E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia feston 18-vjetorin e pavarësisë

Maqedonia feston sot përvjetorin e 18-të nga referendumi i suksesshëm popullor, ku qytetarët maqedonas votuan për një shtet të pavarur dhe sovran. Një shumicë dërrmuese, ose më shumë se 95 për qind e qytetarëve që morën pjesë në referendumin e 8 shtatorit 1991, u përgjigjën në favor të pavarësisë së Maqedonisë. Rezultati i referendumit u parapri nga adoptimi i Deklaratës së Pavarësisë në parlamentin e parë shumëpartiak të Maqedonisë më 25 janar të vitit 1991. Vullneti i popullit për një shtet të pavarur u konfirmua me deklaratën për njohjen e rezultatit të referendumit nga parlamenti maqedonas më 18 shtator të të njëjtit vit.
Hapi tjetër i rëndësishëm drejt forcimit të shtetit ishte miratimi i Kushtetutës më 17 nëntor 1991, që u plotësua më vonë pas konfliktit ndëretnik dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001.
Statusi ligjor ndërkombëtar i shtetit u konfirmua përfundimisht përmes miratimit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 8 prill 1993, kur Maqedonia u pranua si anëtarja e 181 me të drejta të plota në OKB. Megjithatë, për shkak të kundërshtimit të Greqisë ndaj emrit të saj kushtetues, anëtarësimi i saj në OKB u bë nën emrin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM). Bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit vazhdojnë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.
Maqedonia ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 160 shtete të botës dhe është njohur me emrin e saj kushtetues nga 125 vende, tre prej të cilave anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, SHBA-ja, Kina dhe Rusia. Këto 18 vite të pavarësisë së Maqedonisë nuk kanë kaluar pa probleme. Inflacioni me tre shifra në fillim të viteve '90, embargoja greke, kriza e refugjatëve të luftës nga Kosova dhe konflikti i vitit 2001 kanë qenë sfida dhe kërcënime reale ndaj shtetit të ri të Maqedonisë.
Në vitin 2005, Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Procesi i përafrimit të legjislacionit maqedonas me atë të BE-së, decentralizimi i pushtetit dhe reformat në mbrojtje kanë qenë arritjet kryesore të viteve të fundit.
Maqedonia mori një ftesë të kushtëzuar për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit në prill të vitit 2008, pasi Greqia përdori të drejtën e vetos kundër anëtarësimit të Shkupit në aleancën veri-atlantike.
Maqedonia feston 18-vjetorin e pavarësisë me shpresën për marrjen në tetor të një raporti pozitiv të Brukselit lidhur me progresin drejt integrimit evropian dhe sigurimin e një date për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në familjen 27-anëtarëshe evropiane. Por Greqia ka paralajmëruar sërish se mund të bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë në BE, për shkak të çështjes së emrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›