E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinema e hapur n’Ibër

“Kinema e Hapur n’Ibër“ tashmë është shndërruar në një aktivitet tradicional, që përveç argëtimit, promovon artistë vendor si dhe kinematografinë evropiane. Nga Express më 24 korrik 2011 në ora 13:33

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit aktiviteti në fjalë do të zgjasë katër ditë, duke u shoqëruar edhe me muzikë dhe performanca me zjarr.

Për të plotësuar kërkesat e audiencës, programi i sivjetmë ka përmbledhur zhanre dhe filma më të larmishëm, duke filluar nga filma të animuar, artistik, video-instalacione, e dokumentarë.

Natën e parë, nga artistë mitrovicas, do të performohet muzikë filmi dhe me pas do të shfaqet filmi i animuar “Rio”. Çdo vit Kinemaja verore ka promovuar nga një artist vendor, dhe kësaj here, një ditë i kushtohet krijimtarisë së artistit mitrovicas Alban Muja, videot dhe filmat e të cilit do të shfaqen gjatë natës së dytë. Ndërsa, programi i natës së tretë i është rezervuar Festivalit të Filmit “First Step” nga Tirana, me ç’rast do të prezantohen shtatë filma të shkurtër artistik të punuar nga regjisorë të rinj nga Shqipëria.

“7arte” në bashkëpunim me rrjetin e Kinemasë së Re Evropiane NISI MASA, do të shfaqë filma të shkurtër evropian, të realizuar së fundmi nga regjisorë evropianë. Programi në fjalë është i shoqëruar edhe me aktivitete tjera argëtuese që do të zgjasin deri në orët e mesnatës.

Kinema e hapur n’Ibër është mbështetur nga Departamenti për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Mitrovicës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›