E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Gjermania merr komandën e KFOR-it

Gjeneral-Lejtnant Markus Bentler nga Gjermania, merr komandën e KFOR-it duke pasuar në këtë post gjeneral-kolonelin italian Giuseppe Emilio Gai, i cili është në këtë detyrë prej 29 gushtit, 2008. Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës zhvillohet në komandën e KFOR-it në Prishtinë, nën udhëheqjen e komandantit të forcave të bashkuara të NATO-s në Napoli, admiralit amerikan Mark Fitzgerald.
Aktualisht NATO-ja ka rreth 13.500 paqeruajtës ndërkombëtarë në Kosovë, por numri i tyre pritet të zvogëlohet deri në rreth 10 mijë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, vizitoi Prishtinën në 13 gusht, ku edhe paralajmëroi reduktimin e forcave ndërkombëtare në Kosovë. "Kemi vendosur të reduktojmë numrin e trupave gjatë viteve të ardhshme, por do të doja të theksoja se ky vendim vetëm reflekton zhvillimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Ky vendim është i bazuar në kushte që do të thotë se reduktimi do të ndodhë në pajtueshmëri me përmirësimin e vazhdueshëm në aspektin e sigurisë", tha Rasmussen gjatë vizitës, ndërsa theksoi se nuk do të merret asnjë vendim që do të kishte ndikim negativ në sigurinë e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›