E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi "bekon" 7 anëtarët e rinj të KQZ-së

Kuvendi i Shqipërisë, në mbledhjen e djeshme, përmbylli procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pa ndonjë ceremoni të bujshme, stafi i institucionit menaxhues të proceseve zgjedhore kreu betimin para deputetëve të Kuvendit. Ndryshe nga sa ishte parë në vitet e kaluara, betimi i shtatë anëtarëve nuk u krye para Presidentit të Republikës. Kjo, nisur nga fakti se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas ndryshimeve në Kushtetutë, nuk konsiderohet më një institucion kushtetues. Në një rast të tillë i takon Kuvendit të organizojë edhe ceremoninë e betimit. Kryetari i komisionit është Arben Ristani, i propozuar nga Partia Demokratike, por që siguroi edhe konsensusin e opozitës. Anëtarët e tjerë të propozuar nga demokratët janë Hysen Osmanaj dhe Vera Shtrefni. Përfaqësuesi i propozuar nga Partia Republikane është Klemend Zguri, ndërsa socialdemokratët kanë anëtar Pandeli Varfin. Partia Socialiste ka si anëtarë të saj në KQZ Dëshira Subashin dhe Artan Lazen. Kreu i shtetit komunikon me KQZ-në në momentin kur shpall dekretimin e zgjedhjeve dhe garanton për mbarëvajtjen e tyre. Në një njoftim të djeshëm për shtyp, zyra e shtypit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve njoftoi se sot, në ora 11.00, zhvillohet mbledhja për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në nenin 16 të Kodit Zgjedhor, thuhet se KQZ-ja zgjedh si zëvendëskryetar një nga anëtarët e KQZ-së të zgjedhur mbi bazën e propozimit të partisë më të madhe të opozitës parlamentare. Zgjedhja zhvillohet me votim të fshehtë, sipas procedurës së mëposhtme: a) në një fletë votimi shkruhen emrat e dy anëtarëve të KQZ-së sipas pikës 1 të këtij neni; b) secili prej anëtarëve voton, duke bërë shënimin përkatës, për një nga emrat që janë në fletëvotim; c) anëtari që ka marrë 5 vota zgjidhet zëvendëskryetar i KQZ-së; ç) në rast se asnjë prej kandidatëve nuk e ka marrë numrin e kërkuar të votave, bëhet një votim i dytë. Anëtari që merr më shumë vota në raundin e dytë zgjidhet zëvendëskryetar i KQZ-së

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›