E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina, India, Pakistani, partnerët e rinj të NATO-s

Kreu i
NATO-s kërkoi që Aleanca të jetë hallka përfshirëse e shumë lojtarëve
ndërkombëtare në fushën e sigurisë. Nuk ka asgjë të keqe nëse Kina, India,
Pakistani dhe vende të tjera, zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta me NATO-n,
tha Rasmusen

Bruksel, 7 Shkurt - Sekretari i Përgjithshëm i
NATO-s bëri thirrje që Aleanca të shtojë kontaktet lidhur me çështjet e
sigurisë globale me vende si Kina, India, Pakistani.

Rasmusen tha se NATO-ja nuk mund ti përmbushë detyrat pa u përfshirë në dialog
aktiv e sistematik me lojtarë të tjerë të rëndësishëm të skenës
ndërkombëtare. 

Dua të nënvizoj tri pika. Së pari, në kohën e pasigurisë globale mbrojtja
territoriale duhet të fillojë përtej kufijve tanë. Së dyti, suksesi ynë në
ruajtjen e sigurisë së përbashkët, përfshirë edhe NATO-n, gjithmonë e më shumë
varet nga shkalla e bashkëpunimit tonë me të tjerët. Së treti, NATO-ja duhet të
kthehet në një forum global për këshillime mbi çështjet e sigurisë, tha
Rasmusen.

Kërcënimet ndaj Evropës dhe Amerikës së Veriut vijnë nga pjesë të ndryshme të
botës. E vetmja mënyrë që NATO-ja ti adresojë këto kërcënime si duhet, është
përmes krijimit të një koalicioni më të gjerë e më përfshirës.

Nuk ka asgjë të keqe nëse Kina, India, Pakistani dhe vende të tjera zhvillojnë
marrëdhënie më të ngushta me NATO-n. Kjo vetëm do të sjellë përfitime, sa i
përket besimit reciprok dhe bashkëpunimit, theksoi Rasmusen i cituar nga
radio Evropa e Lirë.

Kreu i NATO-s shtoi se Aleanca ka qenë në gjendje të përballet me kryengritësit
në Afganistan, vetëm në bashkëpunim me lojtarë të tjerë si Kina, India e Rusia,
që kanë interesa në rajon. 

India ka rol në stabilitetin e Afganistanit. Kina gjithashtu. Të dyja këto
vende mund të ndihmojnë edhe më shumë për zhvillimin dhe rindërtimin e
Afganistanit. E njëjta gjë vlen dhe për Rusinë.

Nëse Afganistani dhe njëherë kthehet në zonë të sigurt për terroristët, ata
mund të përhapen lehtësisht në Azinë qendrore dhe në Rusi. E, nëse shtojmë këtu
dhe trafikun e drogës, që përbën një problem madhor për Rusinë, situata merr
një tjetër rëndësi, u shpreh shefi i NATO-s. 

Megjithatë, ai theksoi se ende pjesë të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare,
të përfshira në proceset e paqes nuk aftësohen së bashku, nuk planifikojnë së
bashku. 

Ti jepet fund këtij fragmentimi, do të kërkojë një revolucion të vërtetë në
kulturat e punës,theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Aleanca, aktualisht, po diskuton konceptin e ri strategjik, i cili do të merret
në shqyrtim në takimin e Portugalisë nëntorin e ardhshëm.

Megjithatë, Rasmusen theksoi se detyra kryesore e NATO-s mbetet mbrojtja e
vendeve anëtare. Ai shtoi se kemi planet e duhura, strategjitë dhe
solidaritetin për të mbrojtur shtetet anëtare.

Anders Fog Rasmusen i bëri këto komente gjatë Konferencës ndërkombëtare të
sigurisë në Mynih.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›