E Diel, 1 Nëntor 2026

Nanizmi i Muçit - Si u vetëdeklarua M. Nano pjesë e “arkivit njerëzor të krimit” si admirues i PS-së

Fjala “Nano” përdoret për njerëzit e shkurtër. Këtë rast kjo nuk vlen pasi nano i këtij shkrimi është i gjatë, është njeriu më i lexuar i botës, është super i ditur, e gdhin ditën nëpër biblioteka e arkiva (nuk e sheh ndonjëherë aty), është më i mençuri i gjithësisë që ka fatin e keq të rrethohet nga gjithë ato injorantë që nuk e lënë këtë mendimtar të pakrahasueshëm të marrë vendin që meriton. Në sytë e tij do shikosh përherë gjurmë të aluçinacionit (këtë fjalë e ka shumë për zemër), ndërsa asnjëherë nuk do arrish të prekësh normalitetin njerëzor. Mirëpo këtë herë e bëri fora. E tha atë që ndjente për partinë e Enverit. E bërë si burrat e tha një herë të vetme se ishte me partinë e Enverit e Miladinit.
I nxehur si përherë, i turbulluar si asnjë herë tjetër, përherë karnaval në veshje e teatral e dramatik në paraqitje, Mustafa Nano deklaroi para pak kohësh se këtë herë do votonte për Partinë Socialiste. Ë më i lumtë, e gëzoi partinë. I irrituar nga të rinjtë demokratë në atë emision “mendimtari” i madh u largua i pezmatuar gjithë inat duke marrë me vete e  tërhequr zvarrë shallin e tij sipas modelit të kryetarit të vet. Mirëpo kujtonte ky i shkretë se po thoshte ndonjë gjë të veçantë e sikur nuk e dinte njeri se kujt i përkiste ky individ që prej vitit 1998 të vetmen punë që kishte ishte të shante përditë Sali Berishën e Partinë Demokratike. Por evoluimi i këtij njeriu ishte për t’u admiruar. Më 3 nëntor 1995 ai e kishte quajtur PS-së “arkiv njerëzor të krimit”, ndërsa më 2009-n deklarohej pjesë e këtij arkivi njerëzor të krimit. Sigurisht është e drejta e gjithkujt të bëjë zgjedhje, sidomos kur bën lidhje me laskajt e krimit komunist që e kanë sa një çarçaf listën me të dënuar politikë, me shekujt burg e jetët e njerëzve që kanë marrë.
Nuk ka njeri besoj që t’i ngeli që në mendje nga “analizat” e Mustafa Nanos përveç sharje pa fund në një drejtim ose sharje në drejtimin tjetër kur duhej që kjo t’i shkonte për mirë kryetarit të tij Edi Rama. Për hir të së vërtetës këtë punë e ka bërë mirë, e ka merituar bukën për të cilën është paguar. Ky moment sinqeriteti i Mustafa Nanos duhej përmendur më shumë. Në radhë të parë ai duhej t’u kërkonte falje demokratëve të Skraparit të cilët e besuan në krye të partisë, të cilët e votuan aq sa kishin mundësi dy herë rresht më 1991 e më 1992.
Në kohën e diktaturës ky njeri merrej me punë telash në centralin e Çorovodës. Dihej që në atë punë punët e postave e të telefonisë ishin të vlerësuara. Në pasaportë i kishte mbetur vendlindja Durrës në një ditë të ftohtë janari. Një njeri krejt anonim. Të mirat i pati nga Partia Demokratike, partia që solli ndryshimet e mëdha në vend.
Dy herë me radhë ai kandidoi në emër të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe 22 marsit 1992 në Rrethin e Skraparit. As më shumë e as më pak ka qenë një propagandist i Partisë Demokratike në atë kohë. Kështu djali i Selamit, i vlerësuar për dy fjalë të thëna në këmbë në një deklarim televiziv në mars 1995, u dërgua drejt Kroacisë në përbërje të ambasadës shqiptare atje. Pasi e kthyen në Shqipëri, ky njeri në vend të ishte i pakënaqur me administratën e majtë që kishte ardhur në pushtet nëpërmjet forcës së armëve, u bë një prej zelltarëve më të devotshëm të këtij pushteti. Minimalisht ky njeri kishte për detyrim të jepte një sqarim publik pse ishte kthyer nga diplomacia dhe çfarë e kishte gjetur që ishte hedhur në anën tjetër në radhët e partisë së “arkivit njerëzor të krimit”.
Veti kryesore për këtë njeri janë arroganca e mendjemadhësia, si duket të kopjuara nga babai i tij shpirtëror Edi Rama. Urrejtja është tej mase e madhe. I gjori kujton se është qendra e sistemit ku rrotullohen rreth tij. Në botën e tij të vogël nga mania për të kopjuar çdo gjë nga shefi i tij, vishet me lloj verdhurinash, shalle, e këpucësh gjysmë ushtarake. Për një moment lajthitje iu desh të qeshte kokën tullë se kështu bënte Edi Rama. Ishalla nuk del dhe pa brekë si doli Edi Rama në plazhet e Francës, se nuk dihet kujt do ia vërë fajin pastaj. Sot do të them fare pak gjëra për të. Se ta dini të dashur lexues objekti i shkrimit tonë është admirues i librave vetëm nga kapaku. Pikërisht “Shekulli” të datës 27 mars 2002, Mustafa Nano ka shfaqur “opinionin” e tij në nëpërmjet një shkrimi për çështje historie. Dhe kur flet M. Nano për çështje historie dihet se ç’do dalë. Në një farë mase M.. Nano është përpjekur të argumentojë diçka edhe në aspektin historik dhe është e lehtë të vëresh dijet e tij të pakta në fushën e historisë kombëtare. Në këto kushte të polemizosh me Nanon është jo vetëm detyrim por edhe zbavitje e këndshme. Kështu nëpërmjet të shkrimit të Nanos merret vesh se ai kishte lexuar librin me dy vëllime të Eqrem bej Vlorës, të cilin e përdor në një citim të tij. Mirëpo duke lexuar së prapthi ndonjë faqe dhe duke mos pasur fare haber nga punët e historisë kombëtare, Nano e merr të mirëqenë edhe një gabim shtypi që ka libri në kopertinën e prapme të tij ku ndër të tjera për Eqerem Vlorën në vend të shkruhet vit i vdekjes 1964, është shënuar gabimisht viti 1994. Po të lexonte librin, do ta gjente të saktë vitin 1964 brenda tij. Por puna e tij është të lexojë kapakun e jo më shumë. Siç duket Nano nuk arrin të dallojë as edhe një datë të thjeshtë e jo më të mendojë e të analizojë me përgjegjësi dukuri apo probleme shqiptare e veçmas ato të karakterit politiko-historik.

