E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, katër raste të reja të dyshuar me AHIN1

Mjekët shprehin shqetësimin se rastet po shtohen ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit

Katër raste të reja të dyshuara si mbartëse të virusit AH1N1 i janë shtuar listës së pacientëve, që po trajtohen në spitalin e qytetit të Korçës me tamiflu. Një banor i qytetit të Leskovikut, një i moshuar nga Kolonja, një student nga qyteti i Korçës dhe një tjetër i moshuar nga fshati Barç, kanë qenë personat e fundit që dyshohet se janë prekur nga virusi i rrezikshëm.
Rastet e dyshuara janë paraqitur gjatë 24 orëve të fundit në repartin infektiv dhe bluzat e bardha kanë nisur menjëherë trajtimin me tamiflu, krahas atij me antibiotikë. Shefja e shërbimit në Sanatoriumin e Korçës, Diana Aliçkolli, thotë se një grua 56-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë, ndërkohë që numri i të personave të dyshuar se janë prekur nga virusi tashmë ka shkuar në 15, për të cilët priten përgjigjet zyrtare dhe konfirmimet nëpërmjet analizave laboratorike që janë dërguar në kryeqytet. Mjekja thotë se për pesë nga pacientët është marrë konfirmimi dhe kanë rezultuar pozitivë, ndërkohë që mes të dyshuarve të tjerë ka të rinj dhe persona që nuk kanë vuajtur më parë nga sëmundje kronike dhe komplikacione nga rrugët e frymëmarrjes. Të gjitha rastet janë paraqitur me temperaturë të lartë dhe mjekët po kryejnë trajtimin e këtyre pacientëve me tamiflu dhe antibiotikë për pneumoni akute dhe komplikacione të rënda respiratore dhe të mushkërive. Mjekët kanë ngritur shqetësimin se ka një shtim të shpejtë të rasteve që dyshohen si të infektuar me virusin e rrezikshëm, ndërkohë që bëjnë apel që qytetarët të paraqiten menjëherë pranë qendrave shëndetësore pas shfaqjes së temperaturës dhe gjendjes së një virozë gripale.
Sipas mjekëve, pjesa më e madhe e pacientëve kanë mbërritur në spital, pasi kanë qëndruar për disa ditë në shtëpi me gjendje gripale, duke neglizhuar marrjen në kohë të mjekimeve. Në Korçë vetëm brenda dy javëve të fundit kanë gjetur vdekjen dy persona. Për të dyja rastet është marrë konfirmimi se kanë qenë të prekur me gripin e derrit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›