E Shtunë, 31 Tetor 2026

Standardet e dyshimta të opozitës për korrupsionin

Nga Mero Baze

Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese kaloi dje në mënyrë të paligjshme draftin e projektligjit që i dhuron për 7,2 milionë euro, një grupi biznesmenësh shqiptarë, licencën e katërt të telefonisë celulare në Shqipëri. Opozita mungoi në komision, ashtu siç po mungon, përveç ndonjë zëri të veçuar, dhe në debatin publik për këtë skandal. Katër vjet më parë, në të njëjtën kohë, qeveria e kryeministrit Fatos Nano, pas tenderit shumë herë më të rregullt se tenderi i dështuar i telefonisë celulare, çoi në parlament projektligjin për shitjen e Albtelekomit tek kompania turke Calik. Sali Berisha ngriti Shqipërinë në këmbë, duke bërë akuza dhe stërakuza, dhe arriti t’i imponojë bllokimin e procesit me arsyetimin moralist se gjashtë muajt e fundit asnjë qeveri nuk mund të shesë pasuritë kombëtare. Sa erdhi në pushtet, gjeti rrugët e kontaktit me pronarët e rinj të Telekomit, punësoi aty djalin e vet si drejtor juridik dhe ua dha Telekomin. Tashmë historia po përsëritet në anën e qeverisë, por jo në anën e opozitës.

Debati publik rreth licencës së katërt të operatorit celular në vend, po skanon në një farë mënyre gjithë mundësitë e të bërit biznes në Shqipëri. Një rreth biznesmenësh “kushinetë” që bashkojnë dy krahët politikë në Shqipëri, janë përfshirë në një listë jotransparente aksionerësh, dhe po marrin një licencë për telefoni celulare, pa plotësuar dy kushte të rëndësishme; garën dhe përvojën profesionale. Qeveria ka çuar në Kuvend një projektligj që shpall pronarë të licencës këtë rreth biznesmenësh, të cilët mungesën e garës e kanë justifikuar me dështimin e tenderit, kurse mungesën e përvojës me një kontratë formale me PT e Kosovës, e cila do të ketë rol provizor në këtë histori, pa investuar asgjë dhe duke u larguar pasi të përfundojë procesi. Disa gazeta ditore dhe media televizive publikuan dhe kontratën sekrete mes biznesmenëve shqiptarë dhe Postës së Kosovës ku shihet qartë ajo çfarë do të ndodhë pas ca kohësh. Biznesmenët që do të blejnë licencën, do ta shesin atë, duke përfituar miliona euro si sekserë të pasurisë sonë kombëtare.

Nuk dua të stërzgjatem se kush do të marrë më pas aksionet e Postës së Kosovës, dhe kush do të jenë aksionerët realë në këtë histori, por dua të them se në qendër të kësaj historie, është sekseri mediatik i Sali Berishës, Aleksandër Frangaj. Për të shmangur zhurmën publike, ai ka deleguar aksionet e veta tek ortaku i tij në bizneset e tjera Samir Mane, dhe ndoshta në këtë mënyrë ka vepruar dhe Armando Duka apo dikush tjetër, pasi këta janë emrat e vetëm që mungojnë nga gjithë lista e aksionerëve të Supersportit. Ky favorizim politik për të bërë miliona duke blerë dhe shitur licenca, nuk është biznes i ri për Aleksandër Frangajn. Tri vjet më parë, po nën emrin e Sali Berishës, dhe po nën kujdesin e tij, ai mori pa garë një licencë televizive, duke përdorur faktin që kishte emëruar shumicën e KKRT, dhe e shiti pas ca muajsh 700 mijë euro. Tani po përdor një grup biznesmenësh, ortakë me bizneset e tij, për të bërë të njëjtën gjë, duke i njollosur dhe ata. Nëse Edmond Leka apo Samir Mane do të kishin hyrë në një garë të hapur dhe transparente për licencën e katërt të operatorit celular në Shqipëri, shumë vetë, përfshi mua, do të ishim tifozë të tyre. Ata janë biznesmenë të njohur dhe seriozë dhe kanë tejkaluar standardet e biznesmenëve të rëndomtë në vend. Por emrat e tyre tashmë janë të përfshirë në një listë, e cila ngre shumë pikëpyetje për përdorimin e tyre në një histori të pastër të korrupsionit politik në vend.

E rëndë në këtë histori nuk është pse po përlyhet gjithçka, përfshi dhe disa biznesmenë të respektuar në vend. E rëndë është se ky operacion po rrënon standardet e politikës në vend.

Katër vjet më parë, në muajin shkurt të vitit 2005, Sali Berisha, atëherë në opozitë, nisi një aksion të fortë politik për të bllokuar çdo privatizim gjashtë muajt e fundit të pushtetit. Shprehja e tij mbresëlënëse se “këta janë sulur të rrëmbejnë ç’të mundin para se të ikin”, e thënë në atë kohë për qeverinë e Fatos Nanos, tingëllon më aktuale sot se kurrë. Por sot ndryshe nga katër vjet më parë, shumë shqiptarë kanë hequr shpresat nga Sali Berisha dhe e pranojnë, dikush me dhimbje, dikush me qejf, se ai është dorëzuar para sfidës së korrupsionit. Problem ynë i madh tani është se ne kemi një opozitë, e cila nuk po vendos standarde politike për histori të tilla tërësisht korruptive. Unë e kuptoj që Edi Rama dhe Samir Mane janë miq. Unë po ashtu jam shumë mik me zotin Mane. Unë e kuptoj që Edi Rama ka miqësi dhe Lekën, Zeqon a ndoshta dhe me dikë që e lidh me postën e Kosovës. Por standardet politike në një shtet nuk vendosen nga njohjet personale. Ai, dhe jo Erjon Braçe, duhet të flasë për të dënuar këtë gjest, për të pasur së paku një dëshmi në këtë vend se shteti ligjor do të respektohet. Nuk është aspak sulm personal as ndaj Manes, as ndaj Lekës, as ndaj ndokujt tjetër, një qëndrim parimor ndaj shkeljes së rregullave të tregut të lirë, ndaj zhdukjes së lirisë ekonomike dhe ndaj sjelljes feudale për dhurimin e pasurisë kombëtare si plaçkë lufte për luftëtarët që i gjenden afër komandantit në betejat e tij donkishoteske. Opozita e ka këtë betejë të saj, siç e kishte Sali Berisha katër vjet më parë. Nëse mbetet peng i sekserëve të saj, atëherë ajo ka humbur sot dhe më tej moralin për të ardhur në pushtet. Shqiptarët nuk janë aq budallenj që të tremben nga “gogoli Berisha” që vizaton Rama apo nga “gogoli Rama” që vizaton Berisha. Ata e bëjnë diferencën tek qëndrimet e tyre publike ndaj ngjarjeve të tilla të rënda që plaçkisin pasurinë e tyre kombëtare, dhe nëse për ngjarje të tilla opozita bën sikur nuk e ka mendjen, apo degradon standardet e saj politike për betejën kundër korrupsionit, ndryshimi nuk ka shumë arsye të vijë.

Dje në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese u krye një gjest i shëmtuar, i cili dëshmon se sa i sponsorizuar politikisht është i gjithë ky operacion. Nëse opozita e toleron këtë gjë, ajo i ka vënë një pikëpyetje serioze nevojës për të ardhur në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›