Shalsi: Berisha po cenon biznesin, sillet si mafioz
Aksioni i Inspektoratit të Ndërtimit në Tiranë nuk ka kaluar jashtë vëmendjes së Partisë Socialiste. Deputeti Eduard Shalsi, akuzoi Kryeministrin Sali Berisha se ka vendosur të luftojë mafien, duke u sjellë si një mafioz i vërtetë. "Ne jemi të vendosur, unë si deputet i Tiranës dhe ne të gjithë deputetët që të mos lejojmë që një njeri i çekuilibruar të cenojë biznesin privat, ashtu sikurse e dhunoi atë sonte", theksoi Shalsi. Për ironi të fatit, vijoi ai, godina ishte e hipotekuar dhe ai derdhi gjithë mllefin kundër një objekti të ligjshëm. "Imagjinoni çfarë mund të bëjë ky njeri që nuk njeh institucionet e shtetit", shtroi pyetjen Shalsi. Do të jeni dëshmitarë, shtoi ai, që në ditët që do të vijnë, ne jemi të vendosur të mos e lejojmë këtë njeri të sillet në këtë vend dhe të cenojë biznesin e sipërmarrjen. "Ai nuk po lufton mafien, por ai po sillet si mafioz i vërtetë. Nuk ka asnjë procedurë ligjore, ju siguroj dhe do t‘ju ftoja të kërkonit dokumentacionin e plotë", u shpreh Shalsi. "Nuk kemi të bëjmë, vijoi ai, me një proces normal ligjor por me një shantazh dhe dhunë fizike e psikologjike, që as ai vet s‘e di se çfarë do dhe çfarë bën. "Ky është pallat i hipotekuar dhe ju ftoj ta verifikoni. Do të keni mundësi të shikoni në ditët që do të vijnë, që do të jemi të vendosur për t‘i thënë ndal këtij Kryeministri", nënvizoi Shalsi. Prej dy javësh, tha ai, ne kemi parë një gjuhë të një njeriu aspak normal që, për fat të keq, e kemi Kryeministër. "Ju ftoj të shikoni dokumentacionin. Ne nuk jemi polici dhe nuk do të përdorim mjetet, por kemi të drejtën të mbrojmë qytetarët", vlerësoi i indinjuar deputeti socialist Shalsi. Në vendin e ngjarjes, dje janë parë edhe përfaqësues të komitetit ndërkombëtar të akredituar në kryeqytetin shqiptar. Zëvendësambasadori i përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë ka ndjekur nga afër gjithçka ndodhi mbrëmë, por nuk ka dhënë asnjë koment për median. Opozita e ka lidhur aksionin e Inspektoratit të Ndërtimit me deklaratat e ditëve të fundit, të bëra nga Kryeministri Sali Berisha. Kunati i deputetit socialist Dashamir Peza, u akuzua nga Kryeministri Sali Berisha pak ditë më parë në një konferencë shtypi se ishte favorizuar në dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë.