Çfarë po kërkon dhe kujt po i drejtohet presidenti?...
Është e habitshme kur presidenti Topi del në publik, për të distatën herë tashmë, dhe bën deklarata të tilla si “Politika të gjejë një zgjidhje...”. Ky presidenti ynë mos e cilëson veten jashtë politikës, se ato votat që e sollën në atë karrige me sa dimë nga politika i mori. Madje ai posti që ai zotëron është më i larti në piramidën e pushtetit. Kur iu drejtua gazetarëve me “Respektoni heshtejn time” të gjithë kujtuan se ky do të bënte namin. Dhe në fund doli se “Mali u shtrëngua e shtrëngua dhe polli një mi”. Po presidenti ynë pas gjithë këtyre shtrëngimeve që po bën njëra pas tjetrës çfarë do të nxjerrë?...
Sot takoi studentët e shkencave politike. U tha se kur të bëjnë politikë të këne kujdes me bërryllat. Dmth, presidenti na shoi kureshtjen. Merrka vesh mirë nga bërrylat. Por nuk na e sçaroi mirë fort mirë këtë punën e bërrylave. Për cilët bërryla e kishte fjalën, për bërrylat që të japin të tjerët, apo për bërrylat që japim ne... Se ka dy lloj bërrylash. Nga cilat merr vesh më shumë presidenti ynë?... Apo këtë çështjen e bërrylave e tha ashtu në përgjithësi si Jovan Bregu. Radhës tjetër kur të takojë tjerë soj studentësh do ishte mirë që presidenti të japë ndonjë leksion se si çohet uji në mullirin e tjetrit, apo si mund t’i gërryejmë dheun dikujt nën këmbë. Me sa duket nga kësi gjërash presidenti merrka vesh shumë.
Është e treta herë radhazi që kreu i shtetit bën thirrje populiste, përgjithësuese, duke përdorur termin “Politika”. Presidenti aq i painformuar të jetë vallë sa nuk e di që në një rend demokratik politika përbëhet nga dy kampe kryesore, maxhorancë dhe opozitë. Tani këtë punën e politikës për mirësjellje i nderuari president duhet të na e ndajë mirë. Të na thotë se cilës politikë po i bën thirrje se nuk besojmë se po të përmendë fjalën maxhoroncë apo opozitë të meket. Me sa po dëgjojmë dhe po shohim çdo ditë opozita dhe maxhoranca këtu në Shqipëqirë janë lehtësisht të dallueshme. Maxhoronca u bën thirrje qytetarëve të aplikojnë për kartat e identitetit,
opozita bën të kundërtën. Thua ta ketë të vështirë presidenti ta bëjë këtë dallim. Ja çfarë tha sot presidenti i vendit. "Të gjithë duhet të aplikojnë për karta, ndonëse Presidenti nuk futet në debatet politike të ditës, ai e jep këtë mesazh, që duhet të shkojë tek çdo qytetar. Gati dy muaj para zgjedhjeve, fatkeqësisht, jemi akoma tek çështja nëse do të pajisemi ose jo me letërnjoftime. Po them se ky është një hap, dhe këtë po e them për herë të parë, mjaft i gabuar i politikës shqiptare, e cila ka pasur kohën e mjaftueshme që të merret me këtë problem dhe të mos e kthejë në fokus, pikërisht dy muaj para zgjedhjeve. Çështja e kartave nuk duhet të kthehet në një kaos psikologjik për qytetarët" tha ndër të tjera Topi. "Sot do të ishte koha që partitë politike të përballnin të gjitha projektet e tyre, misionet e tyre, pasi ajo që do qytetari më shumë sot është të dëgjohen se cilët do të jenë programet. Kjo situatë uroj që të zgjidhet sa më shpejt në mënyrë definitive; partitë duhet t'i largohen këtij debati dhe të gjejnë zgjidhje. Ato duhet të sinkronizojnë zërin e tyre dhe kjo është detyrë minimale e politikanëve, të cilët paguhen për këtë punë. Politika ka dhënë shembuj, që kur është dashur për të marrë vendime shumë të rëndësishme, i kanë marrë brenda një nate, vendime që janë përshëndetur, por nuk besoj të ketë vendim më të rëndësishëm se sa i çështjes së letërnjoftimeve".
Po presidenti Topi ka qenë edhe vetë pjesëmarrës në marrjen e vendimeve të tilla, sigurisht para se të bëhej president. Pse nuk na thotë se a ka pasur ndonjëherë momente kur kriza ka qenë e stisur nga vetë opozita e sotme? Është gjë shumë e vështirë për një president të dalë e të thotë se “Qytetarë aplikoni për karta identiteti”. Është thënie politike kjo, bie ndesh me kushtetutën. Asnjë president në rang botëror nuk e ka bërë një veprim të tillë deri më sot. Sa i guximshëm është ky presidenti ynë.
...