Sot po i japim një artikull të botuar nga Mustafa Nano në “Rilindja Demokratike” të 3 nëntor 1995 me titull “Revanshi i kuq kërcënon”. Këtu e ka krahasuar Edi Ramën njëlloj si Ramiz Alia. Tani ose shkrimet e tij nuk duhen marrë seriozisht ose duhet menduar për ndonjë gjë tjetër. Në kohën kur M. Nano shkruante më 1995 kundër Edi Ramës, ky i fundit dilte pa brekë në plazhet e Francës ndërsa ushqehej si një emigrant i pisët e palarë duke mos pasur as një prerëse thonjsh me vete. Ç’ka ndodhur pra me Mustafain? Ai i 1995 nuk i ngjan atij të pas vitit 1998.


Mustafa Nano më 1995: -Edi Rama është komunist si Ramiz Alia -Partia Socialiste është “arkivi i krimit komunist” -PS ushqehet me mllef e errejtje -PS përbëhet me pleq e injorantë



Revanshi i kuq kërcënon Nga Mustafa Nano


Oponenca kriminale përcillet në Europë


Të rreshtuarit në fronin anti PD nuk mjaftohen duke sulmuar shtetin, pushtetin presidentin e tyre në Shqipëri, por në mënyrë korale po këndojnë avazin e tyre në veshët e Europës, po sulmojnë metropolet e huaja për të vjellë përpara personaliteteve, shoqatave, organizmave dhe institucioneve perëndimore mospajtimin e tyre me atë që po ndodh në Shqipëri. Kjo është jo vetëm e turpshme për ta; të cilët megjithatë nuk bëhen merak që lënë koqen e namit duke u qurravitur, duke kapur prej xhakete politikanë me seli në Bruksel, Strasburg e gjetkë, duke dërguar letra e fakse të mbushura me vrer në PD. Kjo është e turpshme edhe për ne të tjerët, tek shohim tentativat e përfaqësuesve tanë politikë për t’u bërë gazi i botës. Ndodh një arrestim, një ndjekje penale, një operacion çfarëdo i shtetit, një shkarkim gjykatësi dhe rezistenca e hazërtë e opozitës përcillet menjëherë në Europë nëpërmjet kasnecëve të kualifikuar tashmë. Qarjet e ankimet e shefave të opozitës shqiptare nëpër Europë të cilat jam i sigurt që priten me xhentilesë e qeshje nën buzë, dëshmojnë pozitën e mjerë e të pështirë, në të cilën e vendosin veten, duke kompromentuar kështu jo vetëm seriozitetin e kulturën e tyre politike, por edhe gjithë racën e politikanëve shqiptarë. Përrallat me diktatorë e me neodiktatorë të rinj, janë të thurura tepër trashë për të qenë të besueshme, jo vetëm atje ku rrëfehen, por edhe në shtëpinë e Hysni Milloshit apo në qelinë e Fatos Nanos. Dhe kjo, qoftë edhe për një arsye që ia bën “mu” përpara syve të plasur të Dokles, Gjinushit, etj. Zhvillimet shqiptare përfundimisht nuk mund t’i përvidhen kursit historik të instalimit të demokracisë në vendet e Europës Lindore. Demokracia shqiptare nuk mund të dalë më jashtë kontekstit të familjes evropiane, anëtarë të së cilës tashmë jemi e do të mbetemi, duke shënuar kështu një arritje lapidare të PD-së, përmasat e së cilës rivalizojnë me të gjitha kulmet e historisë sonë mijëra vjeçare. Kështu që përrallat e neodiktaturave në Shqipëri janë sajime mendjesh fantaste, të cilët paaftësinë e kompensojnë me rendjen pas bujës false, pas shpifjeve, pas sharjeve, pas oponencës kriminale, ndaj zhvillimeve të reja politike.


