E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Policia e Shtetit, emërime militantësh para zgjedhjeve"

Opozita ngriti dje shqetësimin e saj për shndërrimin e strukturave të Policisë së Shtetit në funksion politik. Deputeti socialist, Pirro Lutaj, deklaroi se tanimë po bëhet e qartë se drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe ata të Policisë së Shtetit kanë lënë mënjanë objektin e punës së tyre dhe po merren me krijimin e një infrastrukture policore, politikisht të motivuar në funksion të zgjedhjeve të vitit 2009. "Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur në krye të komisariateve të policisë dhe disa drejtorive të policisë në qarqe po vendosen njerëz me sfond të theksuar politik, ish-anëtarë të komisioneve zgjedhore të PD-së dhe njerëz me precedent penal, aktualisht në procese gjyqësore dhe të akuzuar për vepra të ndryshme", argumentoi PS-ja. Deputeti Lutaj u ndal te rasti i drejtorit të Policisë së Qarkut Fier, Shemsi Premçi të cilin e portretizoi si të pandehur për ngjarjet e 14 shtatorit, të përjashtuar nga policia në 1998-ën për abuzime në detyrë. "Shefi i Komisariatit të Policisë Fier, Latif Kulla është aktivist i spikatur politik, anëtar i Komisionit Zgjedhor të PD-së në Delvinë", u shpreh Lutaj. Në këtë listë të hartuar nga Partia Socialiste figuronin edhe emrat e zëvendësdrejtorit të Policisë së Qarkut të Tiranës, Xhavit Cici, drejtorit të Drejtorisë së Kufirit në Durrës, Naim Manuka, shefit të Komisariatit të Policisë Kuçovë, Mehmet Rrapo, dhe shefi i Komisariatit të Rinasit, Urim Rexhepi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›