës. Vendimi shoqërohet me të dhëna të hollësishme për studentin: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer. Për studentët që duan të transferohen në Universitetin e Tiranës, Komisioni i Ekuivalentimit, i ngritur pranë çdo Departamenti, mbi bazën e dokumentacionit që ka dërguar universiteti përkatës, ka përcaktuar detyrimet që do të ketë studenti, sipas planit mësimor në fuqi si dhe njohjen e shlyerjes së lëndëve me ekuivalencë. Përveç përcaktimit të detyrimeve që duhet të shlyej studenti, vendimi i transferimit shoqërohet edhe me disa të dhëna të hollësishme si: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer. Përsa i përket tarifës së shkollimit, studentët që do të transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, do t’i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.
1 Mars 2010