E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Kartat e identitetit, qeveria "Berisha" ka dështuar

Ish-kryeministri Ilir Meta deklaroi dje se qeveria "Berisha" ka dështuar me procesin e pajisjes me karta identiteti të shtetasve shqiptarë. Sipas tij, kartat e identitetit janë një element thelbësor për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme të qershorit, tashmë të përcaktuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë, si përcaktuese për ecurinë e mëtejshme të integrimit të vendit. "Kjo rëndësi e jashtëzakonshme e zgjedhjeve dhe standardeve që ato duhet të përmbushin, nuk është përcjellë me përgjegjshmëri nga qeveria aktuale, e cila ka filluar me tepër vonesë dhe me shumë probleme serioze procesin e aplikimit të qytetarëve për këto karta", konstatoi Meta. Ai shprehu shqetësim për faktin se, në realizimin e këtij procesi, Berisha dhe qeveria e tij po tregojnë qartë paaftësinë e tyre, paaftësi që po përpiqen ta mbulojnë me demagogji dhe premtime mashtruese. Me gjithë premtimin e bujshëm, që dy javë pas fillimit të aplikimit, qytetarët do të fillonin të merrnin kartat e identitetit, vijoi Meta, me gjithë demonstrimin aktoresk të Berishës në prodhimin e kartës së parë të identitetit, sot e kësaj dite asgjë nuk ka ndodhur, asnjë qytetar nuk ka marrë ndonjë kartë identiteti. "Është i njëjti mashtrim, është e njëjta mënyrë si Sali Berisha kompromentoi procesin aq të rëndësishëm dhe jetik për mijëra qytetarë, siç ishte ai i legalizimit, kur në vitin 2007, në prag të zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit, dha tapinë e parë dhe të vetme të legalizimit", nënvizoi kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Berisha, insistoi ai, tashmë po kërcënon në mënyrë të rrezikshme standardet e zgjedhjeve, duke i kompromentuar ato me mosprodhimin e kartave të identitetit. "Kryeministri Berisha duhet të lërë demagogjitë, të marrë masa urgjente për fillimin e shpërndarjes së kartave të identitetit, pasi kështu po rëndon më tej veten me përgjegjësinë e prishjes së standardeve të zgjedhjeve të ardhshme dhe perspektivën e integrimit të vendit", u shpreh Meta. Ai insistoi se sistemi i ri zgjedhor spanjoll nuk është një problem për Lëvizjen Socialiste për Integrim. "Sistemi spanjoll mund të jetë një problem për ata që e shpikën, për të dëmtuar LSI-në, apo për të dëmtuar përfaqësimin e barabartë, sipas Kushtetutës, të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe për këtë shprehim keqardhjen për ta", theksoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›