E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina e gatshme të japë kredi të buta për Shqipërinë

Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës Wen Jiabao deklaron se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës kanë hyrë në një fazë të re bashkëpunimi të ngushtë.


Kryeministri Berisha i shprehu Kryeministrit Wen Jiabao falënderimet për pritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore, si dhe për ftesën në Forumin Ekonomik të BOAO-s, një nga forumet ekonomike më të rëndësishme në botë.


Dy kryeministrat në takimin e tyre diskutuan për zgjerimin dhe intensifikimin e gjithanshëm të bashkëpunimit dypalësh si dhe nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tradicionale mes dy vendeve. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij që Kryeministri Wen Jiabao ka pranuar të vizitojë së shpejti Shqipërinë.


Në diskutimet që patën, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Jiabao u ndalën gjerësisht në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë.


Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të krijojë çdo lehtësi për bizneset kineze që ato të investojnë në Shqipëri. Kryeministri shprehu kënaqësinë që gjatë vizitës në Parkun e Teknologjisë së lartë të Shenzhenit, një ndër më të mëdhenjtë në botë, pati takime me drejtuesit e dy nga korporatat më të mëdha të këtij parku, ZTE dhe Huawey, të cilat tashmë operojnë me sukses në Shqipëri dhe kanë vendosur ta bëjnë Shqipërinë qendrën rajonale të bizneseve të tyre.


Kryeministri Berisha i kërkoi Kryeministrit Wen Jiabao mbështetjen e qeverisë së tij për të inkurajuar bizneset kineze që të investojnë në Shqipëri. Shqipëria, - tha Kryeministri Berisha - është një vend i sigurt, anëtare e NATO-s,  çka e bën një vend shumë të sigurt për investitorët kineze.


“Shqipëria, - tha Kryeministri - është një vend i vogë

;l, por që ka potenciale shumë të mëdha. Vetëm në dhjetor-janar 2008-2009, ne kemi nënshkruar 3.5 miliard Euro kontrata për energjinë. Shqipëria ka potenciale të mëdha ujore, më shume se 400 HEC janë për t’u ndërtuar. Shqipëria ka potenciale të mëdha minerare në krom, bakër, nikel etj., si dhe potencial të madh investimesh në infrastrukturë, sepse qeveria po ndërton një infrastrukturë tërësisht të re.”


Kryeministri theksoi se mes dy vendeve ka potenciale për të thelluar bashkëpunimin edhe në fusha të tjera si bujqësia, shëndetësia, arsimi, etj., si dhe shprehu gatishmërinë e tij për të inkurajuar zgjerimin e marrëdhënieve kulturore midis dy popujve tanë miq. Nënshkrimi i marrëveshjeve në fushën kulturore dhe atë të shëndetësisë, vlerësoi Kryeministri Berisha, është një hap i rëndësishëm për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve.


Nga ana e tij, Kryeministri Wen Jiabao vlerësoi marrëdhëniet miqësore tradicionale midis Shqipërisë dhe Kinës, duke e cilësuar vizitën e Kryeministrit Berisha si shumë të rëndësishme. Kjo vizitë, - u shpreh Kryeministri kinez - hap një faze të re të bashkëpunimit midis vendeve tona dhe se Kina i vlerëson si shumë të rëndësishme marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Kjo vërtetohet edhe nga kontaktet e shpeshta të niveleve më të larta, ku veçohen tre takime të kryeministrave brenda 9 muajve.


Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës vlerësoi se marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona janë shumë të mira dhe ato mbështesin njëri-tjetrin në planin shumëpalësh ndërkombëtar. Kina mbetet e vendosur të zhvillojë dhe intensifikojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Shqipërinë. Kryeministri Jiabao theksoi gjithashtu se qeveria kineze është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik dhe financiar për të përballuar efektet e krizës ekonomike botërore.


Në këtë kuadër, Kryeministri Wen Jiabao theksoi vullnetin e madh të qeverisë së tij për përshpejtimin e programeve për të mbështetur projekte të ndërtimit të infrastrukturës, të teknologjisë së lartë, teknologjisë së informacionit, industrisë minerare, energjetikës e në veçanti zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e  bujqësisë. Qeveria kineze është e gatshme t’i japë Shqipërisë kredi të buta për të realizuar këto projekte.


Kryeministri kinez u shpreh se një delegacion ekspertësh nga Kina do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë për të diskutuar mbi projektet në fushën e bujqësisë dhe brenda vitit do të mblidhet në Pekin, komisioni i përbashkët i punës. Gjithashtu, Kina do të shqyrtojë  kredi të buta për projektet e modernizimit të doganave, në fushën e shëndetësisë, arsimit etj., si dhe do t’i akordojë Shqipërisë një grant prej 10 milion Yuen.


Të dyja palët u shprehën se Kina dhe Shqipëria ndajnë interesa dhe pikëpamje të njëjta në planin ndërkombëtar.


Kryeministri Berisha pasi rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë për një Kinë të vetme dhe vlerësoi Kinën si një faktor paqeje dhe stabiliteti në botë, u shpreh se pavarësia e Kosovës i shërben forcimit të paqes dhe sigurisë në Ballkan.


Të dy kryeministrat u shprehën se forcimi i marrëdhënieve kulturore është shumë i rëndësishëm. Në këtë kontekst, të dy palët ranë dakord të organizojnë veprimtari kulturore për të kremtuar 60 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›