Kinë/ Gjenden të gjallë minatorët, ishin bllokuar prej mëse një javë në galeri
Ekipet kineze të shpëtimit kanë mundur të nxjerrin të gjallë të paktën 114 punëtorë nga miniera e cila u përmbyt që prej një jave në provincën veriore të Shanxisë. "Kjo është një mrekulli në historinë e minierave kineze'', deklaroi shefi i Administratës Shtetërore për Sigurinë në Punë, i cituar nga agjencia shtetërore kineze e lajmeve "Xinhua". Shpëtimi i minatorëve ndodhi në orët e para të së hënës, sipas medias shtetërore. Më shumë se 3000 punonjës u angazhuan që nga dita e dielë për të shpëtuar minatorët e bllokuar në galeritë nëntokësore , në minierën Wangjialing. Në kohën kur miniera u përmbyt, rreth 153 minatorë u bllokuan nga vërshimi i ujit. Përmbytja mund të jetë një nga aksidentet më të rënda i shënuar prej kohësh në këtë vend, pavarësisht se tragjedi të tilla janë të shpeshta nëpër miniera. Dhjetëra mijëra njerëz vdesin cdo vit nga shpërthimet në miniera, nga përmbytjet dhe nga gazet toksike. Një situatë e tillë e ka klasifikuar kinën si vendin me rrezikshmërinë më të madhe në miniera. Numri i personave të vrarë në minierat e qymyrit arrin në 2631 në 2009 , me një mesatare prej 7 të vdekurish në ditë, ndërsa në statistikat e vitit 2008, bëhet fjalë për 3215 të vdekur.