Vladimir Klitschko, boksieri me mendje të bukur
Ai është një kampion i qetë dhe madje meditativ. është shumë i pasionuar pas ndeshjeve më të mëdha të të gjitha kohërave dhe di thuajse përmendësh të gjitha lëvizjet që u kanë dhënë këtyre heronjve fitoret e lavdishme në ring. Por për të famshmin e Ukrainës, kampionin e boksit, Vladimir Klitschko, një çift boksierësh mbetet ndër më të lavdishmit, dhe bëhet fjalë për Max Schmeling dhe Joe Louis, dhe ndeshjen e tyre të famshme të 72 viteve më parë. Madje Vladimiri ruan edhe një copë gazete, në të cilën shkruhet ky koment për ndeshjen: “Kurrë më parë një ngjarje sportive nuk ka arritur që të elektrizojë mendjet dhe zemrat e njerëzve, sa ajo mes dy boksierëve të mëdhenj.
është një ndeshje në të cilën ndërthuren fuqishëm e shkuara dhe e ardhmja, si dhe vetë prestigji i dy kombeve të fuqishme. Secili prej lojtarëve mban mbi supet e tij shumë më tepër se peshën e një loje të vetme, madje asnjë atlet më parë nuk ka mbajtur një peshë të tillë”. Vladimiri është një nga kampionë më të famshëm të të gjitha kohërave. është i ndërgjegjshëm për peshën dhe rolin e tij dhe mbi të gjitha krenar që ka arritur t’ia dalë në jetë në më shumë se një drejtim. Ai është një lloj heroi kombëtar jo vetëm në Ukrainën e tij, por edhe në Gjermani, vend në të cilin ka jetuar për një kohë shumë të gjatë. Klitschko dhe vëllai i tij më i madh, Vitai, aktualisht kampion në boks për peshat e rënda, e kanë pasur gjithmonë idhull të famshmin Schmeling. Për herë të parë ata e takuan sportistin veteran 10 vjet të shkuara, kur ai ishte 94 vjeç. Atëherë ai ishte një njeri shumë i pasur, pasi veç sportit u mor edhe me shpërndarjen e “Coca Cola”-s në Gjemani. Ajo që të dy vëllezërve u bëri shumë përshtypje tek ish-boksieri gjerman ishte fakti se pavarësisht moshës shumë të madhe, ai ishte tepër i kthjellët dhe jashtëzakonisht i qartë në mendime dhe kujtime. “Ai takim ka qenë ndër më të rëndësishmit e jetës sime. Imagjinoni që të takoni një ditë të bukur dikë që ka qenë idhulli juaj që nga vitet e fëmijërisë. Ai na foli pikërisht për ndeshjen që ishte shndërruar në një ëndërr për mua, për ndeshjen e vitit 1936, për parapërgatitjet dhe momentet e luftës me një kundërshtar që ishte po aq i famshëm dhe i fuqishëm sa ai. Kur ai fliste, unë u përpoqa që të mbaja mend të gjitha hollësitë që plaku tregonte, që nga mënyra se si ishte ushqyer, përgatitjet psikologjike para ndeshjes, dhe mënyra se si përpiqej që të mbante të qëndrueshme anën emocionale. Ato që kam dëgjuar në këtë takim shumë të rëndësishëm, më kanë vlejtur përgjatë gjithë jetës sime. Në atë takim na tha edhe se duhet të guxonim më shumë dhe të luftonim edhe në Shtetet e Bashkuara, sepse nëse do të vendosnim për diçka dhe do të kishim vullnet, Zotin do ta kishim me vete. Dhe doli se plaku i fortë, si gjithmonë, kishte të drejtë”, rrëfen Vladimiri.
