E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinë, 37 të vdekur në një minierë

Një shpërthim ka tronditur sot një minierë në veri të Kinës, me çrast kanë humbur jetën 37 persona, ndërsa 71 të tjerë kanë mbetur të ngujuar.

Ky aksident ishte një goditje e rëndë për qeverinë e Kinës, pasi që minierat e kontrolluara nga shteti konsiderohen si më të sigurta se minierat më të vogla në pronë private.

Minierat në Kinë mbesin edhe më tutje minierat më të rrezikshme në botë, përkundër përpjekjeve që pjesa më e madhe prej tyre të vendosën nën kontrollin e shtetit.

Gjithsej 528 minatorë kanë qenë duke punuar në minierën Xinxing, në provincën Heilongjiang, në momentin kur ndodhi shpërthimi, ka njoftuar Administrata shtetërore për siguri në vendin e punës. Më tutje u theksua se 389 minatorë kanë arritur të dalin nga miniera pas shpërthimit.

Televizioni shtetëror i Kinës njoftoi se 37 persona kanë humbur jetën, 31 janë shpëtuar nga ekipet shpëtimtare, ndërsa 71 të tjerë kanë mbetur të ngujuar. Në raport u theksua se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e grumbullimit të gazit.

Miniera në të cilën ndodhi aksidenti gjendet në afërsi të brezit kufitar me Rusinë, rreth 400 km në verilindje të kryeqytetit provincial, Harbin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›