E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina

Nga Zhaoxing, qyteti më i varfër i vendit, ku jetohet me pak euro në ditë, në luksin e Pekinit dhe Shangait. Janë shumë vite dritë larg njëri-tjetrit, por bëjnë pjesë në të njëjtin realitet. Në vendin e mrekullive ekonomike, jetojnë fshatarë në varfëri ekstreme dhe miliarderë pa fund Muri i madh që ndan të pasurit nga të varfrit

Fshati më i varfër i Kinës duket sikur nuk ndodhet në Kinë. I ngjan shumë një universi të veçuar, ashtu si shumë të tjerë. 600 familjet “dong” veshin kostumet e paraardhësve të tyre, ndërsa burrat mbajnë ende shpata. Vetëm më të dobëtit hanë mish, që këtu është prej miu. Në Zhaoxing mendojnë se Pekini ndoshta nuk ekziston. Për të arritur aty nga kryeqyteti, duhet të ndërrosh dy avionë, të udhëtosh 5 orë me makinë dhe dy më këmbë. Por në fund të fundit ia vlen të shkosh, sepse aty gjen njerëz që nuk shohin asnjë diferencë mes Kinës perandorake, asaj të Maos dhe asaj luksozes së Shangait. Më të moshuarit, darkave mblidhen rreth një radioje të vjetër për të dëgjuar të rejat nga vendet e largëta, që ekzistojnë vetëm në imagjinatë. Sukseset e kombit që po pushton botën, ata nuk i kanë parë kurrë. Premtimet e teknokratëve të sotëm konsiderohen përralla të mrekullueshme, ashtu si planet komuniste të prishura 30 vjet më parë nga Teng Hsiao Ping. Zhaoxing ndodhet në pjesën juglindore, mes maleve dhe plantacioneve të orizit të Guizhout, rajoni më i varfër i vendit. Meshkujt janë ose të moshuar, ose të sapolindur, sepse të tjerët sapo munden, hipin në ndonjë gomar të bardhë dhe zhduken në fabrikat e Guangdongut, përgjatë brigjeve të lumit Zhuijang. Aty jetohet me gjysmë dollari në ditë, shkolla është bosh dhe kush sëmuret, fundin e ka të sigurt. Këtë vit, për shkak të thatësirës që zgjat që nga tetori, gjendja është më e keqe. Cisterna të mëdha me ujë të verdhë hidhen një herë në javë në një pus të thatë. Autoritetet thonë se pas disa ditësh mund të pihet. Njerëzit janë pothuajse të gjithë të papunë. Por aty e dinë shumë pak, ose ndoshta fare pak, se vendi i tyre shënon rekorde ekonomike dhe dominon skenën politike ndërkombëtare. Kina moderne ndërton një stacion energjie në çdo katër ditë dhe ka planifikuar që të ndërtojë 97 aeroporte rajonale vetëm gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Po të vazhdonim me gjuhën e statistikave, nuk do të mbaronim kurrë. Për sa u përket të huajve, ata mbërrijnë në Kinë përmes aeroporteve madhështore dhe shkojnë në qendër të qyteteve në autostrada me gjashtë korsi. Brenda qyteteve ka godina marramendëse, kulla ndër më të lartat në botë, zona financiare dhe lagje shik. Rrugët janë gjithmonë të stërmbushura me makina dhe kudo ndërtohet, ndërtohet pa fund. Po të dalësh jashtë këtyre oazeve të magjishme, që të huajt nuk kanë shumë mundësi ta bëjnë, do të ndeshesh me Kinën tjetër. Në periferi jetojnë ata që në të vërtetë i kanë dhënë shkëlqimin Kinës së parë: punëtorët, miliona krahët e forcës pa ndihmën e përditshme të së cilëve nuk do të ishte i mundur të ndodhte ndryshimi. Ata vijnë nga zonat e thella të vendit, për të gjetur punë në qytet dhe në këtë mënyrë sigurojnë të ardhurat për familjet që jetojnë larg. Për sa i përket shkallës së lindjeve, ajo ka pësuar ulje, falë politikës së qeverisë për lindjen e vetëm një fëmije. Edhe pse mendohet se tani kjo politikë nuk është në ekstremin e saj, lindjet janë pakësuar, megjithëse shumë shpejt parashikohet një periudhë e re bumi demografik. Punëtorët që rendin nëpër qytete preferojnë më shumë ndërtimin, apo fabrikat e stërmëdha të prodhimit të veshjeve dhe lodrave, të cilat shkojnë në Perëndim. Situata në zonat rurale është e papërshkrueshme. Ka