E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinë, 35 të vdekur nga shpërthimi i gazit në minierë

Si pasojë e shpërthimit të gazit në një minierë qymyri në Kinën Qendrore, në provincën Henan, kanë mbetur të vrarë 35 persona. Lajmi është bërë i ditur nga burimet mediatike shtetërore. Agjencia kineze e lajmeve Xinua njofton se nga aksidenti në minierë, përveç të vrarëve, të paktën 44 të tjerë kanë mbetur të bllokuar në galeritë nëntokësore. Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit në minierën që ndodhet pranë qytetit Pingdinshan, ku po sipas mediave vendase, të paktën 14 persona mundën të shpëtonin duke dalë nga galeritë. Autoritetet lokale ende nuk i kanë bërë të ditura shkaqet e aksidentit. Ndërkohe ekipet e shpëtimit ende po kërkojnë për te zhdukurit dhe gjithashtu po hetohet për shpërthimin.
Minierat kineze të qymurit janë të njohura për rrezikshmërinë e tyre të lartë, një ndër shkaqet që jo pak herë u ka marrë jetën qindra njerëzve. Rrezikshmëria në minierat kineze është vlerësuar si ndër më problematiket në botë, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të minimizuar këtë nivel rreziku. Më shumë se 3000 njerëz humbën jetën gjatë vitit 2008 si pasojë e përmbytjeve, shpërthimeve, shembjeve të galerive apo edhe aksidenteve të tjera në miniera.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›