E Diel, 1 Nëntor 2026

Luli i vocërr i Migjenit, Luli i madh i Berishës

Presidenti është bërë armiku i radhës i PD-së, për shkak se ai po bën punën e vet. Po bën punën e vet, duke kërkuar që drejtësia të bëjë punën e vet në hetimin e mega-skandaleve të dyshuara financiare të qeverisë.

Sulmi ndaj tij, paralel me sulmin ndaj Ina Ramës, është tipik provincial, sipas stilit Berisha “dru me pre”, që nuk njeh as parime, as miqësi, as etikë, as kufi njerëzor në ato që thotë e që bën. Sulmi nuk ka nisur me Kodin. Ka nisur duke përdorur mediat që qeveria kontrollon. Aq të nxituar janë përdoruesit për të “luftuar” dhe aq të gatshëm janë të përdorurit për t’u përdorur, sa krijohen edhe situata qesharake. Para disa ditësh, një deputet u nxor të fliste në gazetën “Panorama” dhe thoshte që, “këto gjëra gatuhen në zyrat e Presidentit”. Një tjetër zyrtar i lartë i PD-së, kishte dalë po atë ditë në një gazetë tjetër dhe thoshte të njëjtën shprehje; “këto gjëra gatuhen në zyrat e Presidentit”. Kishte paragrafë të tërë ku gjeje fjalë dhe fjali njësoj nga dy persona të ndryshëm(!)

Ai që ua dikton këtyre burrave ato që duhet të thonë, duhet të tregohet ca më i kujdesshëm. Ca më të kujdesshme të jenë edhe gazetat që pranojnë të bëjnë nga këto lojëra. Shtypi gjithmonë duhet të jetë në opozitë me qeverinë, të mos lejojë t’ia zënë kokën me derë gjëkundi. Më parë mëso veten, pastaj të tjerët, - thotë një fjalë e urtë nga anët tona.

Populli do të shohë akte drejtësie. Populli do të shohë që paratë e tij të përdoren për të. Taksat janë rritur, çmimet janë rritur, varfëria është shtuar. Sikur të mos mjaftonin këto, duhet të mbajmë në kurriz dhe hajdutë që na hiqen si patriotë. Paratë e shqiptarëve janë për Lulat e vocërr të Migjenit, jo për Lulin e madh të Berishës! Ky i fundit, shumë shpejt i harron ato që thotë.

Nuk kanë kaluar shumë javë që kur na ulërinte si burrë i mirë nga ekranet: “Nuk mund të lejojmë ne që, disa të lahen në vaska floriri dhe të tjerët të mos kenë bukë për të ngrënë”. Le të fillojë me të tijtë, që mos bëhet gazi i botës.

Ç’janë këta fëmijë, gra apo vajza kryeministrash tek ne, që në moshën 30 vjeçe paskan miliarda me “punë të ndershme”. Kush i ha këto kumbulla?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›