Dhe vëllezërit e famshëm e ndoqën këshillën e kampionit, i cili për hir të së vërtetës pati vërtet një ndikim shumë të madh tek ata dhe jo për një periudhë të shkurtër, por për tërë jetën. “Ne e ndjejmë këtë kampion të famshëm nën lëkurë. është njeriu që na ka frymëzuar për këtë sport që në fëmijëri dhe që vazhdon të na tregojë rrugën e re që duhet të ndjekim”, thotë vëllai i madh i kampionëve. Por 5 vjet pas takimit të parë, ai u takua sërish me të famshmin Max Schmeling. Këtë herë mjeshtri i madh ishte 99 vjeç dhe nuk i kishte mbetur edhe shumë kohë për të jetuar. “Por edhe në atë takim, Max më impresionoi për mendjen e hapur dhe kthjelltësinë e të menduarit. Ai i kishte marrë vesh të gjitha lajmet për karrierën time dhe mësova me shumë kënaqësi që tashmë ishte kthyer ai në një tifozin tim. Max ishte mbi të gjitha një njeri shumë i mirë. Gjatë periudhës së sundimit nazist kishte shpëtuar një familje hebreje dhe duke qenë se ishte një zotëri i vërtetë, mbi të gjitha në kohë të vështira, kishte ndihmuar financiarisht edhe kundërshtarin e tij më të madh në ring, të famshmin tjetër të boksit, Joe Luis”. Pas lufte, Max ishte njeriu që solli “Coca Cola”-n në Gjermani. Por le të kthehemi te kampioni ynë ukrainas. Ai e di mirë se në jetë ka qenë me shumë fat dhe më shumë se një herë. I ati i tij ka qenë një gjeneral i forcave ajrore sovjetike, i cili mbeti pa punë me shembjen e komunizmit në Bashkimin Sovjetik. Por puna e tij e fundit ishte ajo e atasheut ushtarak sovjetik në ambasadën ruse në Bon të Gjermanisë. Në vitin 1991, Vladimiri, që do të mbushë 34 vjeç javën që vjen, ishte vetëm 15 vjeç. Megjithatë ai mban mend shumë mirë gjithçka që ka ndodhur në atë periudhë. Mbi të gjitha mban mend periudhën kaotike që përfshiu Ukrainën në fillim të viteve ‘90, kur tashmë e vetme i duhej t’u bënte ballë njëmijenjë problemeve të shkaktuara nga mungesa e centralizimit me të cilën ishte mësuar për më shumë se një gjysmë shekulli. Sipas Vladimirit, Ukraina e fillimviteve ’90 ishte njësoj si çikagoja e viteve ‘30. Krimi dhe korrupsioni ishin mbizotërues dhe përbënin normën në atë vend. Grupet e gangsterëve dhe të keqbërësve mbinin dhe shumoheshin si kërpudhat pas shiut. Vetë Vladimiri ishte shumë i gjatë dhe i zhvilluar fizikisht, me trup të lidhur e të fuqishëm dhe do të kishte qenë i vlefshëm shumë për bandat kriminale, të cilave u duheshin njerëz të kësaj stature. “Kam qenë me fat që kam shpëtuar nga shoqëritë e këqija dhe ndikimet negative të njerëzve të ndryshëm. Në atë kohë ishte shumë e lehtë që të përfshiheshe në rrethana nga të cilat zor se mund të shkëputeshe më”. Shumë shokë të tij të rinisë janë vrarë, kanë përfunduar nëpër burgje, apo kanë pasur drama të tjera në jetë, vetëm për shkak të lidhjeve të gabuara. Veç faktit të fizikut, Vladimiri kishte edhe një aftësi tjetër, që do t’i kishte shërbyer shumë nëse do të ishte marrë me mafien. Ai ishte dhe është një poliglot i shkëlqyer. Zotëron shumë mirë 5 gjuhë të huaja dhe ka një memorie të mrekullueshme. Për të mund të thuash me plot gojë që është rasti më i mirë që ilustron proverbin “mendje e shëndoshë, në trup të shëndoshë”. Një njeri me intelektin e Vladimirit është e çuditshme se si ka arritur që të zgjedhë për të jetuar një profesion si boksi, që për hir të së vërtetës nuk është se ka nevojë për ndonjë kulturë të madhe. Megjithatë, në këtë pikë Klitchko ka shumë për të thënë. Sipas tij, ata që bëjnë sport të mirë, pra kampionët, pavarësisht llojit të sportit, janë persona me një kuotë shumë të lartë të inteligjencës. Edhe për boksin vlen e njëjta gjë, duke filluar nga vetë Max Schmeling, te Muhamed Ali apo Manny Pacquiao. Por ndërkaq, Vladimiri këtë inteligjencë e ka