E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregu i këmbimit, stabilizohet euro

Monedha e përbashkët, euro ka stabilizuar vlerat në tregun e lirë të këmbimit pas një rënieje me rreth 4 pikë një javë më parë. Të dhënat që vijnë nga Banka e Shqipërisë dhe nga agjencitë e këmbimit të monedhave tregojnë se pas një zhvlerësimi të ndjeshëm, monedha europiane ka rifituar vlerat që humbi. Në fillim të muajit dhjetor që ishte dhe fundjavë, Banka e Shqipërisë me kursin mesatar vlerësonte një euro me 139 lekë e 24 qindarka. Këtu nisi dhe vala e panikut, pasi euro brenda 24 orëve humbi vlerë me 1 lek, duke u vlerësuar me 138 lekë e 25 qindarka. Zhvillimet e pritshme në Europë bënë që tregu i këmbimit gjatë së shtunës dhe së dielës të përfshihen nga paniku, çka bëri që e hëna të regjistronte dhe një ndër vlerat më të ulëta të euros. Banka Qendrore, në kursin zyrtar që është dhe baza e punës për agjencitë e këmbimit, e vlerësoi monedhën e përbashkët me 136 lekë e 31 qindarka, rreth 3 lekë me rënie në vetëm dy ditë. Në agjencitë e këmbimit shpjeguan se ishin kryesisht qytetarët dhe subjektet që kishin në zotërim shuma modeste të eurove, të cilët u përfshinë nga kjo valë paniku dhe këmbyen monedhat që kishin. Gjithsesi, ende pa u mbushur java nga fillimi i këtij fenomeni, monedha e përbashkët nisi të fitojë vendet e humbura. Pas së hënës, vlera arriti në mbi 137 lekë dhe gjatë gjithë javës pati vetëm trend vlerësues ndaj lekut. Të premten dhe të shtunën u regjistrua dhe vlera më e lartë e javës, që është pothuajse e njëjtë me atë të muajve të fundit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›