Ministria e Drejtësisë, nis hartimi i listës për ish-të përndjekurit që janë gjallë
Ministria e Drejtësisë ka nisur hartimin e listës së ish të dënuarve politikë të regjimit komunist të cilët janë ende gjallë. Kjo është bërë e ditur nga burime pranë kësaj ministrie të cilët gjithashtu kanë shtuar se nga ky vendim përfitojnë rreth 2 mijë ish të përndjekur politikë që kanë vujtuar dënimin gjatë regjimit komunist dhe që janë ende gjallë. Ekspertët bëjnë të ditur se me botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Qeverisë që i jep prioritet dëmshpërblimit të ish të përndjekurve që janë ende gjallë, do të nisë menjëherë hartimi i listës me emrat e këtyre personave që përfitojnë nga ky vendim. Vendimi ka hyrë në fuqi vetëm pak ditë më parë dhe për ta zbatuar atë Ministria e Drejtësisë ka ngritur një grup ekspertësh që kanë nisur të shfletojnë dokumentacionet dhe të përgatisin dosjet për secilin person që përfiton nga ky vendim. Hartimi i kësaj liste ka nisur që në këto ditë të para të muajit. Lista do të përmbajë vetëm me emrat e ish të dënuarve politikë që janë ende gjallë. Këta persona duhet të paraqiten pranë Ministrisë së Drejtësisë për të dhënë numrin e dosjes dhe për t’u interesuar për ecurinë e saj deri në momentin e përfitimit të dëmshpërblimit financiare.
Vendimi
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për shqyrtimin e drejtpërdrejtë të kërkesave të paraqitura nga ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë”. Në bazë të këtij vendmi ministri i Drejtësisë, ai i Financave dhe institucionet e tjera të pavarura veprojnë menjëherë, pavarësisht afateve të përcaktuara për të dëmshpërbyer fillimisht ata ish të dënuar politikë që janë ende gjallë. Pra, Ministria e Drejtësisë do të vendosë në krye të punës së saj dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë që janë gjallë, mandej do të vazhdojë me listën e trashëgimtarëve të ish përndjekurve të tjerë që nuk jetojnë më. Më tej vendimi i qeverisë parashikon se Ministri i Drejtësisë identifikon listën e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, të cilën ia përcjell Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, dhe Shërbimit Informativ të Shtetit e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Këto institucione lidhin memorandum bashkëpunimi ndërmjet tyre, për përshpejtimin e procedurave dhe të afateve të shqyrtimit të drejtpërdrejtë e të bashkërenduar të kërkesave të ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, si dhe të komunikimit zyrtar ndërmjet tyre.
Nisma
Kjo inciativë është marrë pas kërkesë së shoqatave të ish të përndjekurve politikë. Prej kohësh ata kanë paraqitur ankesa pranë zyrës së Avokatit të Popullit, në të cilat pretendojnë se Ligji Nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut si dhe me Rezolutën e Këshillit të Europës për Dënimin e Krimeve të Komunizmit, në të cilat përcaktohet e drejta e viktimave të regjimit komunist për rivendosjen e drejtësisë, rehabilitimin moral e politik, dëmshpërblimin ekonomik si dhe riintegrimin real në shoqëri. Gjithashtu ata pretendojnë se Ministria e Drejtësisë ka miratuar disa procedura tepër të ndërlikuara dhe të vështira për t’u plotësuar dokumentacioni që u kërkohet të dënuarve politikë për të përfituar dëmshpërblimin që ju takon sipas Ligjit përkatës. Sipas tyre procedurat e miratuara nga Ministria e Drejtësisë janë në kundërshtim jo vetëm me ligjet dhe VKM-të e miratuara për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, por ato janë edhe në kundërshtim të hapur me Ligjin Nr.9831 datë 12.11.2007. Pas këtyre ankesave, Dobjani i shkroi një kërkesë zyrtare jo vetëm ministrit të Drejtësisë por edhe Kryeministrit. Pak ditë pas shkresës, kryeministri Sali Berisha bëri publike edhe faktin se të parët që do të dëmshpërblehen do të jenë ish-të përndjekurit që janë gjallë.
Listë zyrtare për të dënuarit me burgim
Diktatura përndoqi me burgim rreth 1370 persona. Kjo është shifra zyrtare që njihet edhe sot nga institucionet shtetërore si të përndjekurit e dënuar me burgim. Këta persona, për shkak se njihet zyrtarisht përndjekja e tyre, e kanë më të lehtë të kalojnë me sukses fazën e shqyrtimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Sidomos në rastet kur i përndjekuri vazhdon të jetojë akoma. Por, edhe në rastet kur i përndjekuri ka vdekur, janë trashëgimtarët që do t’i përfitojnë këto lehtësira. Sipas ligjit për dëmshpërblim, çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer në burg, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë. Sipas të njëjtit ligj, kur kërkesa mbërrin në Ministrinë e Drejtësisë për dëmshpërblim, pas regjistrimit të kërkesës, këtij dikasteri i lind përgjegjësia të hapë dosjen individuale dhe brenda 10 ditëve vepron si më poshtë: Kur nga shqyrtimi paraprak vëren se kërkesa nuk shoqërohet me dokument provues, e njofton kërkuesin për të plotësuar dokumentet duke i dhënë informacion për zyrën shtetërore se ku mund t’i gjejë këto dokumente. Kur nga shqyrtimi paraprak provon se i dënuari politik nuk është gjallë dhe kërkesa nuk kryhet nga rrethi i familjarëve, të përcaktuar në këtë ligj, i dërgon njoftim negativ dërguesit në adresën e tij.
Ish-i përndjekuri jeton, si bëhet tërheqja e parave
Pasi është siguruar që emri i ka dalë për pagesë në VKM, i dënuari politik duhet të ndjekë njërin nga dy opsionet e mëposhtme; e para është që të depozitojë pranë degës së thesarit ku ata jetojnë vetëm numrin e llogarisë në emër të tyre në një nga bankat; Alpha Bank, Raiffeisen Bank, Banka Popullore, NBG, BKT, Banka e Tiranës, Union Bank, Banka Ndërkombëtare e Tregtare. Pranohet numri i llogarisë vetëm në një nga këto banka, sepse këto janë zgjedhur si kërkesë e ligjit. E dyta, të dërgojnë me postë këtë numër llogarie në emër të tyre në adresën; Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë.
Me mbërritjen e numrave të llogarisë Ministria e Financave proceson pagesat nga Banka e Shqipërisë në llogaritë personale të përfituesve (ish-të dënuarve). Është kusht i domosdoshëm
për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare. Dhe e treta, për personat me dënim kapital dhe që trashëgimtarët janë listuar në VKM-në nr. 1699, datë 29.12.2008. a. Trashëgimtarët do të veprojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur njërin nga dy opsionet e listuara në pikën 2 (a). Pra të gjithë trashëgimtarët e të pushkatuarit depozitojnë pranë degës së thesarit ku jetojnë ose dërgojnë me postë numrin e llogarisë (të hapura në një nga bankat e përmendura më lart) në adresën; Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë.
b. Veprimet për rastet sipas pikës 3 (a) mund të kryhen edhe në emër të një trashëgimtari të vetëm kur së bashku me numrin e llogarisë depozitohet një prokurë që trashëgimtarët e tjerë autorizojnë njërin prej tyre për kryerjen e veprimeve të pagesave. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit. Është kusht i domosdoshëm për
pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.
5 Shkurt 2010