E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina kundërshton pavarësinë e Kosovës

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dje kanë dhënë mendimet e tyre mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës Kina, Kroacia, Qiproja dhe Danimarka. Siç ishte pritur, Kina dhe Qiproja e kanë kundërshtuar atë, duke insistuar në parimin e paprekshmërisë së tërësisë territoriale; Kroacia e ka mbrojtur fuqishëm shtetin e ri, duke elaboruar edhe proceset politike që kanë çuar deri te krijimi i tij. Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, fillimisht është paraqitur Kina. Ambasadorja e këtij vendi në Holandë, Su Hançin, duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ka thënë se "ajo fton për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë". Su Hançin i është kthyer vitit ‘99, duke pohuar se "NATO-ja kishte intervenuar në Kosovë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit dhe kishte shkaktuar katastrofë humanitare".

Delegacioni kinez

Sipas ambasadores së Pekinit, "Rezoluta 1244 ka ftuar për autonomi substanciale të Kosovës" dhe "shpallja e pavarësisë ishte shkelje e Rezolutës 1244", raporton radio "Evropa e Lirë".

Përfaqësuesja e Kinës ka thënë se "respektimi i integritetit territorial është parim fundamental i OKB-së dhe OSBE-së dhe se shkelja e këtij parimi gjithnjë ka çuar drejt tensioneve dhe konflikteve". Edhe përfaqësuesja kineze ka pranuar se "e drejta ndërkombëtare nuk e ndalon dhe as nuk e sanksionon çështjen e secesionit", por, megjithatë, ajo ka konstatuar se "Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nuk mund të jetë neutrale rreth kësaj problematike në rastin e Kosovës". Su Hançin ka thënë se "vetëvendosja mund të miratohet në rastet e kolonive dhe okupimeve të jashtme dhe jo në raste të pjesëve integrale dhe multietnike të një shteti sovran, siç është rasti me Kosovën".

Kroacia

Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës argumentoi Kroacia. Përfaqësuesja e saj, Andrea Metelko Zgombiç, me fjalimin e saj ka zgjuar interesim në mesin e gazetarëve dhe qarqeve të tjera diplomatike, për faktin se Kroacia ishte pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë dhe tash vend fqinj i Serbisë. Zonja Zgombiç fillimisht ka thënë se "pavarësisë së Kosovës i ka paraprirë një proces politik" dhe se "Kosova është një rast ‘sui generis‘".

Ajo ka pohuar se "pas Kroacisë, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur edhe vende të tjera fqinje, që ishin pjesë përbërëse të ish-Jugosllavisë". Duke folur për çështjen nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, zonja Metelko Zgombiç ka thënë se "pavarësia e Kosovës nuk e ka cenuar me asnjë dispozitë të drejtën ndërkombëtare". "Nuk ka asnjë rregull në të drejtën ndërkombëtare që ndalon ose sanksionon secesionin", ka thënë Metelko Zgombiç, për t‘i bërë pastaj një vështrim pozitës së Kosovës brenda ish-Jugosllavisë dhe represionit të dhunës që ishte ushtruar mbi shqiptarët.

Danimarka

Pas Kroacisë ka folur përfaqësuesi i Danimarkës, Tomas Uinkler, i cili fillimisht ka thënë se "nuk ka dispozitë në të drejtën ndërkombëtare që ndalon shpalljen e pavarësisë". Ai ka pohuar se "Rezoluta 1244 nuk është neutrale dhe nuk përjashton pavarësinë si epilog i mundshëm i procesit politik për Kosovën dhe rrjedhimisht shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të". "Në fund të vitit 2007 ishin eksploruar të gjitha mundësitë për zgjidhje politike dhe nuk qëndrojnë pohimet se vazhdimi i bisedimeve ka mundur të sjellë epilog të pranueshëm për të dyja palët", ka thënë Tomas Uinkler, për të apostrofuar në vazhdim dokumentin e Rambujesë, në të cilin kërkohet respektimi i "vullnetit të popullit" të Kosovës. "Kosova është rast ‘sui generis‘ dhe nuk mund të shërbejë si precedent", ka konkluduar përfaqësuesi i Danimarkës. Në seancën e sotme pritet të flasin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Spanja dhe Finlanda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›