Minatorët sërish në protestë para Kryeministrisë të enjten
Minatorët nuk do të heqin dorë nga protestat deri sa qeveria të plotësojë kërkesat e tyre më imediate. Kështu, ditën e enjte të javës që vjen, punonjësit e nëntokës do t’i rikthehen sërish protestave kundër qeverisë. Kërkesat e tyre vazhdojnë të mbeten të njëjta, si përcaktimi i Statusit së Minatorit, anulimi i çmimit të ujit dhe të energjisë si dhe hartimi i politikave sociale në mbështetje të kësaj kategorie. “Do të jemi ditën e enjte në orën 11:00 përsëri përpara Kryeministrisë. Këtë herë nuk do të ketë largim. Veprimi do të jetë i alternuar, ndoshta edhe me sulme për të hyrë brenda, ndoshta edhe vetëm me qëndrim para Kryeministrisë, si ta diktojë situata. Këtë radhë kërkojmë jo vetëm mirëkuptimin, por dhe prezencën e të gjithë qytetarëve”,- deklaroi dje kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri. Për protestën e radhës, Sindikata e Minatorëve u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj proteste, pasi disa nga kërkesat e paraqitura prekin të gjithë shoqërinë shqiptare. “Shpresojmë që këtë radhë përveç minatorëve do të këtë pjesëmarrje edhe nga qytetarë të tjerë. Ashtu siç e kemi theksuar pjesë e kërkesave tona është dhe anulimi i rritjes së energjisë, paga dhe pensioni i trembëdhjetë, shpallja zyrtarisht e minimumit jetik dhe disa kërkesa të tjera të cilat pa diskutim i takojnë të gjithë qytetarëve pavarësisht se çfarë kategorie sociale përfaqësojnë. Urojmë që këtë radhë qytetaria të jetë më koshiente, për të drejtat e tyre dhe për luftën që duhet zhvilluar për t’i fituar ato të drejta”,- pohoi publikisht Xibri. Vetëm një javë më parë sindikalistët organizuan një protestë përballë Kryeministrisë për kërkesat e tyre, të cilat ende nuk po gjejnë zgjidhje nga ekzekutivi. Minatorët i rinisën protestat e tyre në datën 20 shkurt, ku dhe u konfliktuan me policinë. Ata shprehen të vendosur se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.
1 Mars 2010