Parlamenti Europian rrëzon marrëveshjen me SHBA-në
Parlamenti Europian nuk ka miratuar marrëveshjen mes BE dhe SHBA-së mbi shkëmbimin e të dhënave bankare për çdo qytetar të saj në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Më shumë se 378 eurodeputetët ishin kundër miratimit të kësaj marrëveshjeje, 196 pro dhe 31 abstenime duke penguar kështu hyrjen në fuqi të marrëveshjes “Swift”. Deputetët e PE kërkuan arritjen e një marrëveshjeje të re që respektonte Traktatin e Lisbonës dhe Kartën Themelore të të Drejtave të Njeriut. Nëse do të miratohej SHBA-ja do të kishte mundësinë e kontrollit të të dhënave të llogarive bankare që administrohen prej shërbimit të financave SWIFT. Marrëveshja, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, do të shfuqizohet. Mbrojtësit e të dhënave kishin paralajmëruar se me marrëveshjen për SWIFT-in mund të vihej në shënjestër të hetuesve të SHBA-së çdo qytetar i BE-së. “Opinioni i mazhorancës së Parlamentit ishte se kjo marrëveshje nuk ofronte ekuilibrin e duhur mes sigurisë nga njëra anë dhe mbrojtjes së lirisë qytetare dhe të drejtave themelore nga ana tjetër. Këto janë argumente të ndjeshme e të vështira, jo të gjithë mund të kënaqen me rezultatin”, deklaroi presidenti i Asamblesë, Jerzy Buzek.
#