PD-ja po qeveris me kurajë e realizëm


Shteti i ndërtuar prej demokratëve ka nevojë për një opozitë të fuqishme, e jo vetëm politike, sepse duke qenë i ri, pa përvojë, i ngritur mbi gërmadha që ende kundërmojnë qelb komunist, mund të gabojë. Por duke lënë mënjanë këto devijime nga shteti i së drejtës, gjithsesi objektisht prezente, shqiptarët që të gjithë duhet të mësojnë njëherë e mirë se çfarë është ndërtuar, bën pjesë në koshiencën e përgjegjësinë tonë, në moralin e kulturën tonë, në konstitucionin tonë shpirtëror e intelektual. Ish-komunistët duke u mësuar ta shihnin Shqipërinë si plaçkë të tyren, të grabitur dhunshëm prej demokratëve të qeverisur padrejtësisht antikomuniste. Këtu e ka burimin egërsia, përpjekjet për revansh, anatemimi i demokratëve, i Ballit Kombëtar, i Legalitetit, i ish të persekutuarve. Nuk kemi të bëjmë as me anatema të rastit, as me anatema të pjesshme. Urrejtja e tyre nuk kursen asnjë jokomunist, ajo është adresuar en bloc. Vini re si skuqin e nxijnë frazat e Dritëro Agollit kur flitet për Ballin Kombëtar, për ish të persekutuarit, për figura shqiptarësh të shquar që i bëjnë nder historisë kombëtare por ja që “për dreq” janë antikomuniste. D. Agolli e të tjerë sikur t’u ketë ngecur ora në 8 nëntor ’41, vazhdojnë me logjikën e anulimit e të përdhosjes së vlerave kombëtare këtë gjë e bëjnë me të njëjtën arrogancë, me të njëjtin vrer, me të njëjtin frymëzim antishqiptar, dëshpërimisht antishqiptar. Ish-komunistët nuk duan e nuk mund të kuptojnë se Shqipëria më në fund është në duar të sigurta shqiptarësh. Ne po ndërtojmë, po projektojmë rilindjen e madhe, të bazuar përfundimisht me vullnete të lira shqiptarësh. Ne demokratëve antikomunistë na ra barra të përgatisim Shqipërinë e nesërme, e cila nuk do të jetë vetëm e jona, por mrekullisht e të gjithëve. Ne po konstruktojmë, po ecim përpara pa u fshehur asgjë shqiptarëve. Ndërkohë të ashtuquajturat “shmangie nga demokracia e vërtetë”, të amplifikuar aq tepër nga opozita, nuk përbëjnë ndonjë zbulim të shekullit. Përkundrazi, zhurma e bërë rreth tyre, oponenca e pamëshirë ndaj shtetit të ri, janë leksione të përgatitur ne laboratorët e krimit komunist. Për të qeverisur kemi një autorizim të popullit shqiptar, i cili më 22 mars ’92 me një mbështetje impresiononte në votime na tha: Qeverisni! Nxirreni Shqipërinë në rrugë të madhe e mos dëgjoni zërin e çjerrë të kukuvajkave komuniste.