shprehur edhe në botën akademike. Ai mban gradën “Doktor i shkencave” nga Universiteti i Kievit dhe këtë gradë e ka mbrojtur me punimin shkencor me titull “Kontrolli pedagogjik ndaj atletëve të rinj në Bashkimin Sovjetik”. Në vijim të mendimit se një sportist i mirë nuk ka nevojë për shumë mend, Vladimiri vazhdon të thotë se edhe vetë Pitagora, gjeniu i gjeometrisë, ishte një boksier i mirë dhe boksi ka zënë një pjesë jo të vogël të jetës së Nelson Mandelës, veçanërisht gjatë kohës kur ishte në burg. Por a është e mundur që gjithë ato goditje në kokë që marrin boksierët, të kenë ndikimin e tyre në funksionimin e mendjes? Për Vladimirin kjo është një klishe që nuk ka lidhje me të vërtetën. Sipas tij është njësoj sikur të thuash se të gjitha lojtaret e tenisit femra janë lezbike, apo të gjithë politikanët e botës janë mashtrues e manipulatorë, apo të gjithë gazetarët mund të blihen. “Megjithatë unë mundohem sa më shumë që të shmang goditjet në kokë, sepse sigurisht që edhe mund të më dëmtojnë fizikisht, por kurrsesi nuk mund të më ulin koeficientin e inteligjencës”, thotë boksieri i famshëm. Ai është një nga boksierët më të mëdhenj dhe më të suksesshëm të të gjitha kohërave, me 56 ndeshje, ndër të cilat 53 kanë qenë fitore. Sigurisht që askush nuk e vë në dyshim më forcën dhe kapacitetin e tij, por edhe ai thonë se ka një pikë të dobët: mjekrën dhe nofullën. “Nuk është aspak e vërtetë. Jam si të gjithë sportistët e tjerë, edhe pse për mua kanë thënë se kam një problem me këtë pjesë të fytyrës”. Megjithatë ai mund të mos dojë që të tregojë pikat e tij të dobëta, sepse nëse do ta bënte, do të ishte edhe një gabim taktik. Për një boksier, që të jetë i talentuar dhe i suksesshëm, duhet që shumë faktorë të arrijnë përputhjen e duhur. Kështu, sipas parametrave, një boksier duhet që të ketë një grushtim të fuqishëm, një sulm të rrufeshëm, një mbrojtje të hekurt dhe një nofull. Gjëja më e veçantë me Klitchko-t është se ata janë dy vëllezër që, në fakt, veç rezultateve të larta, kanë sjellë në botën e boksit të peshave të rënda edhe një standard të ri vlerash dhe parametrash. Por çfarë mendojnë ata për një ndeshje në të cilën të jenë të përfshirë të dy? “Në një rast të tillë, nëna jonë nuk do të mbijetonte. Ajo nuk ka dashur kurrë që ne të merrnim këtë drejtim në jetë, dhe mezi e ka pranuar një fakt të tillë. Ndaj, nëse tani ne do të ndesheshim të dy, do të ishte fundi”, rrëfen Vladimir. Të dy vëllezërit në fakt, kundër dëshirës së të ëmës, ndoqën një shkollë sportive, në atë kohë ndër më të mirat e Ukrainës dhe gjithë Bashkimit Sovjetik. Edhe pse ishte një shkollë e fuqishme, sipas Viktorit, psikologjikisht studentët dëmtoheshin rëndë, sepse trajtoheshin si objekte e jo si njerëz. “Ishte një moshë kur trupi i njeriut ndryshon me ritme të shpejta, si edhe vetë mendja, dhe programi nuk e pranonte një gjë të tillë. Pikërisht në këtë moment më lindi ideja që në një të ardhme këtë çështja ta bëja tezë të një studimi të veçantë, që më pas u realizua në punimin e doktoraturës”, thotë Vladimir. Por Klitschko, veç boksit ka edhe një pasion tjetër: shahun. “Ju nuk mund ta besoni se sa të lidhur me njëri-tjetrin janë të gjitha llojet e sportit dhe veçanërisht të lidhur me shahun. Mua personalisht përvoja me shahun më ka ndihmuar shumë në ring dhe më pas nga ringu kam mësuar shumë të fshehta dhe mënyra sjelljeje që më kanë ndihmuar në jetë. Gjithçka është e lidhur në mënyrë të padukshme me njëra-tjetrën”.
Vëllezërit e famshëm e dinë se kanë kaluar vetëm një pjesë të sfidave para të cilave i ka vënë jeta dhe janë të bindur që do t’ia dalin edhe në të ardhme dhe arsyeja është besimi te vetvetja dhe mundësitë e pafund që ka çdo njeri brenda vetes.
#