shtëpi ku kafshët trajtohen më mirë se njerëzit, për të vetmen arsye se japin qumësht, lesh, apo mish. Dallimet mes të pasurve dhe të varfërve janë aq të mëdha, sa në disa artikuj perëndimorë për Kinën është shkruar se bëhet fjalë për dy kombe brenda një shteti: për kombin e të pasurve dhe atë të të varfërve. Ata që kanë në duar paratë, merren vetëm me harxhimin e tyre në mënyrë të shfrenuar dhe sigurisht me shumëfishimin. Kontrastet janë të dukshme me Kinën tjetër. Në Hong-Kong, Li Ka-Shing sapo ka shpenzuar 670 milionë dollarë amerikanë për 13 hektarë tokë në Pekin dhe Shangai, lëviz mbi një “Bentley” dhe jeton në një shtëpi që kushton 47 milionë dollarë. Rreth 25 miliarderët e ishullit tashmë i kanë drejtuar sytë për të blerë terrene në Pekin apo Shangai. Duket qartë që “të dënuarit” e Zhaoxing, apo fshatrave të tjerë të largët, nuk u interesojnë. Pikërisht barakat e Guizhout dhe shtëpia e tij superluksoze janë dy anët e dështimit të suksesit. “Komunizmi apo kapitalizmi përparojnë nëse injorojnë popullin. Ne i kemi përdorur për të imituar Rusinë dhe SHBA-në. Tashmë të dyja modelet janë ezauruar dhe ne nuk dimë se çfarë të krijojmë”, thotë ai. Në fakt, të mos dish ç’të bësh për të mos ndalur përparimin dhe rritjen, është ankthi i ri i Kinës me dy “fytyra”. Muri i madh kinez ndan në dy pjesë mijëra pasanikë, nga një miliard të varfër që shpesh nuk kanë as bukë të hanë. Që prej 20 vjetësh ndodh kështu. Por tani njerëzit janë të frikësuar nga një përshpejtim i paprecedentë që e bën shumë të madhe diferencën. Kurrë më parë njerëz të një niveli kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri nuk kanë jetuar në të njëjtin territor. Në fakt tani Kina duket sikur po ndahet në tri pjesë. Në të parën bëjnë pjesë 800 milionë fshatarë dhe 200 milionë emigrantë pa të drejta, që jetojnë jo më shumë se me 17 dollarë në muaj. Në të dytën 250 milionë punëtorë dhe sipërmarrës të vegjël me ndonjë privilegj, dhe pagesë rreth 2 mijë euro në vit, që përqendrohen kryesisht në metropole. Në të tretin, 50 milionë funksionarë partie, liderë politikë dhe 89 miliarderë që zotërojnë pasuri marramendëse në vend. Kina është sot vendi i dytë në botë, si për numrin e të varfërve, ku renditet pas Indisë, si për shtresën e mesme, pas Europës, ashtu edhe për numrin e pasanikëve, ku renditet krenare pas SHBA-së. Brenda pesë vjetëve mendohet se do të jetë e para në të gjitha këto kategori, por thyerja e rekordeve për këtë vend duket se nuk përbën më asgjë të re. Jo vetëm do të jetë vendi me numrin më të madh të të varfërve dhe të pasurve, por dhe vendi i vetëm që prej 20 vjetësh ka pushuar së luftuari varfërinë, e cila në vitet e fundit ka përparuar me ritme galopante. Standardi i ulët i jetesës për të varfrit nga viti 1995 është dyfishuar, ndërsa për të pasurit është rritur tetë herë. Një tjetër shqetësim i madh për vendin është edhe plakja e popullsisë dhe numri i ulët i lindjeve. Më shumë se 170 milionë njerëz në vend e kanë kaluar moshën 65-vjeçare. Ekonomia e dytë më e madhe në botë po lëkundet nga paaftësia për të ndryshuar dhe për të interpretuar rolin e saj të ri. “Për herë të parë bota drejtohet nga një komb që ka shkrirë autoritarizmin politik dhe kapitalizmin ekonomik. Kjo shërbeu për t’u ‘rritur’ në botë pas Luftës së Ftohtë. Por globalizimi kërkon ide të tjera inovative”, thotë Yan Chenzhong, drejtor i institutit të zhvillimit ekonomik të Universitetit të Donghuas. Presidenti Ju Hintao dhe Kryeministri Wen Jibao, pas dy vjetësh do të dalin nga skena. Ata e dinë mirë që Zhaoxing dhe Hong-Kongu nuk janë vetë Kina, por e përfaqësojnë atë në mënyrë të pamëshirshme, duke treguar shpirtin e vdekur të fuqisë së saj dhe kufijtë që