E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitja e zgjedhjeve fillon me shkelje afatesh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e fillon punën e tij me vonesa jo për faj të këtij institucioni. Zgjedhja e shtatë anëtarëve përtej afatit ligjor rrezikon të çojë në një zinxhir shkelje afatesh. Fakt që padyshim nuk do ta lehtësojë punën e komisionit në krijimin e kushteve të përshtatshme për një proces zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në nenin 181 të Kodit Zgjedhor, thuhet se Kuvendi, 30 ditë nga data e dekretimit të këtij ligji, ose nga shpallja e tij, sipas pikës 2 të nenit 84 të Kushtetutës, zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas nenit 14 të këtij Kodi. Betimi i tyre kryhet jo më vonë se sa 24 orë nga dita e zgjedhjes. E thënë ndryshe, Kuvendi duhet të caktonte shtatë anëtarët e rinj, brenda datës 30 janar. Proces që në realitet përfundoi vetëm ditën e djeshme, plot gjashtë ditë pas afatit ligjor. Po sipas Kodit, jo më vonë se 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore, që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Gjendjes Civile i dërgon KQZ-së numrin e përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Kjo etapë duhej të kryhej brenda datës 28 të muajit janar dhe jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave. KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Ministria e Brendshme ende nuk ka bërë të ditur ta ketë dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve këtë listë. Në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2009, zgjedhësit mund të votojnë edhe me pasaporta të vlefshme, të lëshuara sipas ligjit nr. 8663, datë 23.11.2000 "Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaporta për jashtë shtetit". Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore, që bëjnë të mundur pajisjen me përparësi me karta identiteti të zgjedhësve, që nuk disponojnë pasaporta të vlefshme sipas këtij neni. Lista e shtetasve në fjalë i dorëzohet KQZ-së. Ministria e Brendshme informon në mënyrë periodike, jo më pak se një herë në muaj, KQZ-në, në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Vendimi për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) merret nga KQZ-ja jo më vonë se 90 ditë para ditës së zgjedhjeve, pra brenda 28 marsit. Partitë politike propozojnë kandidaturat përkatëse për anëtarë të KZAZ-së jo më vonë se 20 ditë para afatit. Anëtarët dhe sekretari i KQV-së emërohen vetëm për periudhën e zgjedhjeve. Propozimet për anëtarë dhe sekretarë të KQV-së bëhen jo më vonë se 45 ditë para ditës së zgjedhjeve, pra jo më vonë se deri në 15 maj. Lista përfundimtare e zgjedhësve me përbërësit e plotë i dërgohet e printuar, jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve, KZAZ-ve në tri formate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›