Kina kundër takimit të Obamës me Dalai Lamën më 18 shkurt

Pekin, 12 shkurt, NOA Pasi Shtëpia e Bardhë
ka konfirmuar 18 shkurtin datën konkrete të takimit mes presidentit amerikan,
Barak Obama dhe liderit shpirtëror të tibetianëve, Dalai Lama, Pekini zyrtar ka
reaguar sërish, duke deklaruar kundërshtimin e tij ndaj këtij takimi. Përmes zëdhënësit të ministrisë së Jashtme, Ma
Zhaoxu, Kina u bëri thirrje SHBA-ve që të anulojnë takimin e presidentit Obama
me Dalai Lamën.
Sipas Ma Zhaoxu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
nuk duhet ti japin platformë kreut fetar të tibetianëve dhe se duhet të shmangin
dëmet e tjera në marrëdhëniet dypalëshe. SHBA-ja duhet të kuptojë, se Tibeti
përbën një temë delikate për Kinën, - u tha nga përfaqësuesi i lartë kinez.
Por me gjithë protestat kineze, zëdhënësi i
Obamës Robert Gibbs pati paralajmëruar se Dalai Lama do të pritet më 18 shkurt
në Shtëpinë e Bardhë.
n.e/NOA