Kina ia kalon Gjermanisë për eksporte
Konkurrenca
Kina kapërceu Gjermaninë për sa i përket sasisë së mallrave të eksportuara, duke u bërë kështu eksportuesi më i madh i botës, bëhet e ditur nga “Associated Press”. Të dhënat për vitin 2009 tregojnë se Kina ia doli të eksportojë 1.2 trilionë dollarë amerikanë mallra, ndërkohë që Gjermania, që ka qenë prej kohësh vendi i parë në botë në këtë tregues, eksportoi 1.17 trilionë dollarë mallra. Statusi i ri i Kinës si vendi më i madh eksportues është gjerësisht domethënës si pjesë e ngritjes së këtij vendi si superfuqi botërore. Ajo dëshmon gjithashtu aftësinë e ekonomisë kineze për të konkurruar në tregun ndërkombëtar dhe për të shtuar shitjet pavarësisht krizës së thellë ekonomike që u përjetua gjatë vitit të kaluar. E ndihmuar nga më shumë se gjysmë miliardi dollarësh të dhënë nga qeveria kineze për kapërcimin e krizës, ekonomia e këtij vendi u rrit me 8.9 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2009, ndërsa vlerësohet se rritja për vitin e kaluar ka qenë 8.3 për qind.
Kina njihet si prodhuesi më i mirë i këpucëve, lodrave, mobilieve dhe mallrave të tjerë të teknologjisë së ulët, ndërkohë që Gjermania eksporton përgjithësisht makineri dhe produkte të tjera të teknologjisë së lartë. Komentatorët në Gjermani thonë se praktikisht ky vend po eksporton makineritë që Kina përdor për të realizuar produktet finale. Kina kapërceu Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vendi me prodhimin më të madh të makinave në botë vitin e kaluar dhe duket se do të kapërcejë Japoninë si ekonomia e dytë më e madhe e botës së shpejti. Shtetet e Bashkuara dhe qeveri të tjera thonë se suksesi i Kinës në eksporte vjen veçanërisht si pasojë e kontrollit mbi kursin e këmbimit, gjë që krijon një avantazh të pandershëm kundrejt vendeve të tjera.
Uashingtoni ka vendosur taksa doganore shtesë për tubat e çelikut të prodhuara në Kinë, ndërsa Bashkimi Europian ka vendosur taksa shtesë për këpucët.
#