Alternativa e PS-së është mbrojtja e krimit të djeshëm


Alternativa e vetme e tyre mbetet mbrojtja e krimit të djeshëm. Arkivi njerëzor i krimit e i fanatizmit brenda PS-së në momente të caktuara mund të determinojë ecurinë e demokracisë, sepse politikisht janë një herë e mirë të fiksuar. Janë këta që kërcënojnë në ’96 me revanshin e kuq. Kanë qenë këta që nuk kanë pushuar tentativat për t’iu imponuar pushtetit të PD-së prej gati 4 vjetësh. Përballë tyre PD-ja po qeveris me kurajë e me realizëm. Opozita sheh në pushtetin e PD-së vetëm zi. Politika e opozitës është sëmurur nga ipokondria. Ajo ushqehet çdo ditë me mllef e urrejtje të vjedhur nga mitingjet që organizojnë në provinca dhe është pikërisht këtu, kur ata mbushin depozitat urinare të tyre me histeri pleqsh të rrjedhur e fanatizëm të rinjsh injorantë, me klithma dashakeqe handicapped – nevrasteni psikopatësh të provincës, e pasi kthehen që andej, fillojnë e pshurrin nëpër faqet e “Koha jonë”, nëpër faqet e asaj gazete ku gjejmë vetëm mrekullisht brenda një komforti sui generis H. Lleshi e E. Rama, R. Alia e F. Çupi, K. Blushi e L, Bobrati. Të gjithë këta e të tjerë të mbledhur së bashku për të bërë orgjinë e shekullit në Shqipëri pas së cilës do të pjellin paqe e tolerancë, mirëkuptim, demokraci surrealiste, të paparë deri më sot, ku Rama e Çupi do të pinë kafe me H. Lleshin, do të bëjnë pak politikë, do të flasin për votën e ’96, të cilën për të mos e çuar dëm, do ta hedhin – e kanë mendjen top për PS-në e pas kësaj do të shkojnë të marrin pjesë në banket, ku do të jenë të ftuar të gjithë “njerëzit e djeshëm” e nën erën e djersës e të gëlbazave të pleqve të PS-së. Nuk duhen lënë, nuk do të kenë fat të ngrenë dolli për fitore të tyre.


Mbyllje


PS-ja po përjeton krizën më të thellë të saj, të cilën nuk e shoh vetëm të fqinjërimi me komunizmin, tek ekipi drejtues, tek mungesa e alternativave etj, por edhe braktisjet e parlamentit, pompimi i figurave boshe, fushatat për herë të 7-të, humbja e toruas, gogoli i antikomunizmit në pushtet, shpallja e sondazheve fiktive, pandehmat e sajesat haluçinante për manipulime potenciale në zgjedhjet e ardhshme, për dollarë që do të hidhen nga PD-ja për terrorin fizik që do të ushtrohet ndaj zgjedhësve, kërkesat për “një pakt për paqe parazgjedhore”, goditjet që po i bëjnë njëri-tjetrit me akuza absurde, të gjitha këto e të tjera, të sjellin para syve një PS të dërrmuar, të rraskapitur, që përpiqet të gjejë shpëtimin me alternativën antiPD. Kompleksi anti PD i PS-së ka të bëjë me kompleksin e urrejtjes për demokracinë dhe si i tillë, ka moshën e PP-së. Kompleksi i urrejtjes ndaj antikomunizmit, i kultivuar e konservuar për 50 vjet prej ish komunistëve shqiptarë, është transferuar besnikërisht pa asnjë firo në trutë e Nanos e Co, dhe është pikërisht ky kompleks që përbën pjesën e luanit në kulturën e tyre politike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›