e shqetësojnë. I pari, bashkë me ligjin e fëmijëve të vetëm, është “hokou”. është një leje qëndrimi e krijuar në vitin 1958, që u garanton qytetarëve epërsi ndaj fshatarëve. Ky është një privilegj i trashëguar ende sot, në moshën e internetit. Nipërit e emigrantëve, të lindur dhe të rritur nëpër metropole, për shtetin mbeten thjesht fshatarë, edhe pse nuk kanë parë kurrë ndonjë shat me sy. Rritja ekonomike kineze, “motor” i Perëndimit, mbetet e bazuar në 200 milionë skllevër të privuar edhe nga e drejta për të jetuar ku të duan në vendin e tyre. Problemi është se brezi i dytë vazhdon të ushtrojë presion. Wan Jilong rrit derra në Guangxi dhe tani ka përfunduar në minierat e Ordosit, Teksasi i Mongolisë së Brendshme. Kishin premtuar të na mbushnin xhepat, por nëse e bëjnë, shpërthen revolucioni. Jo vetëm në Lindje: paratë për të drejtat kineze nuk i shpenzon kush. 13 gazeta para Asamblesë Kombëtare të Popullit kanë publikuar një editorial kundër “hokou”-t. Në internet shkrimi është censuruar dhe autori, zëvendëspresidenti i “Economic Observer”, u pushua nga puna. Mes Zhaoxingut dhe Hong-Kongut është krijuar shkretëtira sociale, ku jetojnë 37 milionë njerëzit që, pas pushimeve të fillimit të pranverës, nuk e rinisën më punën nëpër fabrika; 20 milionë “vejusha të punës”, 58 milionë fëmijë që në qytet nuk mund të shkojnë në shkollë, 15 milionë pensionistë përjetësisht në rrugë drejt Pekinit, një milion të sapodiplomuar në vit që “kushtojnë” shumë nëse punësohen. Kina e vjetër kapitaliste, e pathyeshme në shitjen e produkteve, por e paaftë të prodhojë një ide të re për veten dhe botën, tregon se nuk është më pak e ezauruar se Europa dhe Amerika. Ky është një lajm shumë i keq dhe Xie Jianshe, analist financiar nga Hong-Kongu, i transferuar në Shangai për t’u bërë financier, e shpjegon me shumë thjeshtësi. Ai mbështet me forcë faktin se Kina vazhdon të mbetet komuniste. Shembulli më i mirë është ai i krizës. Për ta kaluar, Pekini mes duartrokitjesh ka vënë në “pjatë” 586 miliardë dollarë. Ka financuar rrugë dhe hekurudha, fabrika të vjetra dhe grataçiela. Edhe terrenet janë publike, ashtu si bankat që japin kredi. Për të bërë karrierë dhe para, 45 milionë funksionarë lokalë kanë nisur betejën. Këtyre u shtohen edhe 75 milionë anëtarë partie. Rritja e GDP-së kineze fikse prej dhjetë vjetësh është më e lartë se 8 për qind, ndërsa kuota e rritjes së GDP-së financiare nga shteti në 2009-n ishte 75 për qind. Kështu, konsumi i brendshëm nuk mund të rritet, çmimet e tokës dhe pasurisë imobiliare duhet të vazhdojnë të rriten, ndërsa jeni nuk mund ta ndryshojë kursin e këmbimit. Urbanizimi dhe eksporti janë dy shtyllat e Kinës. E para është false, ashtu si flluska imobiliare që bankat furnizohen dhe kontrollohen me urdhër të partisë. Të dytat u përkasin mallrave me përmbajtje të ulët teknologjike të prodhuara nga të huajt për të qetësuar inflacionin në Perëndim. Shumë milionerë në Hong-Kong dhe Shangai mendojnë se kjo lloj Kine e ndarë në tri pjesë ekziston sepse shumë ia kanë nevojën, por mbi të gjitha se mbështet Perëndimin. Por edhe pse rritja ekonomike ka qenë e jashtëzakonshme në këtë kohë krize globale, 60 mijë vetë u pushuan nga puna brenda gjashtë muajve, si pasojë e mbylljes së shumë fabrikave. Po për fshatarët në Zhaoxing, asgjë nuk ndryshon. Jeta për ta rrjedh e njëjtë çdo ditë. Miliarderi Li Ka-Shing tregon se në Hong-Kong i kalon netët nëpër klube nate, apo duke kënduar dhe kërcyer nëpër karaoke me këngët e Majkëll Xheksonit. Po “të humburit” e Kinës së varfër, me se merren? Shpresojnë vetëm që të jenë të shëndetshëm, sepse përndryshe fundin e kanë të garantuar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›